Pas 30 qershorit, Rama, Balla dhe Ruçi “ndajnë” Shqipërinë në tri pjesë, kryeministri ka veriun

I pyetur për propozimin e presidentit Ilir Meta që 13 tetori të jetë dita e zhvillimit të tre palë zgjedhjeve, ato lokale, presidenciale dhe të përgjithshme të parakohshme Rama tha se këtë ditë e njeh si çdo ditë të zakonshme. Pas mbledhjes së Kryesisë, Rama tha se PS është e fokusuar në ngritjen e tri këshillave në tre rajone në Shqipëri, që do të drejtohen nga vetë Rama, kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor, jemi shumë të angazhuar për të nisur mbarë procesin e qeverisjes vendore, për këtë kemi ngritur tre këshilla drejtues. Konkretisht në rajonin e veriut jam unë, në atë të mesëm do jetë Taulant Balla, në Jug nga kreu i Kuvendit. Ky është fokusi jonë. Ne e kemi sfidën me problemet e njerëzve. jo me presidencës apo opozitës jashtë. Në tre rajone kemi ngritur tre këshilla me prani të krerëve të bashkive dhe krerëve të degëve të PS. Në këto tryeza do diskutohet në mënyrë të përmuajshme për probleme që lidhen me funksionimin e institucioneve të qeverisjes vendore, të qeverisë në territor, drejtori, agjenci, institucione. Aty ku ka drejtuar e djathta nuk do ketë asnjë abuzim me burimet njerëzor, nuk do preket asnjë punonjës grua dhe për çdo lëvizje do jepen argumente të qëndrueshëm me propozim të krerëve të bashkive”, sqaroi Rama.