Flash News

OP-ED

Samiti në Paris: pozita e vetmuar e Serbisë

Samiti në Paris: pozita e vetmuar e Serbisë

Ana Otasheviç/ Demostat

Ideja për shkëmbimin e territoreve, si mundësi për të arritur një marrëveshje afatgjatë mes Beogradit dhe Prishtinës, dështoi. Këtë e tregoi edhe video-samiti në Paris mes presidentit Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesit të pushtetit në Prishtinë, Avdullah Hoti me Emanuel Makronin dhe Anxhela Merkelin si ndërmjetës.

Mbledhja ishte në nivelin më të lartë, gjë për të cilën flet edhe fakti se në takim morën pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë Xhozef Borel dhe i dërguari special i BE-së për diaogun dhe çështjet rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Ky ishte një takim i radhës, pas disave syresh, që tregoi se dialogu është i pamundur. Pozicionet e të dyja palëve janë të papajtueshme: pala shqiptare kërkon që Serbia ta njohë Kosovën, pala serbe përgjigjet se në këtë rast bëhet fjalë për “ultimatum”. Kthimi i delegacionit serb të shtunën në Beograd dhe shtyrja e takimit të të dy delegacioneve, që duhej të mbahej të dielën në Bruksel, flet për mosssuksesin e mbledhjes së Parisit.

Nga takimi në Paris nuk është se ndokush priste shumë. Qëllimi i Parisit dhe i Berlinit ishte që zgjidhja e këtij konflikti politik shumëvjeçar të kthehej në tryezën e bisedimeve europiane gjë që krijon edhe terren për vazhdimin e bisedimeve. Takimi u organizua me ftesë të presidentit francez, në kuadër të iniciativës franko-gjermane për të rinovuar dialogun e ngrirë të Brukselit, i cili u ndalua pasiqë Prishtina, në muajin nëntor të vitit 2018, vendosi taksa doganore njëqind përqind ndaj mallrave që vinin nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës në muajin prill të vitit 2019 pranuan të rinovohen bisedimet nën patronatin e Francës dhe Gjermanisë. Samiti i Berlinit që u mbajt atëbotë nuk dha rezultate, gjë që bëri të shtyhej takimi i radhës në Paris. Video-samiti që i pasoi takimet që pati presidenti francez me secilën palë, me Hotin dhe Vuçiçin, është vazhdim i kësaj inicitive europiane.

Qëllimi përfundimtar i këtyre bisedimeve është që Serbia të njohë Kosovën. Bashkimi Europian nuk ka lëvizur më tej nga premtimet për të shpërblyer palët me antarsim në BE. Ky ishte edhe qëllimi i dialogut të Brukselit që dështoi, dhe kësisoj situata e tanishme është kthim në status quo.

Presidenti francez dhe kancelarja gjermane u kënaqën me deklaratën në të cilën nënvizohet se “Vuçiçi dhe Hoti u morën vesh për të vazhduar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “Bashkimi Europian do të mundësojë që dialogu, me synimin normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet arritjes së një marrëveshje juridiko-detyruese”. Makroni dhe Merkeli do të thërrasin një samit të ri “nëse do të jetë e nevojshme”, në “fazën e mëtejshme të bisedimeve”. Vuçiçi dhe Hoti nuk dhanë deklaratë të përbashkët, sepse pozicionet e tyre janë të papajtueshme. Këtë e tha edhe presidenti Vuçiç, duke pranuar se pozita e Serbisë është e vetmuar. “Serbia është e vetmja që ka qëndrim të ndryshëm”, tha Vuçiçi.

Zgjidhja mbi “shkëmbimin e territoreve”, që ishte temë e bisedimeve me Hashim Thaçin, nuk është më në tryezë dhe Serbia nuk ka tashmë një strategji të bisedimeve, përveç asaj që “të bisedojmë për hapa të vegjël” që do të shpien deri te “lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”, në mënyrë që të krijohen “kushte më të mira për njerëzit që jetojnë në Ballkan”. Ideja për të rregulluar situatën ekonomike para se të arrihet një marrëveshje politike, në thelb është iniciativa mbi “Shengenin e vogël” dhe asaj amerikane mbi zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës, si “hap i parë për këtë konflikt shumëvjeçar politik”, sikurse shkruante në Tuiter i dërguari special i presidentit të SHBA-ve për bisedime mes Serbisë dhe Kosovës, Riçard Grenel, i cili në fillim të këtij viti ndërmjetësoi marrëveshjen për vendosjen e qarkullimit ajror dhe hekurudhor mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përfundimin e autostradës. Asnjë prej këtyre ideve nuk u materilizua në realitet, njëlloj si edhe shumë marrëveshje që kanë nënëshkruar të dyja palët vitet e kaluara.

Greneli u përpoq të shfrytëzojë vakuumin që u krijua pasiqë bisedimet e Brukselit u ndëprenë dhe t’ua marrë europianëve rolin e ndërmjetësuesit, gjë që përfaqësuesit europianë e quajtën “Rambo diplomaci”. Ideja e tij për të sjellë Vuçiçin dhe Thaçin në Shtëpinë e Bardhë në mënyrë që të arrijnë “marrëveshjen historike” dështoi tri ditë para takimit të lajmëruar të 27 qershorit, kur u njoftua për akuzën kundër Thaçit.

Se çfarë nënkuptonte ajo marrëveshje nuk dihet, por supozohet se në bisedime me amerikanët do të bëhej fjalë për shkëmbim territoresh. Greneli e mohoi një gjë të tillë në një intervistë dhënë TV amerikan Foks Njuz, duke i’a mveshur këtë ide ide këshilltarit për sigurinë kombëtare Xhon Boltonit. Boltoni i’u përgjigj kësaj deklarate se kjo ide nuk është e tij, porse “liderët e Serbisë dhe Kosovës e kanë kërkuar një gjë të tillë” në vitin 2018. Kjo përgjigje ishte për të e pranueshme sepse besonte se në këtë mënyrë zvoglohej “përfshirja e rusëve”.

Obsesioni nga ndikimet ruse, kineze dhe turke në Ballkan është edhe një prej nxitësve kryesorë të Bashkimit Europian për bisedime me Beogradin dhe Prishtinën.

Ideja për “shkëmbimin e territoreve” për njëfarë kohe ishte e pranueshme edhe për diplomacinë franceze. Për të është biseduar nëpër koridoret e konferencave ndërkombëtare, në takimet dhe darkat jozyrtare. Megjithatë, kancelarja gjermane, që në fillim ishte kundër. Komentatorët në Francë shprehen se Makroni më në fund e braktisi këtë ide dhe lejoi që kancelarja gjermane të thoshte fjalën kryesore.

Burime nga gazeta Figaro shprehen se as Xhozef Boreli nuk ishte kundër idesë për shkëmbimin e territoreve, por ajo tashmë nuk është aktuale, pasiqë Thaçi nuk është më në lojë. Topi tashmë është në oborrin  europian, por Gjermania dhe Franca duhet të marrin parasysh edhe qëndrimet e Rusisë dhe Kinës. Burime diplomatike nga pallati Elizè shprehen se rusët qëndrojnë mënjanë dhe deri tani nuk kanë shfaqur shenja kundërshtimi për ndërmjetësimin europian. Bashkimi Europian ka mandatin për të ndërmjetësuar në bisedime, mbi bazën e Rezolutës së Kombeve të Bashkuara, gjë që e theksoi edhe ministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov pas takimit me Vuçiçin në Beograd me 18 qershor.

Për Bashkimin Europian ky është test aftësie për të bërë politikë të jashtme në mënyrë të pavarur dhe për t’i zgjidhur vetë problemet në oborrin e saj. Gjermania ka marrë kryesinë e Bashkimt Europian, por prioriteti i saj është rinovimi i Unionit pas krizës shëndetsore.

Bisedimet e rinovuara nën patronatin europian zhvillohen në kushtet që nuk paralajmërojnë se zgjidhja është në horizont.

Zgjidhja e nyjes kosovare do të duhet të presë disa rrethana të reja dhe, gjykuar nga të gjitha gjasat, edhe disa liderë të tjerë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit