Flash News


Rajoni

"Jeni rrezik për sigurinë e vendit", zbardhen dëshmitë e dy shqiptarëve që u dëbuan nga Serbia

"Jeni rrezik për sigurinë e vendit", zbardhen

Dy shqiptarët, të cilët janë dëbuar nga Serbia me argumentin se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, kanë zbardhur detaje nga ndalimi në Beograd.

I dëbuari Gazmir Memaj tha se janë ndaluar në hollin e hotelit ku po qëndronin për tu shoqëruar më tej në komisariat, nga ku mohon që t’i jetë komunikuar edhe arsyeja e ndalimit.

“Pas rreth 20 minuta pritje të tensionuar në holl, dy persona pa uniformë, na kërkuan të shkonim në komisariat. Tek makina, e cila ishte makinë private dhe jo policie, u shoqëruam unë dhe kolegia e Help Shqipëri, Edlira Lilaj. Rruga për në komisariat më ngjalli vërtetë frikë, pasi ishim të shoqëruar nga dy persona pa uniformë, në një makinë private që po më nxirrte nga qyteti, dhe meqë nuk e dija as rrugën as vendin, kisha ndjesinë që po më kanosej jeta”, tha Memaj për Abcnews.

“Kur arrita të dalloj godinën e komisariatit, u qetësova dhe mendova se tani sido që të shkonte puna, isha në një institucion shtetëror. Edhe në komisariat nuk vura re uniforma. Nuk është ofruar përkthim në gjuhën shqipe. Me efektivët komunikova në anglisht pasi u thashë që nuk dija serbisht. Megjithatë, dokumenti që tregon ndalimin dhe mos lejimin e hyrjes ne territorin serb për një vit, mu dha ta firmosja në serbisht”, tha ai.

Ndërsa Edlira Lilaj tha se hapi i radhës thotë se do të jetë apelimi pranë Ambasadës së Serbisë në Shqipëri.

“Arsyen e ndalimit nuk na e thanë në asnjë moment. Në shkresën që na dhanë për t’u firmosur ( në serbisht) thuhet se jemi rrezik për sigurinë e vendit. Përmendet një nen i një ligji te shkresa, por në të vërtetë nuk na kanë dhënë arsye ose baza mbi ndalimin. Hapi i radhës është apelimi pranë ambasadës së Serbisë në Shqipëri”, tha Lilaj.

Ndërkohë, mbi 300 organizata ndërkombëtare kanë dënuar veprimin e Serbisë.

Sipas tyre, këto akte, sinjalizojnë armiqësinë në rritje të qeverisë serbe ndaj aktivistëve, të cilat nxiten edhe për shkak të protestave në të cilat është përfshirë Beogradi.

 

Të fundit