Flash News

KRYESORE

“Dekreti i Metës për Xhaferllarin është nul, Vorpsi të nisë detyrën”, miratohet projekt-rezoluta për Kushtetuesen, opozita e re bashkon votat

Është miratuar me 97 vota dhe asnjë kundër projekt-rezoluta “Shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e gjykatës kushtetuese - detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në këtë votim ka bashkuar votat edhe opozita parlamentare, e cila në fund të miratimit nuk ka kursyer edhe duartrokitjet.

Sipas kësaj projekt-rezolute, gjyqtarja Marsida Xhaferllari e dekretuar nga presidenti është akt nul, ndërsa Arta Vorpsi bashkë me Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, të votuara në seancën e së hënës duhet të nisin detyrën si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Dy të fundit u betuan dje te presidenti, ndërsa Vorpsi e anashkaloi duke u betuar te zyra e një notereje, debat që ka shkaktuar reagime të shumta si një rast i panjohur më parë.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës nr.11350, datë 13.11.2019.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë 5 pengesë, për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit”, thuhet në projekt-rezolutën e miratuar.

Rama: Beteja jonë jo me Metën, por me KÇK-në, më 25 nëntor shpalos platformën për ligjin special 

Të fundit