Flash News

OPINEWS

Vrasja e Saimir Hoxhës që zbuloi një vrasje tjetër

Vrasja e Saimir Hoxhës që zbuloi një vrasje tjetër

Alfred Lela

Shqipëria, sa herë tronditet nga një vrasje apo ngjarje që shfaqet nëpërmjet fatkeqësisë dhe vdekjes, zbulon nëpërmjet saj një të dytë, e cila është më therëse se humbja e një jetë apo dhe disave, sepse simbolizohet nga shenja e keqe e një seri vdekjesh apo fatkeqësish.

I tillë qe rasti i tërmetit të vitit 2019, rrënojat e bëra mal dhe njerëzit nën to, shoqëruar me pamjen e të tjerë njerëzve, mbi gërmadha, që mundoheshin të shpëtonin fatkëqijtë. Pamjet më therëse, hiq solidaritetin njerëzor apo bashkimin në dhimbje e humbje, ishin të punonjësve të operacioneve ndërhyrëse që gërmonin beton me sqepar apo diçka që dukej si një i tillë.

Apo heroizimi i qenve të shpëtimit, që erdhën nga Kosova, ashti si fëmijët e dikurshëm të soc-realizmit ngazëlleheshin nga tregimet për qentë e kufirit që kapnin diversantët në faqet e Leximit Letrar.

Pamje të këtilla jepnin e japin tablonë e trishtë të pafuqisë, të papërgatitjes, të asaj se si vdekjet e këtij tërmeti janë aq e të palëkundura, por nuk mund të jenë më pak në të ardhmen në rast të një tërmeti të ngjashëm, për atë se njësitë operacionale të kërkim-shpëtimit apo emergjencave do të jenë gati, të përgatitura, me mjetet e duhura apo qoftë me njohuritë.

Më shumë se kaq, emri emergjencë këtu te ne nuk parashtron gatishmërinë për një ngjarje të papritur sfiduese natyrore, por një zënie gafil, një urgjencë që na kap përherë në kanapenë e soditëse të ‘e bo Zoti mirë!’.

Një kënd ngjethës i realitetit tonë u shfaq edhe në pamjet e vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha në Lezhë të mërkurën. Në videon e publikuar në media shfaqet një Defender i Policisë që ndiqej nga një Smart. Versioni i Policisë na thotë se grupi i oficerëve e ka ndaluar për kontroll makinën e Aldi Ramës, por pamjet në video të japin një përshtypje tjetër. Se është makina e keqbërësve që ndjek atë të mbrojtësve të ligjit. Nëse do të ishte ndjekje kontrolli, zakonisht është policia që e bën ndjekjen, pra është makina e bluve pas dhe e të ndjekurve para. Kjo përmbysje e ritualit të zakonshëm ndjekës-të ndjekur ka ndodhur, me gjasë, për shkak të një fakti tjetër të zbuluar nga burimet policore. Forcat e rendit iu kishin djegur parcelën me kanabis Aldi Ramës dhe ndjekja ishte ‘një kërkesë llogarie’ e tyre ndaj policëve. Hiq atë rastin, në dukje të pagjasë se kultivuesit e hashashit kanë ndjekur një makinë që u ka djegur ‘investimin’ pa e ditur që ishte e Policisë dhe më pas kanë rënë në ‘grackën’ që ka prodhuar ngjarjen me dy të vrarë.

Nëse jemi në variantin kur keqbërësit e dinë se është makinë Policie dhe i vihen pas për ‘tu kërkuar llogari’ pamja bëhet më tronditëse edhe se dy vrasjet që fokusuan ngjarjen. Jemi në rastin kur banditët dhe policët fqinjërojnë dhe bëjnë karshillëk, jo siç është rendi i gjërave, kur të parët u dridhen leqet prej të dytëve. Kjo zbulon rënien e mitit të punonjësit të rendit dhe të shtetit, në atë shkallë sa një 21 vjeçar, sado i eksituar të jetë nga efekti i drogës, trimëron në pikën që i vihet pas shtetit për t’i marrë hak. Kjo shtysë ose vjen nga çmenduria, ose nga barazia, pra nga ideja se kundravajtësit dhe rendruajtësit janë të barabartë. Nëse ata ndajnë në hisen e të paligjshmes mund dhe duhet të ndajnë në të përfundimisht. Nuk jam duke sugjeruar aspak se ky është rasti i nënkomisarit të ndjerë Saimir Hoxha, por mund të jetë rasti i sajmirëve në Polici, që janë kthyer në sajkeqë, pikërisht për atë se kanë lënë të marrë fuqi banditi i vogël lokal apo ai i madhi kombëtar. I njëjti garip shqiptar që dikur trembej nga hija e policit të komunizmit apo xhandarit të Zogut.

Ajo ndjekje në Ishull-Lezhë, apo shumë raste të tjera të publikuara të sfidës së hapur ndaj njerëzve të ligjit nëpër rrugët e Shqipërisë, dëshmojnë se institucionet kanë për detyrë të punojnë seriozisht dhe fort për kthimin e mitit të njeriut të shtetit. I cili është dëmtuar, më shumë se nga karshillëku i nënbotës, nga përzierja e punonjësit të shtetit në korrupsion, nga rënia e tyre në batakun prej të cilit ata duhet të nxirrnin njerëz, o për t’i çuar drejt institucioneve të dënim-reformimit ose drejt rikthimit në shoqëri.

Peshën më të rëndë të fajit e ka, sigurisht, kupola, drejtuesit e Policisë, veprimet dhe mosveprimet e të cilëve shfaqen aq qashtër në një vëzhgim të koleges gazetare Anila Hoxha.

Pamjet e Lezhës janë të trishta për vrasjen e një oficeri Policie, por sidomos për vrasjen e imazhit të punonjësit të rendit dhe sigurisë. Pa respektin dhe mitin që ata meritojnë, zinxhiri kriminal i së mërkurës do të vazhdojë i pashkëputur në qafën e shtetit dhe të gjithësecilit, deri në mallëngjimine radhës, dekorimin e radhës, solidarizimin e radhës.

Është koha të solidarizohemi me të gjallët, jo të vdekurit. Kur bëjmë këtë të dytën, thjesht jemi përdorues të vdekjes së tyre, jo përnderues.

 

Të fundit