Flash News

E-TJERA

Dy shqiptarë i bashkohen vullnetarisht luftimeve në Ukrainë

Dy shqiptarë i bashkohen vullnetarisht luftimeve në Ukrainë
Foto Ilustruese

Ofensiva ushtarake ruse e urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin, nuk i ka ndalur sulmet dhe bombardimet mbi Ukrainë edhe pse dy delegacionet janë në bisedime për të arritur një zgjidhje.

Në mesin e ushtarakëve që luftojnë për të mbrojtur territorin ukrainas janë edhe dy shqiptarë. Lajmin e ka konfirmuar Mamuka Mamulashvili, komandant i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj në Ukrainë.

Në një intervistë për Euronews Albania, Mamulashvili u shpreh se janë edhe 20 apo 30 shqiptarë të tjerë që kanë aplikuar si vullnetarë për t’iu bashkuar luftës në Ukrainë.

“Janë dy vullnetarë shqiptarë që po luftojnë me ne. Kanë ardhur këtu për të ndihmuar Ukrainasit për të mbrojtur vendin e tyre. Kanë ardhur pas nisjes së konfliktit. Ka aplikime nga Shqipëria por ende nuk kanë ardhur. Ka gati 20-30 aplikime”, deklaroi ai.

Komandanti tha se asnjë prej vullnetarëve nuk paguhet, por se kanë ardhur me dëshirë të plotë për të mbrojtur territorin e ukrainasve që është sulmuar nga ushtria dhe tanket ruse.

“Siç kanë pasur shqiptarët gjenocidin e tyre e njëjta gjë po ndodh këtu. Rusët me qëllim po vrasin gratë dhe fëmijët në një shkallë të gjerë”, tha Mamulashvili.

Komandanti i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj tha se deri tani nuk ka asnjë humbje jete nga grupi i tyre, pavarësisht se raketat i kanë prekur gati 30 herë.

Të fundit