Kriza/ Rudina Hajdari: Meta është në situatë shumë të vështirë, ne mund të shkarkojmë presidentin

Deputetja Rudina Hajdari e ka cilësuar si antikushtetuese aktin e presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve vendore.

Duke folur për A2CNN, Hajdari theksoi se grupi parlamentar që ajo drejton ka mundësinë për propozimin e shkarkimit të presidentit, por shton se çështja nuk është kjo.

“Unë shikoj se Presidenti nuk është i fiksuar nga kjo gjë. Madje, unë shoh një taktikë politike, gati në viktimizim. ‘Dëgjoni se unë po shkarkohem se po bëj një akt për Shqipërinë dhe të tjera. Unë mendoj se duhet t’i ulim këto lloj tonesh dhe të mos bëjmë populizëm. Ne mund ta propozojmë edhe vetë shkarkimin e Metës, i kemi 35 deputetë. Çështja nuk është do të votojmë apo jo, ne do ta shohim çështjen hap pas hapi. Unë besoj se edhe vetë zoti Meta e di që ka shkelur Kushtetutën. Ai e di shumë mirë që i ka shkelur kompetencat e tij. Presidenti është në një situatë shumë të vështirë. Unë do të doja që Presidenti të kishte pasur më shumë përpjekje, thirrje konkrete, për Gjykatën Kushtetuese, reformën zgjedhore dhe datën, të cilën ka për detyrë ta caktojë”, tha Rudina Hajdari.