Vjen ‘Wizzair’, fluturime ‘low cost’ nga aeroporti i Rinasit

Është përuruar fillimi i fluturimeve për linjën e parë ajrore low cost Tiranë-Budapest, nga kompania kompania Wizzair.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj bashkë me Ministrin Hungarez të shtetit për Politikat e Transportit Robert Homolya, ishin në bordin e avionit të parë të linjës Budapest-Tiranë.

Duke folur për mediat, Ministri Dervishaj tha se ky është një premtim i mbajtur nga Ministria e Transportit, për të sjellë një kompani të njohur ndërkombëtare me çmime të lira për shqiptarët.

Ministri i shtetit Hungarez për Politikat e Transportit, Robert Homolya tha se, fillimi i fluturimeve do t’i japë zhvillim turizmit dhe ekonomisë mes 2 vendeve.

Më herët në Budapest u zhvillua dhe ceremonia me të pranishëm ministra dhe zyrtarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku kompania Wizzair ka filluar operimin.