Shoku im i ngushtë… varfëria!

Agim Xhafka

Varfërinë kisha shokun më të ngushtë deri në universitet. Nuk më ndahej, ngjitur e ngjitur përditë. Doja këpucë të reja,më jepte ca të vjetra që fusnin ujë dhe në kohë me diell. Ëndërroja xhaketë,më sillte tuta. Gëzohesha se ishin me zinxhir si fillim.

Pastaj qepte nëna dy iliqe dhe i vinte dy kopsa të zeza. Kur niste dimri prisja pallto, por brenda tutave vishja bluza të vjetra e vrapoja. Ah, sa vrapoja që të ngrohesha,të më delte një bulëz djerse nga zjarri i madh i zemrës që trokëllinte.

Mëngjeseve dëshiroja një vezë të mbytur në vaj,ikja në shkollë me bukën mbushur me sheqer e ca pika uji të çezmës sipër. Vija plot uri ne drekë e thuajse nuk mungonte një supë orizi me domate që lundronin sipër. Darkave buka lyhej me marmallatën e shkrirë në ujë.

Librat i doja,i ruaja edhe nga era. I fusja në gjoks mos i kapte shiu dhe kur dielli qeshte rrinin në një çantë bezhë qepur prej një cope prerë nga çarçafët e holluar të shtëpisë. Çantë pe lecke,më qeshnin shokët.

Gjumin e kujtoj me një gotë uji në komodinë dhe kur zgjoheshim ishte bërë akull. Flinim tre fëmijët dhe gjyshja në një krevat. E përqafoheshim aq fort sa ftohtësia na ikte dhe flinte te gota e ujit.

Varfëria nuk të flet. Varfëria të godet. Është si gjarpéri,të pickon kur je zbathur. E shihja që ky gjarper ia prishte humorin babait,ia hiqte gazin nënës,trishtonte gjyshen. Por nga që nuk e fshihnim jetonim me të si me një pjesëtar familje. E dinim që do kishim uri, etje,ftohtë,neps,zhgjëndra. E dinim dhe nuk e harronim.

Vraponim kur kishim ngricë,futnim këmbët në qese kur binte shi,hanim ngadalë,ngadalë nga që besonim se do ngopeshim më shumë. E kryesorja mësonim shumë. Çdo lëndë,çdo detyrë,çdo ushtrim thuajse e fusnim me forcë në tru. Se një notë e mirë sillte kaq hare në shtëpi,sillte kaq dritë dhe besonim që varfëria i kishte frikë librat,si errësira që i trembet diellit.

Shumë vonë varfëria,shoku im,u largua prej meje. Ikja solli gëzim. Por edhe trishtim. Se iku kur ikën dhe babai e nëna. Nuk jetuan një ditë pa varfëri. S’patën faj,por s’patën dhe fat. Shyqyr që nuk u ndaluan edhe nga ëndërrat. Se në ëndërra nëna ishte pa frena. Babai më i matur,por nepsqar për pak kos deleje.Ah ,kur do e kem një tas ta pres me thikë,thoshte përherë.Dhe kaq pak nuk e provuan. Se mos vetëm ata. Gjithë brezi i tij, krejt gjenerata e varfërisë. I pickoi keq ai gjarpër,u helmoi tërë jetën…