Flash News

E-TJERA

Ambientalistët sfidojnë në gjykatë kontratën e aeroportit të Vlorës: Do të shkaktojë dëme të pakthyeshme

Ambientalistët sfidojnë në gjykatë kontratën e

Dy organizata mjedisore padisin autoritetet shqiptare pas kontratës për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, me pretendimin se ndërtimi kërcënon zona të rëndësishme të biodiversitetit.

Shoqëria Ornitologjike Shqiptare dhe Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri kanë depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës të mërkurën duke kundërshtuar kontratën për ndërtimin e një aeroporti të ri në qytetin jugperëndimor të Vlorës për arsye ekologjike.

“Punimet e ndërtimit të paligjshëm shtrihen brenda një prej ligatinave dhe zonave më të rëndësishme të biodiversitetit në Shqipëri dhe përgjatë rrugës ajrore të Adriatikut, një rrugë fluturimi e rëndësishme për shumë zogj shtegtarë”, thuhet në një deklaratë të dy organizatave.

“Duke vazhduar me planet e zhvillimit, autoritetet shqiptare po shkelin ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare, duke anashkaluar procedurat dhe duke hedhur poshtë vërejtjet kundërshtuese të institucioneve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Dy organizatat pretendojnë se kontrata e cila ka nisur të zbatohet do të shkaktojë dëme të pakthyeshme në mjedis. Ato po mbështeten nga OJQ-ja për mbrojtjen e mjedisit me bazë në Gjermani, EuroNatur.

Ata argumentojnë se Zona e Mbrojtur Vjosa-Nartë është një nga ekosistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatinat e dyta më të rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpia e specieve të rëndësishme të faunës dhe florës.

Kontrata për ndërtimin e aeroportit është midis autoriteteve shqiptare dhe dy kompanive: kompanisë turke YDA – e cila ndërtoi një spital në Fier si dhuratë nga qeveria turke për Shqipërinë – dhe Mabetex, e cila është në pronësi të një politikani dhe biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli.

Më shumë se 30 organizata mjedisore vendase dhe ndërkombëtare i kërkuan qeverisë shqiptare në shkurt 2021 të ndalojë projektin e aeroportit, duke thënë se do të shkaktojë dëme të mëdha në mjedisin e zonës së mbrojtur Vjose-Nartë.

Ata theksuan se zona e mbrojtur me një sipërfaqe prej 19412 hektarësh është shtëpia e 200 llojeve të shpendëve të egër, 33 prej të cilëve janë të rrezikuar.

Kompanitë private kanë marrë përsipër të investojnë 104 milionë euro në projekt, sipas kryeministrit Edi Rama, por dokumentet e tenderit bëjnë të qartë se taksapaguesit do të duhet të paguajnë 138 milionë euro ose rreth 40 për qind më shumë se kostoja e ndërtimit nëse dështon koncesioni ose nuk gjeneron fitim.

Aktualisht, Shqipëria ka vetëm dy aeroporte ndërkombëtare, në Tiranë dhe në Kukës. Qeveria thotë se një i tretë në Vlorë është i nevojshëm për të zhvilluar lidhjet e transportit me destinacionet në jug të vendit.

Të fundit