KRYESORE

"S’jemi në komunizëm", Ahmetaj flet për abuzimet me paratë e rindëtimit

"S’jemi në komunizëm", Ahmetaj flet për abuzimet

“Procesi i rindërtimit po vijon me shpejtësi”, kështu iu është përgjigjur Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, akuzave dhe kritikave të opozitës referuar ndërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

Në një intervistë për “Real Story” një vit pas tërmetit të 21 shtatorit, i cili do të pasohej nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, Ahmetaj thekson se “megjithëse është i pamundur kompensimi i humbjeve të jetëve të njerëzve”, detyra morale e jona është “të lehtësojmë sa më shumë dhimbjen e tyre.”

Megjithatë, sipas ministrit kjo nuk do të thotë që procesi i rindërtimit mund të përmbyllet brenda 1 apo 2 ditëve.

Përtej retorikës së opozitës e cila do të gjejë vendin e vetë tek rindërtimi, unë me përgjegjësi zyrtare them që është proces shembull në aspektin e shpejtësisë por edhe në adresimin e çështjeve mikro, që janë familjet me dëme nga më të lehtat tek më të rëndat. Ne nuk do arrijmë kurrë të kompensojmë humbjet e njerëzve në ato dy ngjarje (tërmetet), por ne kemi për detyrë ta lehtësojmë sa më shumë dhimbjen e tyre. Në TV ka edhe dalje emocionale të qytetarëve që për shkak të padurimit të tyre emocional duket sikur janë lënë pas dore. Dua t’ju them që ka çështje që nuk mbarojnë për 1 apo 2 ditë. Procesi i rindërtimit është shembull. Mos harroni që janë bërë procedurat nga e para, ligjet nga e para, projektet prokurimet dhe fillimi i ndërtimit, gjetja e fondeve ishte një histori më vete, po ashtu edhe kuadrimi i buxhetit.

Ne kemi filluar të dorëzojmë çelësat e shtëpive individuale. Në 26 nëntor do ketë seri të tërë shkollash që do dorëzohen.

Ligji organik i rindërtimit ka katër programe kryesore programi i parë është ai granteve që janë para cash nga buxheti i shtetit për familjet me dëme nga DS1 në DS3, që marrin nga 1 milion deri në 5 milion lekë. Shuma e vlerësuar edhe në shpërndarje shkon 9,8 miliardë lekë. Ne i japim para bashkia ia jep individit që t’i bëjë dëmet vetë.

Është përgjegjshmëri kjo që po bëjmë ne. Qeveria iu gjend njerëzve ditën që kishin nevojë. A tu gjet në 26 nëntor? A po ta bën shtëpinë? Këtë pyetje ju bëj qytetarëve dhe sigurisht që qeveria iu gjend. Nga granti përfitojnë më shumë se 27 mijë familje”,  tha ai.

I pyetur nëse mund të ketë abuzime në rastet e dorëzimit të parave cash te qytetarët që do të duhet t’i riparojnë vetë dëmet? Ahmetaj theksoi se bashkia i monitoron qytetarët, por nuk i detyron dot ata të riparojnë dëmet.

“Bashkia e ka për detyrë të ndjekë punimet në këto shtëpi. Me të vërtetë i merr lekët por të vjen bashkia dhe të shikon. Shteti s’ka detyrë të vijë me detyrim dhe të të thotë rregullo murin e shtëpisë. Nuk jemi në komunizëm apo diktaturë t’i them bëj murin ose të arrestoj”, sqaroi ai.

Ditari politik

Të fundit