Flash News

KRYESORE

Përfundon mbledhja e Kryesisë, Spiropali: Zgjedhjet më 30 qershor. PD dhe LSI kanë dalë nga sistemi

Përfundon mbledhja e Kryesisë, Spiropali: Zgjedhjet më 30

Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, njëkohësisht ministre për Parlamentin, ka folur pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, duke shprehur vendosmërinë se zgjedhjet lokale do të organizohen më 30 qershor. Spiropali tha se PD dhe LSI kanë vendosur të dalin nga sistemi politik, ndërkohë PS po punon për të garantuar një proces zgjedhor për shqiptarët.

“PD, LSI dhe disa parti të tjera të ‘koalicionit të mospjesëmarrjes’ kanë vendosur të dalin nga sistemi politik. Megjithatë, ne jemi këtu, jemi mbledhur si kryesi e PS dhe kemi diskutuar për zgjedhjet e 30 qershorit, qark më qark, bashki më bashki, lagje më lagje, sepse jemi të vendosur për të garantuar një proces zgjedhor për shqiptarët dhe me shqiptarët, tha ajo.

Sipas Spiropalit, PD dhe LSI kanë vendosur të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor pasi ndihen të frikësuar.

“Ne nuk do të shkojmë në zgjedhje pa opozitën. Ata nuk janë opozita e vendit, janë disa parti politike që kanë vendosur të mos marrin pjesë në sistem. Nuk ka qenë zgjedhja jonë, as kërkesa jonë dhe në fakt nuk është as dëshira jonë që PD dhe LSI të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor, ama, atë vendim e kanë marrë prej frikës, por arsyeja jonë përket me interesin e përgjithshme që shqiptarët të kenë zgjedhje më 30 qershor”, u shpreh Spiropali.

Duke e konsideruar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve, bazuar në Kushtetutë, Spiropali paralajmëroi kundër çdo akti dhune.

“Ne nuk jemi këtu për të diskutuar, për të vendosur datën e zgjedhjeve, këto janë procese kushtetuese. Në dijeninë tonë janë rreth 42 parti politike që janë regjistruar në zgjedhje. Shumë prej këtyre partive do të jenë në koalicion me ne apo në koalicionin përballë. Ne nuk do marrim pjesë në luftë, ne do të marrim pjesë në zgjedhje. Shpresojmë që asnjë forcë politike nuk e ka lënë mendja që të mos lejojë shqiptarët të votojnë apo përmbysë rendin kushtetues. Çdo akt dhune është i papranueshëm dhe do të marrë përgjigjen që meriton”, tha zëdhënësja e PS.

Në fund, Spiropali shtoi: “Është një turp që PD ka zgjedhur t’i lërë në rrugë zgjedhësit e saj. Keqardhje e madhe dhe turp për ato parti që kanë marrë vendimin për të lënë votuesit në rrugë.”

Të fundit