Flash News
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Alfred Lela
Tubimi i së hënës së 2 marsit të Ilir Metës, ish-kryeministër, ish-kryetar i LSI, ish-aleat i Sali Berishës dhe Edi Ramës; i zgjedhur President prej vullnetit të këtij të fundit, më shumë se një demonstrim i forcës, ishte ushtrim i simbolikave.
Si në asnjë tubim/miting tjetër politik në Bulevard, Meta e kishte vendosur 'shtabin e luftës së 2 marsit' në vijë të drejtë me institucionin e Presidencës. Me këtë kujdes ai kishte dashur të shfaqej presidencial, edhe pse jashtë zyrës së kreut të shtetit, duke ruajtur një afri domethënëse sigurie institucionale me selinë ku ai kryen aktivitetin e përditshëm.
Ai nuk kishte harruar pa sjellë në skenë edhe relikte të tjera të zyrës së lartë, si tryezën e firmosjes së dekreteve, por edhe foltoren presidenciale, ku ai shumë herë i është drejtuar shtypit dhe nëpërmjet tij popullit.
Ka qenë pikërisht kjo tryezë ku Meta është ulur për të firmosur 'rrëzimin' e ligjit të 'betimit' hartuar nga mazhoranca pas përplasjes së qeverisë dhe presidencës për gjykatësit.
Kordial, ceremonial dhe simbolik është dëshmuar Presidenti edhe me përzgjedhjen e folësve përkrah në podiumin e manifestimit. Një sportist shqiptar i lindur në Gjermani, një gjykatës i lartë i Strasburgut, një karikaturist popullor, një aktor [pjesë e përpjekjes për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar], një studente nga Tirana dhe një ish-ambasador, ka qenë 'dekori presidencial' i Metës me qëllimin e përfaqësimit të asaj që, jo pak vetë ia kritikuan si përmasë të munguar të manifestimit, para edhe se të ndodhte, unitetin e popullit. Ai u mundua të siguronte një 'arkë të Noes' me 'specie' përfaqësuese të popullatës.
Çuditërisht, edhe pse e ka quajtur 'Besëlidhje kuq e zi', duke e lidhur me 2 marsin, datën kur kryezotët e Arbërisë u mblodhën në aleancë në Lezhë, Presidenti nuk kishte marrë përkrah asnjë 'princ' nga Kosova apo nga trojet shqiptare në Ballkan. Kjo i mbet' një përmasë e munguar 'besëlidhjes kombëtare' të Metës.
Për të tulatur një kompleks tjetër, atë se amerikanët i ka kundër, Meta kishte 'porositur' si pjesë të dekorit edhe një flamur të madh të ShBA, i cili i valëvitej vazhdimisht pas, duke u kthyer në një backdrop të siluetës së tij që jepte e merrte me manifestuesit. Nuk ka mjaftuar kjo, pasi vetëm pak minuta më vonë ambasadorja Yuri Kim e ka 'de-amerikanizuar' me një ftohtësi brutale 'Besëlidhjen' e Metës.
Si një grishje për të djathtën, e cila përbënte në fakt shumicën e popullit në atë pjesë të bulevardit para Metës, ka futur në punë edhe dy simbolika të asaj ane të spektrit, ku ai nuk ka bërë pjesë kurrë: dy gishtat dhe frazën aq berishiane "Zoti e bekoftë Shqipërinë!".
Presidenti e ka hapur dhe e ka mbyllur manifestimin me këto dy shenja të marra hua nga repertori i së djathtës, dhe ndoshta kjo ka qenë 'besëlidhja' e vetme që ka arritur Ilir Meta më 2 mars: një koalicion të ardhshëm me Partinë Demokratike, një model që e kemi parë njëherë në vitin 2009.