Flash News

KRYESORE

Sot dha dorëheqjen, çfarë deklaronte Sako kur mori mandatin: Të gjithë bashkë për Durrësin

Sot dha dorëheqjen, çfarë deklaronte Sako kur mori mandatin:

Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako ka dhënë sot dorëheqjen, duke mbajtur postin e kryebashkiakes për vetëm disa muaj.

Dorëheqja e saj vjen në kohën kur qyteti i Durrësit po kalon ditët më të vështira pas tërmetit shkatërrues që la pas shumë viktima.

Sako tha se shkak i dorëheqjes ishte pikërisht deklarata e 'hidhur' që ajo bëri dje për viktimat e tërmetit, që pati reagime të shumta dhe nuk u kapërcye lehtë nga qytetarët.

Pas deklaratës Sako pati një reagim tjetër për mediat ku sqaroi lapsusin.

"Qoftë edhe humbja e një jete është tragjedi për një komb. Dhimbje për 51 jetët e humbura, dhe e lumtur për shpëtimin e qindra mijërave të tjerëve"-tha ajo.

Ndërsa sot teksa njofton dorëheqjen shprehet:

E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës”, tha Sako në reagimin për dorëheqjen.

Edhe një tjetër deklaratë e Sakos pak më herët nuk ka kaluar pa reagime, teksa shprehej se të prekurit nga tërmeti po dergohen në hotele me 5 yje ku as për pushime s’kanë qenë ndonjëherë.

“Qytetarët paraqiten në bashkinë e Durrësit, krijojmë një lëvizje të organizuar me transport dhe i çojmë në hotele në kushtet më të mira. Janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjtë nuk do të mund t’i paguanin për pushime”.

Më datën 2 gusht Valbona Sakos ju dorëzua detyra nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako.

Pasi bëri betimin ajo falënderoi ish-kryebashkiakun Dako për punën e tij.

“Tashmë emocioni nuk është vetëm për mua, por për skuadrën tonë, që do të drejtojmë qytetin tonë të mirë, Durrësin. Realisht shoh që pjesa më e madhe janë të rinj, energjitë e të cilëve do të bëjnë ndryshimin. Para së gjithash dua të falënderoj paraardhësin tim, paraardhës i denjë, dhe sinqerisht ndjehem sa e emocionuar por edhe e vlerësuar që këtë detyrë e marr nga kryetari paraardhës, z. Vangjush Dako. Ndaj kërkoj një duartrokitje për të. Ta respektojmë siç i ka hije, një kryetar që punoi për 12 vjet për qytetin tonë.

Koha shënon sfida të reja dhe ne do t’i përgjigjemi këtyre sfidave, si vazhdim i zhvillimit të qytetit tonë të bukur, dhe pse jo mos ta bëjmë atë një qytet që të konkurrojë denjësisht qytetet turistike që kemi në rajon. Të gjithë bashkë do ta bëjmë me ide, me disponibilitet por edhe me dëshirën e mirë për të qenë aktiv në vendimet që do marrim.

Ndaj dëshiroj dhe uroj sot që të jemi sa më të dobishëm për qytetin tonë. Shumë faleminderit që jeni pjesë e imja, pjesë e qytetit.”- deklaronte Valbona Sako kur mori mandatin.

Të fundit