Flash News

KRYESORE

Wall Street Journal heton vdekjen e Festim Latos: Kush e vrau liderin e vetëshpallur të Republikës së Çamërisë

James Marson nga Vlora/ Wall Street Journal

Valentina Pop nga Afferden, Hollandë

Kufoma që policët holandezë nxorën nga një kanal në periferi të Amsterdamit verën e kaluar, ishte cullak, dhe copa-copa, i futur në qese plehrash.

Hetuesit shpejt e identifikuan viktimën, 43-vjeçarin shqiptar, Festim Lato, i cili jetonte në një qytet të vogël 70 milje më tej në jug. Çfarë ata nuk dinin ishte kush e kishte vrarë dhe pse.

Sot, hetuesit dyshojnë se vrasja e zotit Lato mund të ketë lidhje me punën e tij të pazakontë si president i vetëshpallur i asaj që ai e quajti Republika e Çamërisë, një zonë e Greqisë që dikur kishte një popullsi të madhe shqiptare. Përpjekjet për të fituar njohjen ndërkombëtare për Republikën e tij imagjinare e dërguan në një turne diplomatik në shtetet e vogla europiane dhe në Parlamentin Europian. Ai krijoi dekorin e një vendi të vërtetë duke lëshuar pasaporta dhe organizuar parada të stilit ushtarak në shtëpinë e tij.

Por, pas këtij “luftëtari” të lirisë sipas policisë holandeze investitorëve dhe ish-bashkëpunëtorë të tij në Shqipëri dhe Holandë fshihej një mashtrues. Lato mashtroi shumë mbështetës, ambiciet e të cilëve nuk përputheshin me të tijat. Policia tha që investitorët dhanë qindra, mijëra, ose ndoshta miliona euro, për planet e tij për një republikë të re, me shpresë se do të bëheshin të pasur nëse do kishin sukses. Advokuesit që u paraqitën si diplomatë dhe ndihmuan në organizimin e takimeve me liderët europianë, më pas u ankuan se nuk ishin paguar për përpjekjet e tyre.

Lato dhe ndihmësit e tij ofruan nënshtetësi Republikës së Çamërisë së bashku me pasaportat për 500 euro. (Foto: Llogaria në Facebook e Republikës së Çamërisë)

Ish-ndihmësit e lidhin vdekjen e z. Lato me lidhjet e tij të dyshimta në Ballkan me krimin e organizuar. Disa përkrahës thanë se ai mund të jetë vrarë nga nacionalistët grekë që u trazuan nga planet e tij për të gjetur një enklavë për të ashtuquajturit shqiptarë çamë përgjatë kufirit veriperëndimor të Greqisë.

"Kishte shumë njerëz që kishin probleme me Festimin, në nivel politik dhe financiar," tha një zëdhënëse e policisë holandeze. "Është një hetim jashtëzakonisht i ndërlikuar."

Shqiptarët çamë kanë kërkuar prej kohësh njohje për padrejtësitë e kryera ndaj të parëve të tyre, të cilët u dëbuan nga Greqia perëndimore drejt Shqipërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pasi Shqipëria doli nga kthetrat e komunizmit në fillimin e viteve 1990, organizatat çame filluan të promovojnë kulturën e tyre të veçantë dhe të kërkojnë rikthim në trojet e tyre në Greqi.

Lato, një burrë i shkurtër i bëshëm dhe dhe flokë të prera shkurt, kishte një qasje më radikale. Shqiptar çam nga qyteti bregdetar i Vlorës, ai kishte jetuar në Holandë për më shumë se dy dekada përpara se të ndeshej me vështirësi disa vite më parë, sipas një bashkëpunëtori që tha se e shpëtoi duke e ndihmuar financiarisht.

Lato, në qendër, që zotëron një ‘certifikatë themelimi’ që supozohet të jetë nënshkruar nga zyrtarë të lartë nga Pallati i Paqes në Hagë në Shtator 2017. Yohan Byrde, një këshilltar politik dhe biznesi i lindur në Sri Lanka, është në të majtë. FOTO: COOIJMANS ROBERT

Ai ishte i panjohur në mesin e aktivistëve kryesorë çamë derisa deklaroi krijimin e një Republike të pavarur të Çamërisë në një hotel në Hagë në tetor 2016.

Idajet Jahaj, një mësues në pension nga Vlora dhe mik i vëllait të zotit Lato, tha se ai ishte përfshirë në këtë ngjarje dhe ishte vënë mbrapa z. Lato pavarësisht se nuk ishte çam. "Ishte ëndrra ime të shkoja në Holandë," tha z. Jahaj. "Ishte një emocion i madh të fluturoje në një aeroplan dhe të shihje Europën."

Në këtë ceremoni, tre burra me veshje ushtarake me shenjën e Ushtrisë Çlirimtare të supozuar të Çamërisë, i mbuluan fytyrat me bojë kamuflazhi dhe marshuan me një flamur shqiptar në tribunë.

Një vit më vonë, në një ceremoni tjetër në Edinburg, Z. Lato regjistroi grupin e tij si një organizatë joqeveritare, të quajtur “Organizata e Kombeve dhe Popujve të Papërfaqësuar”. Atje, ai krijoi një aleancë me dy lobistë të specializuar në sigurimin e kontakteve në qarqe terciare të politikës europiane: Jeroen Zandberg, një holandez i gjatë që punonte për UNPO (Organizata e Kombeve dhe Popujve të Papërfaqësuar) dhe e quante veten një diplomat, dhe Yohan Byrde, një këshilltar politik dhe biznesi i lindur në Sri Lanka, që përdor titujt "I nderuari" dhe "Shkëlqesia e Tij". Ata thanë se e morën zotin Lato në një turne 10-ditor në shtetet e vogla europiane përfshirë Vatikanin, San Marinon dhe Monakon.

Lato krijoi më pas një kushtetutë për republikën e tij, të propozuar në shtator 2017. Një foto nga ceremonia tregon Z.Byrde që nënshkruan një dokument të titulluar "Certifikata e Themelimit" dhe që mban një imazh të Pallatit të Paqes në Hagë, i cili përfshin Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të Kombeve të Bashkuara dhe firmat e zyrtarëve të lartë. "Certifikata është qartësisht një falsifikim," tha një zëdhënës i Pallatit të Paqes, duke shtuar se firmat nuk u përkasin zyrtarëve, njërit prej të cilëve i kishin shkruar dhe emrin gabim.

Investitorët holandezë erdhën në Shqipëri për këtë ngjarje në Shtator 2017, duke promovuar Republikën e Çamërisë.  FOTO: COOIJMANS ROBERT

Lato dhe ndihmësit e tij filluan të ofrojnë shtetësi të Çamërisë së bashku me pasaporta për 500 € sipas llogarive në rrjetet sociale të z. Lato dhe arkivave të internetit të Republikës së Çamërisë. Ata mashtruan se pasaportat ishin të vlefshme në shumë vende të Europës, SHBA dhe Kanada, dhe mund të përdoren për të investuar në toka dhe prona në republikën që nuk ekziston.

Në fund të shtatorit 2017, një delegacion nga e ashtuquajtura Republikë vizitoi qytetin e lindjes së Z. Lato, Vlorën, i shoqëruar nga dhjetëra investitorë holandezë. "Ai kishte një histori joshëse për të treguar," tha një investitor holandez, që ishte në udhëtim me Z. Lato.

Në një fjalim, Z. Zandberg e prezantoi zotin Byrde para një turme të mbledhur në një shesh si Komisioner Europian, edhe pse ai nuk ishte i tillë. Ata thanë se besuan se po ndihmonin kauzën çame, nuk ishin paguar nga z. Lato dhe nuk ishin përfshirë në kërkimin e parave.

Lato, presidenti i vetëshpallur, patjetër që mungonte. Gjykatat në Shqipëri e kishin dënuar në mungesë në vitin 2014 dhe 2015 për mashtrim dhe kontrabandë, sipas një dokumenti të Ministrisë së Drejtësisë, dhe ai rrezikonte burgimin nëse kthehej.

Ndërkohë ai po e shndërronte shtëpinë e vet në Holandë në një seli. Një video e postuar në faqen e Facebook të Republikës së Çamërisë tregon z. Lato duke inspektuar një marshim të stilit ushtarak të 10 burrave me veshje kamuflazhi krahas flamujve amerikan, holandez dhe shqiptar. Ai u fotografua me grupin e tij “ushtarak”, duke treguar dhe lloje të ndryshme armësh. Ish ndihmësit kujtojnë qindra shqiptarë që vinin në atë shtëpi, përfshirë gra për të argëtuar zotin Lato, i cili ishte i divorcuar.

Në shkurt 2018, autoritetet lokale bastisën shtëpinë për të kontrolluar nëse ai po shkelte ligjet e pronësisë. Zyrtarët gjetën një grup të madh njerëzish që flinin në shtretër marinarësh dhe dhjetëra uniforma që po thaheshin në një tel në banjë dhe e urdhëruan atë që të dëbonte ata që banonin aty, tha Martin Kugel, një zëdhënës i bashkisë lokale të qytetit.

Byrde dhe Zandberg filluan të kishin dyshime. Z. Byrde e braktisi projektin në fillim të vitit 2018. Z. Zandberg tha se ai po zhgënjehej që Z. Lato u shfaq më i interesuar për rastet e fotografive me politikanët europianë, sesa për punën burokratike për të çuar më tej kauzën çame. Z. Zandberg tha që është një njeri i përkushtuar ndaj kauzave të kombeve të papërfaqësuara dhe punon për një grup separatist të Papuasë perëndimore në Indonezi. Ai tha se investoi kohë dhe energji në kauzën çame, dhe zoti Lato shpesh e linte atë të mbante fjalimet nëpër mbledhje.

Zandberg gjithashtu tha që ishte e paqartë se çfarë ndodhi me paratë e investitorëve. Shenjat e tyre as që dukeshin në të përditshmen e z. Lato, thanë ish ndihmësit; makinat dhe shtëpia ishin pjesë e ndihmës së mbështetësve. Ai mbante një orë “Rolex” për të cilën z.Zandberg dyshonte se ishte kallp. Dy ish-punonjës thanë që ishin paguar me para, disa qindra euro, për punën e tyre.

Në prill të vitit 2019, një gjykatë holandeze shpalli falimentimin e z. Lato pasi një investitor kërkoi kthimin e 225,000 €, sipas dosjeve të gjykatës. Ai më vonë zhvilloi një ekspozitë në Parlamentin Europian kushtuar 75-vjetorit të dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë nga Greqia, por u desh të mbahej në një dhomë të vogël, pasi z. Lato nuk aplikoi në kohë për të përdorur një sallë falas, dhe nuk mund të përballonte faturën 600 € për kostot dhe kateringut në një dhomë tjetër, tha z. Zandberg.

Pastaj, më 16 korrik, z. Lato u takua me një biznesmen, në një kafene të një fshati afër Amsterdamit ndërsa Z. Zandberg dhe bashkëpunëtorët e tjerë prisnin, sipas pamjeve të mbikqyrjes të publikuara nga policia. Z. Lato u largua nga kafeneja në makinën sportive të biznesmenit, i cili më pas e zbriti diku tjetër. Policia, e cila nuk e publikoi emrin e personit pasi nuk është i dyshuar, tha se biznesmeni u tregoi se nuk i kujtohej saktësisht se ku e kishte lënë z. Lato.

Katër ditë më vonë, u gjet trupi i tij i pajetë. Në funeralin e tij në Shqipëri, arkivoli iu mbulua me një flamur të Republikës së tij imagjinare dhe u shoqërua nga disa burra me veshje paramilitare. Ndjekësit thanë se ata do të vazhdojnë misionin e z. Lato.

Zandberg tha që angazhimi i tij me Republikën e Çamërisë ka përfunduar dhe shton që vdekja e Z. Lato do të mbetet e pashpjegueshme. Ai është bashkuar përsëri me zotin Byrde dhe së fundmi vizituan Somalilandin, një shtet i vetëshpallur në Afrikën Lindore, për të vazhduar biznesin.

*Përkthimi: Politiko.al

Të fundit