Flash News

OP-ED

Virusi që infektoi tregun

Virusi që infektoi tregun

Milovan-Misha Brkiç/ gazeta 'Danas'

“Kjo do të jetë një makth”, shprehet Vili Shih, profesor në Harvard Business School. “Jemi të shqetësuar”- thotë Volkmar Dener, drejtor ekzekutiv i kompanisë Robert Bosch GmbH. “Po përgatitemi për një mjedis të vështirë dhe të pasigurt ekonomik”- thotë Ben van Burden, drejtor ekzekutiv i kompanisë Royal Dutch Shell.

Bota lëkundet mes frikës dhe shqetësimit. Të gjithë janë të kujdesshëm, askush nuk vrapon, por ankthi rritet dita-ditës.

As Brexit-i, as Plani paqesor i SHBA-ve për Lindjen e Afërt, as gjykimi në Senat i Trampit, asnjë prej tyre nuk e ka atë potencialin për ndikim (negativ) global siç e ka koronavirusi.

Treguesi për këtë pohim u pa qartë në tregjet financiare që në ditën e parë të punës së muajit shkurt- Bursa në Shangai fshiu nga vlera e aksioneve 400 miliard dollarë si pasojë e rënies së indeksit referent të “Shanghai Composite” me 7,7 % (rënia më e shpejtë njëditore që nga gushti i vitit 2015), ndërsa në Bursën e Nju Jorkut rënia e indeksit të “Dau Xhons Industry” me 3,7%, fshiu tërë fitimin e investitorëve të realizuar në muajin janar të vitit 2020.

Ditën e fundit të punës së muajit janar indeksi S&P shënoi javën më të keqe që nga tetori 2019.

Edhe sikur të mos kishte tregues të tjerë, sinjalet nga Nju Jorku dhe Shangai, të shkaktuar nga përhapja e epidemisë së koronavirusit, janë të mjaftueshëm për shqetësim të rritur të të gjithë prodhuesve botërorë të mallrave të ndryshme (nga automobilët, veshjet, ushqimet dhe telefonët celularë, e deri te kremërat për fytyrën), tregtarëve, investitorëve, transportuesve, hoteljerëve.

Kësisoj, kriza shëndetsore kineze po teston edhe një herë sistemin ekonomik global dhe në mënyrë të papritur po e mbingarkon lulëzimin e tij të brishtë.

Matja e ndikimit të saj makroekonomik varet shumë nga vënia nën kontroll e sëmundjes, dhe askush nuk e di se kur gjërat do të fillojnë të kthehen në normalitet. Nëse vazhdon të përhapet epidemia (dhe në javën e parë të muajit shkurt kështu dukej), mund të kërcënohen industri të tëra si dhe zinxhirë furnizimi të ekonomisë në të gjithë pikat e rruzullit tokësor.

Epiqendra e epidemisë Vuhan dhe provinca Hubei (60 milionë banorë) janë qendra vitale të zinxhirit global të furnizimeve dhe ndërsa janë në karantinë, kjo kërconon industritë që prodhojnë pothuajse gjithçka- nga automobilët deri të gjëja e gjallë. Analiza e CBNC ka treguar se për një javë kur është folur për rezultatet e biznesit të 27 kompanive (ndër të cilat edhe Apple, Starbucks, McDonald’s), është përmendur fjala “koronavirus”.

Investitorët qeshen hidhur: “Nga aksionet e kompanisë Tesla Inc rriten shpejt vetëm rastet e koronavirusit”. Njëlloj është puna edhe me shërbimet. Pasojat më të dukshme tashmë ndjehen në mënyrë të veçantë në qarkullimin ajror, por edhe ndalimi i transportti hekurodhor rus drejt Kinës, paralajmëron ndërlikime të mëtejshme. Disa nga kompanitë më të mëdha të aerotransportit i kanë hequr fluturimet drejt Kinës- American Airlines, Delta, United, British Airways, Lufthansa, Qantas, Qatar Airways, Singapor Airlines, Ural Airlines, Air Kanada, China Eastern Airlines... kanë ndërprerë gjithsejt 25.000 fluturime drejt Kinës dhe shitja e biletave të udhëtimit me avion është ndalur plotësisht.

Cilat janë vlerësimet e ndikimit të epidemisë së koronavirusit në ekonominë kineze e pastaj atë botërore?

Përsa i përket Kinës, si “Ditë D” tani shënohet 10 shkurti, kur pushtetit kinez do t’i duhet të dorëzohet para dilemës nëse pushimi i zgjatur “Viti kinez hënor”, plus një javë pushim për shkak të epidemisë, apo fabrikat të fillojnë nga puna. Pra, të hënën me 10 shkurt, do të shihet sesa ekonomia kineze është “rezistente” ndaj këtij lloji të ri virusi.

Por gjendja e ekonomisë kineze nuk ishte e mirë edhe para shpërthimit të epidemisë në Vuhan. Ajo filloi të sëmurej në mesin e vitit të kaluar, duke u përballur me tensionet (edhe humbjet) në luftën tregtare me SHBA-të por edhe me ngadalësimin e prodhimit dhe rënien e kërkesave në vend (gjeneratori kyç i rritjes). Të dhënat zyrtare flasin se rritja PBB në Kinë në vitin 2019 (6,1%) do të jetë më e ulëta që nga viti 1990. Këto probleme të trashëguara, disa analistë, i lidhin edhe me “pushimin e zgjatur” për shkak të epidemisë.

Janë izoluar 14 krahina dhe qytete që krijojnë më shumë se një të tretën e ekonomisë kineze. Ka analistë që besojnë se, nëse epidemia do të përshkallëzohet, do të vijojë ngadalësimi i rritjes së ekonomisë kineze (këtë vit i planifikuar me 6%). Çang Mingu, ekonomist nga akademia kineze e shkencave shoqërore, parashikon se koronavirusi do të zvoglojë rritjen e ekonomisë kineze në tremujorin e parë të këtij viti me 1% dhe do ta shpjerë nën 5%. Ndërsa Long Çeni, partner në firmën konsultuese Plenum, beson se rritja në tremujorin e parë do të jetë më e vogël se 2% dhe se rritja e përgjithshme vjetore do të jetë 5,5%. Dhjetë ekonomistë, që anketoi me këtë rast Wall Street Journal-i, mendojnë se rritja e ekonomisë kineze në tremujorin e parë do të jetë 4.9%, gjë që do të thotë më i ulët se 1% nga rritja e planifikuar për vitin 2020.

Qeveria në Pekin po përpiqet që nëpërmjet deklaratave, por edhe nëpërmjet injeksioneve masive financiare të paqëtojë shqetësimin për shëndetin e ekonomisë kineze, të shkatërruar nga epidemia e koronavirusit. “Kemi besimin dhe jemi të aftë që të reduktojmë efektin e epidemisë në masën më të ulët të mundshme”, deklaroi Lian Vejlangu, zëvendëskryetar i Komitetit kombëtar për zhvillim. Puna është sesa atij dhe Partisë Komuniste, i beson komuniteti i biznesit. Sepse nuk është çështja vetëm te prodhimi. Ka akoma më shumë të panjohura sesa epidemia (për të cilën pushteti mendon se do të arrijë kulmin në muajin shkurt) do ta ndikojë konsumin kinez, më së pari autoindustrinë, elektronikën profesionale turizmin.

Sepse me qindra milionë kinezë dy javët e fundit nuk kanë dalë fare nga shtëpitë e tyre, dyqanet dhe supermarketet janë bosh. Dhe me dhjetra miliona kinezë janë penguar në synimin e tyre për të udhëtuar nëpër botë (turisiti mesatar kinez në vitin 2018, ka shpenzuar në SHBA 6.500 dollarë).

Shqetësimi për konsumin është i kuptueshëm nëse dihet se në Kinë shpenzohet pjesa më e madhe që prodhin ekonomia e saj. Kjo është pasoja e modelit të ndryshuar të rritjes ekonomike, e cila nuk bazohet në rritjen e investimeve të huaja dhe të tregtisë, por në rritjen e shpenzimit vendas.

McKinsey Global Institute (MGI) në analizën e tij të korrikut 2019, e drejtoi gishtin për nga fakti se konsumi vendor në Kinë me më shumë se 60% ka kontribuar në rritjen e PBB-së në masën 11% në 16 tremujorë që nga vitit 2015 deri në vitin 2018 dhe se në vitet 2017 dhe 2018 rreth tri të katërtat (76%) e rritjes së PBB-së ka ardhur nga konsumi vendor. Ndryshimi i paradigmës së rritjes- kthimi nga ardhja e investimeve të huaja drejt konsumit vendas- jo vetëm që ka kontribuar në rritjen e PBB-së, por edhe ka ridefinuar ndjeshëm drejtimin dhe dinamikën e raporteve mes Kinës dhe botës, ose botës dhe Kinës. McKinsey Global Institute këtë ndryshim strategjik e përcakton kështu: “Kina është më pak e ekspozuar me botën, ndërsa bota është më shumë e ekspozuar me Kinën”. MGI Istitute e ka matur ekspozueshmërinë në tri fusha: tragti, teknologji dhe kapitale.

Ekspozimi i rritur i botës ndaj Kinës pasqyron rolin e saj në rritje si furnizuese e mallrave dhe shërbimeve, furnizuese e kapitaleve (burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte) dhe eksportin e teknologjisë në tregjet e tjera.

Në këtë raport të ndryshuar të Kinës dhe botës është vendosur epidemia e koronavirusit, duke i dhënë një kuptim dhe këndvështrim të ri.

Nuk ka dyshim se Kina dhe bota kanë arritur një shkallë të lartë ndërvartësie. Për këtë dëshmojnë edhe të dhëna të shumta. Për shembull, pjesa kineze në PBB në shkallë botërore në vitin 1990 ishte 2%, në 2018 ishte 16%. Ose, pjesa kineze në vlerën e përgjithshme të shtuar në shkallë botërore, në vitin 1990 ishte 1%, në vitin 2018-28%.

Por tani merr rëndësi më të madhe drejtimi i raporteve të tyre.

Pra, bota tani është shumë më tepër e ekspozuar në ekonominë kineze, pra ekonomia botërore tani është shumë më tepër (sesa për shembull në vitin 2003, në kohën e virusit SARS) e ekspozuar para epidemisë së virusit kinez. Nuk ka asnjë dyshim se kjo ekspozueshmëri do të jetë akoma më shumë e shprehur kur të përparojë projekti strategjik kinez “Nje shteg, një rrugë”, dhe kjo është një sfidë për të cilën bota duhet të mendohet mirë.

Ndër vendet që e kanë rritur ekspozueshmërinë ndja Kinës  dallohen tre grupe:

Grupi i parë janë shtetet aziatike ekonomitë e të cilave shfrytëzojnë afërsinë gjeografike me Kinën në mënyrë që të integrohen më shumë në rrjetet globale të vlerave dhe investimeve.

Grupi i dytë janë shtetet e pasura me burime natyrore (Afrika e Jugut, Australia) dhe prodhuesit e prodhimeve gjysëm të gatshme (Koreja e Jugut), ekonomitë e të cilave do të varen nga Kina si treg eksporti.

Në grupin e tretë rreshtohen shtetet tregjet e të cilave janë në lindje e sipër (Egjypit, Pakistani) dhe kanë një ekspozueshmëri të madhe nga investimet kineze.

Por, në fatkeqësinë që sjell koronavirusi, ka, së paku, një grimcë fati për ekonominë botërore.

Nëse u referohemi analizave të MGI, Kina ende nuk është e globalizuar mjaftueshëm në mënyrë që ndikimi i saj në ekonominë botërore të jetë fatal në raste të këtilla siç është epidemia e koronovirusit. Me që ra fjala, ngadalësia në integrimin global të Kinës nuk është pasojë e mosgatishmërisë së botës për të integruar një ekonomi kaq të madhe, por ky është vendimi i udhëheqësve komunistë në Pekin.

Cili mund të jetë atëherë ndikimin e epidemisë së koronavirusit në ekonominë botërore?

Për një afat të shkurtër, tashmë epidemia i ka trazuar rrjetet e furnizimit, ka zvogluar çmimet e pronave dhe i ka detyruar kompanitë shumëkombëshe të marrin vendime të vështira mbi bazën e informacioneve të kufizuara.

Nuk është aspak e rastit që CBNC në titullin e saj të lajmeve vë konstatimin: “Koronovirusi sapo ka filluar të ndikojë në ekonominë botërore”, duke aluduar për një ndikim afatgjatë.”

Analistët Barclays dhe Morgan Stanley vlerësojnë se “çmimi” i epidemisë do të jetë rritja më e vogël e ekonomisë botërore me 0,2-0,4%. Revista Time, citon Esvar Prasadin, profesor i ekonomisë në Universitetin Kornel, i cile shprehet se përhapja e epidemisë mund të bëjë që kompanitë shumëkombëshe, të cilat në këto kohë studiojnë me të madhe rrjetet e tyre të furnizimit për shkak të rritjes së pagave në Kinë, mund të ulin intensitetin e operacioneve prodhuese të tyre në Kinë. “Ekonomia kineze është tashmë madhësi globale dhe krahasim me madhësinë e saj modeste në kohën e epidemisë SARS. Kësisoj shok-u që ka kjo epidemi në rritjen kineze do të ketë jehonë të madhe në mbarë botën”- vlerëson Prasadi.

Epidemia e virusit nga Vuhani mund edhe të gërryejë optimizmin e brishtë të marrëveshjes dypalëshe mes Kinës dhe SHBA-ve, e cila në këtë Vit të Ri i’a filloi të forcojë tregjet.

Për fat të keq, përhapja e sëmundjes ka ndryshuar narrativat dhe ka rritur gjasat për një rënie të ekonomisë globale në vitin 2020.

Nga perspektiva e sotme është e pamundur të parashikohet dhe të përllogariten shpenzimet e krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Të gjithë e kemi ende të freskët në kujtesë epideminë SARS, e cila në vitin 2003, gjithashtu e kishte origjinën në Kinë, dhe i kushtoi ekonomisë botërore 50 miliard dollarë. Në ndryshim nga sot, në kohën e SARS-it, shumica e fabrikave dhe shkollave kineze qëndruan të hapura.

Ndërkohë gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Për shembull, pjesa kineze në PBB-në globale është rritur nga 4% asokohe në të sotmen 16%.

Por ekzistojnë edhe dy dëme që nuk mund të shprehen në para por gjithsesi janë të pamatshëm dhe që do të shënojnë integrimin e mëtejshëm të Kinës. Ka analistë që mendojnë se ky është një test publik i aftësive të Si Gjinpingut për të administruar krizën ndërkombëtare që shkakoi Kina. Edhe kur të kalojë virusi, shkruan “Ekonomist’”, “reputacioni i Partisë komuniste të Kinës, madje edhe i presidentit Si Gjinping mund të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme. Partia pohon se, e armatosur me shkencën, është më efikase në drejtimin e shtetit në krahasim me modelin demokratik. Një mossukses serioz në mposhtjen e epidemisë së koronavirusit ndoshta do të mund të sugjerojë një këndvështrim ndryshe”. Vetëm dy ditë më vonë dyshimet e “Ekonomist-it” i përforcoi askush tjetër, por vetë Byroja politike e PK të Kinës, me pohimin se ka patur gabime dhe mangësi në mënyrën sesi ka reaguar shteti ndaj shfaqjes së koronavirusit. Me këtë pohim, janë vërtetuar pothuajse në mënyrë të plotë ato që ka thënë një prej zyrtarëve të pushtetit në Vuhan i cili e pranoi se ka heshtur mbi shpërthimin e epidemisë sepse nuk ka patur leje nga pushteti qendror në Pekin dhe për këtë gjithashtu flet edhe rasti i mjekut Li Venliang, të cilit iu desh të kalonte nëpër një torturë të vërtetë të pushtetit dhe Partisë komuniste që të fshihej fillimi i epidemisë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

Të fundit