Flash News

OP-ED

Basha kthehet, si Nastradini, te qershitë që 'nuk i ka përmjerrë'

Basha kthehet, si Nastradini, te qershitë që 'nuk i ka

Alfred Lela

Lulzim Basha ka të drejtën e piruetave, por nuk duhet ta harrojë një shprehje amerikane, përdorur prej tij si shenjë pendimi dhe mendnxëni: më gënjeve një herë turp paç, më gënjeve të dytën, turp paça. Kësaj radhe mund të jetë 'turpi i tij' dhe i askujt tjetër nëse kërkon prej Ramës të njëjtën qeveri që mori njëherë në vitin 2017, shoqëruar me një humbje tronditëse që e pa kovën e PD të binte, jo në fund të pusit, por të një abisi politik të pakrahasueshëm, as me vitin 1997, kur PD përballej me bandat e prapavijës komuniste, e megjithatë futej në zgjedhje.

Kurba e një marrëveshje PD-PS po ngrihet çdo ditë me mendimin për të bërë vend e për t'u kthyer në normalitet në perceptimin publik. Duhet thënë se marrëveshja dhe paqtimi politik nuk janë, në asnjë rast, të kundërshtueshme. Të padurueshme, sot e gjithmonë, mbeten paktet që mbyllin një cikël krize dhe hapin një tjetër. Për faktin se kanë mbetur shtatzana, jo me farën e 'paketimit' të krizës, as për të sjellë paqen politike e sociale, por për 'të hedhur lumin edhe kësaj here', për t'i dhënë fund një agonie dhe për të zgjidhur disa halle të fatit politik personal, jo atij shqiptar.

Fakti që Basha dhe Rama janë 'zhdukur' nga komunikimi i luftës dhe paqes, duke ua lënë në dorë delfinëve të tyre paraqitjen e këtij mirazhi të ri politik, dëshmon pikërisht një ngjizje që ka në thelb pazarin dhe jo platformën, 'shpëtimin' dhe jo zgjidhjen. Atyre që janë entuziazmuar njëherë për paqen (përfshirë autorin e këtyre radhëve) nuk u lejohet të gulçojnë gëzim edhe të dytën, përjashto rastin kur janë naivë ose kanë interesa të vetat, të investuara në zgjidhjet pa zgjidhje, të cilat i nevojiten Bashës dhe të cilat i shpërndan Rama, si nuskat një dervish shëtitës.

'Qeveri kujdestare' është termi i ri i pagëzimit, gjë që ndryshon asgjë në përmbajtje apo formë. Ndryshon shumë ama në një pikë: Partia Demokratike, tashmë, nuk negocion nga pozicionet e forcës, siç bënte në pranverën e vitit 2017. Me 'pantallona te kyçet e këmbëve', të dërguarit e Bashës nuk kushtëzojnë dot askënd dhe asgjë. Në emër të ajatollahut të tyre ata kanë kaluar nga revolucioni permanent te një gandizëm i papritur dhe i bezdisshëm, i cili ka eunukëzuar aksionin politik opozitar dhe ka trallisur bazën demokrate. E cila e di, me anë të instinktit bazik politik se, kur partia u doli e humbur nga një negociatë e pozitave të forcës, si do të dalë nga një e dytë, ku të dërguarit e tyre shkojnë në tryezë si Robert Çamçakëzi, me duar në xhep dhe imazhin tebdil të dikujt që vetëbesimin e ka te padija ose te loja.

Piruetat e Bashës as nuk kanë më rëndësi. Ato vlejnë sa për të diskredituar të zotin, aq përfundimisht sa për ta afruar në PD erën e një ndryshimi i cili i sheh zgjidhjet pa Bashën dhe jashtë Bashës. Makiazhi i vonuar, me një ide të vjetëruar të piarit të Barack Obamës në zgjedhjet e vitit 2008 (hidrauliku Joe), zëvendësuar me 'gjyshe Verën' dhe 'çunin mekanik', janë vetëm shenja të diskordancës konjitive politike.

Bylykbashi dhe Alibeaj, bejlerë të këtij moskuptimi të mbrapshtë, mund të kthehen, për hatër të Bashës dhe huqit, te qershitë që patën përmjerrë, kur ishin nastradinë të herës së parë, por herën e dytë farsa bëhet edhe më thellë qesharake.

Të fundit