Flash News

KRYESORE

Orteku i kokainës që ka goditur Europën

Orteku i kokainës që ka goditur Europën

DER SPIEGEL

4 marsi është një tjetër ditë e zymtë dimri në Herzefelde, Gjermani. Gjithëkund heshtje, asgjë nuk lëviz. Temperaturat kanë zbritur nën zero dhe qyteti sapo është veshur nga një tis i lehtë dëbore.

Së largu një zhurmë sa vjen e rritet. Një varg automjetesh shpejtojnë në rrugën Rüdersdorfer. Prej tyre dalin disa oficerë policie. Ata shkatërrojnë dyert, kontrollojnë zonën me qen nuhatës dhe fillojnë të shqyejnë një minibus VW dhe një Chevy Camaro.

Eshte e bardha ajo që i kishte tërhequr ata – jo topat e bardhë të dëborës me të cilat ‘luftojmë’ nëpër rrugicat e rrëshqitshme, por një pluhur i bardhë, i pastër, që shitet për 70,000 euro kilogrami në Europë.

Autoritetet zbulojnë 12.8 gram kokainë të fshehur mbi një shkallë të katit të tretë dhe 214.3 gram në një garazh. Ata gjejnë gjithashtu mikro-peshore, shishka plastike dhe një kuti këpucësh plot me para, diku në lindje të Berlinit.

Në një pikë karburanti pranë skajit të qytetit, ata kapën njeriun që qëndron pas këtij operacioni të paligjshëm, i identifikuar si René F., 42 vjeç, një shitës automjetesh i kthyer në trafikant droge.

Nuk punonte i vetëm. Ai kishte punësuar djalin e tij, Majk, ish gruan e tij, Natalia dhe djalin e të dashurës së tij të re, Otto. Bëhej fjalë për një biznes familjar në lulëzim që ofronte shpërndarje të mallit brenda ditës. Gjithçka që duhej të bënin klientët ishte të porosisnin nëpërmjet një telefonate. Në jetën e natës në Berlin kjo njihet si “taksia e kokainës”.

Gjithçka po shkonte vaj deri në datën 4 mars.

Më shumë kokainë se kurrë më parë

Kokainë. Krak. Viza. Drogëra për njerëzit me të ardhura të qëndrueshme. Një festë droge. Kjo nuk është ekzaktësisht ajo që të vjen ndërmend kur mendon për një qytet të përgjumur si Herzefelde me 1750 banorë në lindje të Gjermanisë. Gjëja më e përafërt këtu me jetën e natës është një bankomat prezervativësh në rrugën kryesore.

Një nga gjërat që operacioni i antidrogës në këtë qytet nxorri në dritë është se si zinxhiri global i furnizimit me drogë është rritur – si dhe kërkesat e larta të njerëzve për drogë që rriten dita-ditës.

Asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë kokainë në treg në Gjermani, në Europë apo në mbarë botën, thonë hetuesit. Dhe malli që tregtohet nuk ka qenë kurrë më i pastër. Disa vlerësime të bëra në këtë fushë e vendosin nivelin mesatar të pastërtisë së kokainës në 70 përqind ose më të lartë.

Blerja e kokainës nuk ka qenë asnjëherë më e lehtë dhe si pasojë, shumë njerëz po kthehen në konsumues. Pyetja se, çfarë mund t’i bëjë kokaina një shoqërie tashmë të prekur nga një nxitje e detyrueshme për vetë-përmirësim, nuk ka qenë kurrë më e ngutshme.

Në Lisbonë, ku është vendosur selia e Qendrës Europiane të Monitorimit të Lëndëve dhe Drogës, flitet për një "bum të madh". Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) gjithashtu ka regjistruar një "rritje dramatike" që nga viti 2016. Një hetues i Interpol thotë se në 14 vitet e tij të punës, ai kurrë nuk ka përjetuar diçka të tillë.

Ky fenomen nuk ka gjasa të ngadalësohet së afërmi. “Ngopja globale me kokainë nuk ka arritur ende kulmin”, paralajmëron Kevin Scully, gjurmuesi kryesor i drogës në selinë europiane të Administratës së Përmbarimit të Drogës në ShBA. Sasitë do të "rriten përsëri në krahasim me vitin 2018", thotë ai. Kjo vlen edhe për Gjermaninë.

Ky lloj parashikimi nuk kërkon ndonjë shkencë të madhe, por vetëm një logjikë të thjeshtë. Në Kolumbi, prodhuesi numër 1 në botë i kokainës, sasia e tokës së përdorur për kultivimin e saj është rritur shumë, sipas Kombeve të Bashkuara. E njëjta gjë është e vërtetë për Perunë që zë vendin e dytë për kultivimin e kokainës, dhe Bolivinë që zë vendin e tretë.

Dhe e gjithë ajo kokainë duhet të shkojë diku. Në Gjermani kërkesa për kokainë është "rritur ndjeshëm", siç thekson Niema Movassat, zëdhënësi i Politikave të drogës në Partinë e Majtë në parlament. Për më tepër: zor se ka një biznes më fitimprurës për kriminelët. Në Amerikën e Jugut, një kilogram kokainë shkon për 1000 dollarë (906.50 euro). Kur malli arrin në duart e tregtarëve europianë, çmimi shkon deri në 25,000 dollarë, pasi ata duhet ta marrin kokainën përmes Atlantikut. Në rrugët e Europës, i njëjti kilogram mund të shitet për 70,000 dollarë.

Një makineri e vajisur mirë

Tregtia e kokainës është kthyer në një makinë të vajisur mirë. Është thuajse sikur tregtarët e drogës të kishin sjellë konsulentë profesionistë të biznesit për të analizuar veprimet e tyre. Sigurisht, ekzistojnë ende aktet e zakonshme të dhunës, siç është rasti i fundit i vrasjes së një avokati në Amsterdam. Por industria e kokainës është rritur në mënyrë mjaft efektive. Pjesa më e madhe e saj mbështetet te blerjet sipas peshës (gramë/kg), ndarjen e saktë të roleve dhe kohës së dorëzimit të mallit. Dhe sigurisht, tek inovacioni – kërkimi i metodave më të sofistikuara të kontrabandës. Në fund, kartelet mund të mbështeten në fuqinë e plotë të masave. Sa më e madhe sasia, aq më të parëndësishme gjërat që dalin gjatë rrugës.

18

milion qytetarë të Bashkimit Europian të moshës nga 16 deri 64 konsumojnë kokainë të paktën një herë në jetë. Kjo është e barabartë me 5.4 përqind të popullsisë.

Raportet e lajmeve të agjentëve doganorë që kapin sasi të mëdha kokaine në një goditje të vetme - 4,5 ton në korrik në Hamburg, 1.5 ton disa ditë më vonë - janë thjesht fitore simbolike. Në të vërtetë, hetuesit dinë pak për autorët ose veprimet e tyre.

Ajo që dinë është se sasia rekord e kokainës që gjetën në 2018 ishte një tregues i besueshëm i sasisë rekord të drogës që ata nuk arritën të gjenin. Interpoli vlerëson se me gjithë përpjekjet e tyre, 95 përqind e dërgesave kalojnë pa u diktuar.

Ndërsa sasia e madhe e kokainës që rrjedh nëpër Europë rritet, shqetësimi i politikanëve që prej kohësh nuk i kushtojnë vëmendje problemit të drogës zvogëlohet. Gjithashtu po humbet edhe interesi i hetuesve, të cilët pranojnë hapur që janë të pafuqishëm t’i vënë fre këtij vërshimi, si edhe i mjekëve që e dinë mirë se sa e rrezikshme mund të jetë kokaina.

23

vjeç është mosha mesatare e një personi që konsumon kokainë për herë të parë. Problemet e para shëndetësore si pasojë e konsumit të kokainës nisin të shfaqen mesatarisht gjatë moshës 34 vjeç.

Për këtë raport, DER SPIEGEL dhe partnerët e saj në rrjetin e Bashkëpunëtorëve Investigativë Europianë (EIC) folën me fermerët e kokainës në Kolumbi dhe konsumatorët e saj në Gjermani për arsyet që pasojnë dhe pasojat e bumit të kërkesave. Dokumentet ofruan një pasqyrë se si tregtarët në shkallë të gjerë krijojnë bizneset e tyre miliarda dollarësh, të ngjashme me B2B - dhe si tregtarët në shkallë të vogël organizojnë operacionet e tyre lokale, B2C, duke shpërndarë produktin në qese dhe shishka të vogla.

Joao Matias, një analist në agjensinë e antidrogës të BE-së, vlerëson se konsumi i  kokainës do të duket diçka gjithnjë e më normale. Barrierat e njerëzve për konsumin e saj do të bëhen më të pakta dhe konsumi do të rritet. Efekti që do të ketë ky fenomen në Gjermani do të mbetet i panjohur edhe për disa vjet. “Efektet e kokainës do të ndihen së shpejti”, paralajmëron Karl Lauterbach, një ekspert i shëndetit në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Por ai mund të thotë fare mirë këtë: “Kokaina është më e lirë, më e mirë dhe rrjedhimisht më e rrezikshme së më parë. Në të ardhmen vdekjet do të jenë më të shpeshta”.

Konsumatorët

Lisbona është një mikrokozmos i përsosur për tregtinë e kokainës. Gjatë ditës, pranë lumit Tagus, zyrtarët e BE-së për çështjet e drogës llogarisin sasinë. Kohët e fundit kokaina mund të blihet më me lehtësi në qytet, në zonën e Bairro Alto-s, sa të duash dhe kur të duash.

Zyrtarët europianë të antidrogës punojnë në qendër të qytetit, në një godinë moderne prej xhami dhe guri. Aty ata orvaten për të kuptuar dhe shpjeguar valën e kokainës. Sipas statistikave, në vitin 2017 rezulton që 3.9 milion europianë kanë konsumuar kokainë. Vitin e shkuar ky numër u rrit në 4 milion. Kjo nuk është një rritje dramatike, por prirja është e qartë.

Pak më shumë se 2 përqind e të rinjve të moshës 15 deri 34 vjeç - grupmosha më e ndjeshme kur bëhet fjalë për marrjen e drogës – kanë konsumuar kokainë në vitin 2017. Në shkallë vendi shifrat ndryshuan pak. Për shembull, vetëm 1.2 përqind e të rinjve gjermanë morën kokainë. Kjo është dukshëm më pak sesa në Hollandë (4.5 përqind), Danimarkë (3.9 përqind) ose Francë (3.2 përqind). Në pamje të parë, këto shifra duket se sugjerojnë se kokaina është një problem i madh në vendet e tjera, por jo në Gjermani. Por shifrat për Gjermaninë janë që nga viti 2015, para se konsumimi të pësonte rritje.

Një gjë që alarmon zyrtarët e BE-së në të gjithë Europën janë mostrat e ujërave të ndotura. "Uji nuk gënjen", thotë Laurent Laniel, analisti kryesor i autoritetit të antidrogës. Nga 38 vendet që kishin testuar ujërat e zeza për vitin 2017 dhe 2018, 22 raportuan rritje të niveleve të gjurmueshme të kokainës, e cila hyn në ujë përmes urinës së njerëzve. Në Berlin, këto nivele ishin pothuajse dy herë më të larta në 2018 sesa në vitin 2014. Edhe në Dortmund po ashtu. Këto u regjistruan në veçanti gjatë fundjavave.

Policia e Berlinit thotë se kjo është për shkak se shumë njerëz po marrin kokainë, por zyrtarët europianë të drogës nuk janë aq të sigurt. Kjo mund t'u atribuohet të njëjtëve konsumues të kokainës, por që thjeshtë kanë marrë më shumë kokainë se zakonisht, ose fakti që kokaina në rrugë sot është më e pastër. Por një gjë është e sigurt: Asnjë drogë tjetër në Europë nuk çon më shumë njerëz në spital se kokaina. Në Berlin, kokaina ka kapërcyer heroinën si droga me nivelin më të lartë të vdekshmërisë. Gjatë  2018, 35 persona vdiqën nga përdorimi i kokainës. Në fund të korrikut 2019, ky numër tashmë kishte arritur në 25.

Gjithçka nën kontroll

Në Bairro Alto shpërndarësit e drogës përzihen mes turmave të turistëve dhe duke fërkuar hundën pyesin në mënyrë të guximshme: “Kokainë, kokainë?”. Njëri i hedh dorën në qafë një turisti të rastit dhe prezantohet si ‘Pablo Eskobar’, duke u mburrur se ka mallin më të mirë në qytet. E gjitha kjo ndodh në një mënyrë krejtësisht të shkujdesur. Një gram kushton 50 deri në 60 euro, të cilin konsumatori mundet edhe ta provojë më parë, pasi siç premton “Eskobari” dhe trafikantët e tjerë, ata nuk shesin “mall kot”.

Bairro Alto ishte aty ku DER SPIEGEL ndeshi Lukasin, një student 27 vjeçar që po kryente doktoraturën, i cili përdorte një pseudonim për të fshehur faktin se konsumonte drogë.

Ai e provoi për herë të parë kokainën dy vjet më parë me disa shokë të kolegjit. Që atëherë ai ka konsumuar kokainë 10 deri në 15 herë në vit, vetëm në rastet festive: ditëlindje, apo festa mes miqsh - ndonjëherë edhe thjeshtë për qejf. Ata përdorin kokainë kur duan të ndihen të sukseshëm apo dekadentë. Sasia që përdorin nuk i kalon 0.2 deri 0.3 gram secili. Lukas e përshkruan kështu efektin që i jep kokaina: “Ndihesh sikur i ke të gjitha idetë të qarta. E di me saktësi se çfarë duhet të thuash, apo të bësh. Ke ndjesinë sikur ke gjithçka nën kontroll”.

Lukas thotë se nuk e ka problem ta mbajë nën kontroll konsumimin e kokainës dhe nuk mendon se mund të bëhet ndonjëherë i varur. Ai është gjithashtu i vetëdijshëm se droga nuk e bën më të zgjuar, por vetëm e bën të ndihet në atë mënyrë. Ai ka gjithçka nën kontroll, kështu që nuk e kupton pse kokaina është e stigmatizuar më shumë se alkooli apo nikotina. Njerëzit bëhen me të vërtetë ‘histerikë’ kur flasin për kokainë, thotë ai.

Lukas mund të jetë ai tip njeriu që mund ta përdorë kokainën për qejf gjatë gjithë jetës pa krijuar varësi prej saj. Ose e kundërta. Ndjeshmëria e shumë njerëzve ndaj varësisë ka të bëjë me psikikën e tyre. Shprehja që përdorin mjekët është "personalitet i varur".

Lukas mund të arrijë moshën 50 vjeç duke qenë si kokrra e mollës, ose mund të marrë ndonjë goditje dhe të vdesë. Ataku në zemër është një nga efektet e mundshme afatgjata që mund të shkaktohen nga kokaina. Ndryshe nga marijuana, apo hashashi, kokaina nuk e qetëson përdoruesin. Ajo i shkund ata, bën që zemra të punojë fort duke sulmuar kështu zemrën dhe trurin.

Zyrtarisht 93 njerëz vdiqën në 2018 vetëm në Gjermani nga përdorimi i kokainës. Më shumë se nga overdoza vdekja e tyre u shkaktua nga shkatërrimi i sistemit kardiovaskular. Në shumë raste, askush nuk dyshoi se ishte përdorimi i kokainës që ishte rikthyer për të përndjekur viktimat e tij shumë vite më vonë.

Të gjithë e përdorin

Për ekspertë si kritiku i drogës Rainer Thomasius nga Qendra Mjekësore Universitare Hamburg-Eppendorf, kjo është ajo që e bën kokainën një rast kaq të ngatërruar: të gjithë mund të reagojnë ndaj saj në mënyra të ndryshme. Thomasius thotë se kjo drogë ka një "potencial të lartë për varësi psikologjike". Për këdo që dëshiron t'i shpëtojë realitetit të përditshëm dhe të jetojë në një botë në të cilën gjithçka duket se shkon vaj, kokaina mund të jetë një zgjidhje joshëse. Ajo mund të ofrojë një përvojë relaksuese, duke e shpënë përdoruesin në realitete të ndryshme sa herë që ai dëshiron.

Sidoqoftë, jo më shumë se 10 përqind e njerëzve që marrrin kokainë konsiderohen përdorues të rregullt - ata që e marrin drogën më shumë se 50 herë në vit. Shumica janë përdorues të rastit, njerëz që kanë një jetë, një punë ose familje. Ata janë menaxherë, politikanë, profesorë, krijues. Ju nuk do mund t'i dallonit në shikim të parë se ata përdorin kokainë. Në fakt, nuk do ta vini re as në një shikim të dytë. Për të qenë të sigurt, do ju duhej të ekzaminoni septumin e tyre të hundës për vrima.

Fakti që këta njerëz duket se e kanë nën kontroll përdorimin e kokainës, e nuk është kokaina që i ka nën kontroll ata, mund të jetë edhe për shkak se kjo drogë është e shtrenjtë. Shumë njerëz nuk mund ta përballojnë atë deri në momentin që kanë mundësi të fitojnë para. Për disa kjo mund të ndodhë nga mosha 20 deri 25 vjeç. Deri në atë pikë, sipas Thomasius, personaliteti i një personi është më i zhvilluar dhe rreziku i tyre nga varësia është më i ulët. Megjithatë, herë pas here ka përdorues të rinj që gënjejnë veten pasi kanë përdorur kokainë për një periudhë të shkurtër kohe. Pas disa vitesh këta njerëz nuk mund të përqendrohen në asgjë tjetër veç dozës së radhës që duhet të marrin.

Një jetë në varësi

Nuk u desh shumë kohë që Floriani, një student nga Berlini, të bëhej një nga këta shpirtra të humbur. Emri i tij i vërtetë nuk është Florian, por ai nisi të marrë drogë kur ishte 20 vjeç dhe u përfshi në këtë aventurë gjatë frekuentimit të klubeve të natës në Berlin, ku tregtarët e drogës qendrojnë shpesh para derës së banjove. Për tre vjet Floriani ishte një përdorues i rregullt i kokainës. Sot ai e kupton se zakoni i tij nuk është i qëndrueshëm dhe rrezikon të bëhet një njeri i varur plotësisht nga droga.

“Sa më shumë marr prej kësaj droge, aq më besim kam te vetja. Ajo më bën më të shkathët”, thotë ai. Një herë ai po qendronte me disa miq në një bar në Hamburg. Në tavolinën tjetër ishin ulur disa anglezë që dëshironin të flisnin. Floriani nisi të sillej vrazhdë me ta dhe kënaqej me përgjigjet e tij të pahijshme.

“Më pëlqeu që po nxirrja në pah arrogancën time. Unë isha ai djaloshi ‘cool’ që kishte përdorur një drogë ‘flakë fare’. Dhe unë vazhdoja të sillesha në këtë mënyrë edhe kur nuk isha nën efektin e saj”, thotë Floriani. Ai ishte i paduruar, i ftohtë, përçmues. "Unë mezi i duroja miqtë e mi ndonjëherë. Për të tjerët nuk bëhej fjalë".

Ngjashëm me Lukën, edhe Floriani e konsideronte veten në fillim një përdorues të matur. Pastaj nisi të vinte re se si jeta e tij po sillej gjithnjë e më shumë rreth kokainës. Ai kujton kohën kur ishte pjesë e një familje të bashkuar, i ulur në oborrin e një shtëpie në një tryezë me ushqim, pije dhe shoqëri të mirë, një atmosferë të këndshme, "dhe pastaj unë e kapa veten duke menduar se sa e mirë do të ishte një vizë kokainë në ato momente".

Floriani i urren momentet kur kokaina merr kontrollin e mendimeve të tij dhe nuk do ta lëshojë. Ai dëshiron që ta marrë përsëri kontrollin. Ai thotë që ka marrë kokainë vetëm një herë që nga janari. Por përse ta lërë fare? Gjysma e personave në departamentin e tij të filozofisë marrin kokainë, thotë ai. Pastaj është një prej miqve të tij, i cili punon në një kafene, që thotë se nuk do mund të qëndronte dot në kuzhinë për shumë kohë pa marrë herë pas here ndonjë vizë. Edhe mamaja e një miku të tij që punon në një agjenci merr gjithashtu kokainë. Edhe një i njohur i babait të tij, një biznesmen. Të gjithë e bëjnë këtë, thotë Floriani, dhe cilësia e mallit është e mirë. Plus që është shumë e lehtë për ta gjetur.

*Përktheu për Politiko.al: Marsel Lela

Të fundit