Flash News

KRYESORE

COVID-19/ Pezullohet transporti urban në Tiranë

COVID-19/ Pezullohet transporti urban në Tiranë

Duke nisur prej ditës së enjte në qytetin e Tiranës nuk do të ketë më transport urban për një afat të pacaktuar. Ky është vendimi bashkisë, si një ndër masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Në vijim të planit të masave mbrojtëse në qytetin e Tiranës, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët se nga dita e enjte, datë 12 mars, do të pezullohet shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.

Për sa më sipër, prej orës 05:00 të ditës së nesërme, këto linja do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë:  Shërbimi i transportit qytetas (linjat brenda qytetit të Tiranës); Shërbimi i transportit rrethqytetas (linjat që lidhin qytetin e Tiranës me ish njësitë administrative/ komunat); Shërbimi i transportit ndërqytetas ushqyes (linjat që lidhin Bashkinë e Tiranës me Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës).

Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masën e pezullimit të përkohshëm të këtyre shërbimive të transportit, por gjykon se masa është e domosdoshme për të rritur efiçencën e sistemit të mbrojtjes ndaj përhapjes së mëtejshme të virusit”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Këtë masë paralajmëroi kryeministri Edi Rama gjatë një dalje për mediat në orët e mbrëmjes. Deri më tani, në Shqipëri janë marrë disa masa drastike që nisën me mbylljen e shkollave, mbylljen e bareve, lokaleve, restoranteve, ambienteve publike e deri te ndërprerja e udhëtimeve hyrëse dhe dalëse me zonat e infektuara nga koronavirusi.

 

Të fundit