Flash News

KRYESORE

Situatë kaotike në Kakavijë, udhëtarët 3 ditë në temperatura të larta dhe radhë kilometrike; apel autoriteteve: E turpshme, të merren masa!  

Situatë kaotike në Kakavijë, udhëtarët 3 ditë

Prej tri ditësh qytetarë të shumtë presin në radhë të gjata në doganën e Kakavijës për të kaluar kufirin drejt Greqisë.

Pasi kaluan natën në tokën neutrale, me mijëra makina vazhdojnë të presin në radhët e gjata, duke regjistruar një trafik kilometrik deri në Jorgucat.

Shkak për këtë situatë është bërë kërkesa e palës greke për tamponët ndaj Covid 19 që u bëhen qytetarëve në kufi, para se të kalojnë në shtetin helen.

Po ashtu, gjatë natës kufiri ka qenë i mbyllur si një nga masat e Greqisë, duke bërë që radha e trafikut të shkojë 22 km, një situatë që nuk është shënuar asnjëherë më parë.

Një tjetër problematikë e kësaj situate të krijuar rrezikon që disa tamponë të jenë jo më të efektshëm për ata personat që e kanë kryer, nëse nuk kalojnë brenda ditës, pasi vlefshmëria e tyre zgjat vetëm 24 orë.

Po ashtu, dyndja lidhet edhe me faktin se në 16 gusht në Greqi hyn në fuqi një tjetër vendim sipas të cilit çdo person që kalon , duhet të karantinohet 7 ditë.

Kjo situatë ka sjellë më shumë vështirësi për fëmijët dhe të moshuarit, ku disa prej tyre për shkak të qëndrimit për orë të tëra kanë shfaqur edhe probleme shëndetësore.

Reagimet

Meta: Thellësisht i shqetësuar! Qeveria e min. e Jashtme të marrin masa urgjente

Presidenti Ilir Meta ka reaguar i shqetësuar mbi situatën e krijuar në pikën kufitare të Kakavijës, për shkak të radhëve kilometrike të krijuara prej tre ditësh.

Meta i ka drejtuar një thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit.

“Thellësisht i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë të cilët vijojnë të jenë të bllokuar prej shumë orësh në pikën kufitare të Kakavijës, duke u ekspozuar seriozisht para rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19.

I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit.

Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme!”, shkruan Meta, shoqëruar edhe me një video nga gjendja aktuale.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda: Lleshaj dhe Cakaj të ndërmjetësojnë me grekët

“ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi po ndjek me shqetësim situatën në pikën kufitare të Kakavijës, që për shkak të marrjes së masave anti COVID19, ka shkaktuar vonesa e vështirësi në kalimin e qytetarëve shqiptarë në Republikën e Greqisë.

Radhët e gjata, temperaturat e larta dhe mungesën e shërbimeve të higjienës e ndjejnë më shumë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe njerëzit me probleme me shëndetin.

Në këtë kontekst, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit Ministrinë e punëve të Brendshme dhe të Jashtme të marrin masa pozitive të përkohshme për familjet që kanë në brendësi këto kategori, për kalimin e menjëhershëm të kufirit.

Po kështu, ministritë të ndërmjetësojnë me autoritetet greke për rritjen e numrit të personave që kalojnë kufirin, për t’iu përgjigjur situatës së pazakontë në pikën kufitare të Kakavijës.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson rëndësinë e masave pozitive të përkohshme, në përputhje me protokollet e OBSH për luftimin e pandemie COVID19, për të gjetur një pikë mirëkuptimi me qytetarët dhe autoritetet”, reagoi Gajda.

Ministri Lleshaj: Qytetarët të informohen para se të udhëtojnë

“Procedurat e reja të testimit për Covid-19 në kufirin shqiptaro-grek kanë krijuar radhë të gjata bashkë me problemet e pashmangshme shoqëruese.

Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar.

Në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme po bëhen përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.

Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetareve që të informohen për gjendjen në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë përpara se të ndërmarrin udhëtim drejt tyre, me qëllim që të shmangen sa të jetë e mundur pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta”, reagoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Ministria e Punëve të Jashtme: Testi të kryhet në institucionet shqiptare dhe të përkthehet në anglisht

MEPJ njoftoi se pala greke pritet të marrë masa të tjera për lehtësimin e situatës deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit, ndërsa apelon shqiptarët që tamponi të kryhet edhe në institucionet e licencuara shqiptare dhe ta përkthejnë më pas përgjigjen në anglisht, me qëllim lehtësimin e situatës.

“Me qëllim përballimin e situatës dhe lehtësimin e lëvizjes që qytetarëve shqiptarë janë kontaktuar në vijimësi autoritetet greke të cilët kanë shtuar personelin shëndetësor në Pikën Kufitare të Kakavijës. Së fundi pala greke ka njoftuar se do të marrë masa të tjera për lehtësimin e situatës deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit.

Risjellim në vëmendje se shtetasit shqiptarë mund ta kryejnë testin edhe në institucionet e licencuara shqiptare dhe ta përkthejnë përgjigjen në anglisht. Ky testim njihet edhe nga autoritetet greke dhe do ta lehtësonte më shumë situatën”, deklaron MEPJ.

https://politiko.al/situata-ne-kakavije-biberaj-e-turpshme-kjo-qe-po-ndodh-jemi-pa-qeveri-dhe-pa-ministri-te-jashtme/

Të fundit