Flash News

KRYESORE

Kryetarët e bashkive opozitare bëjnë kallëzim penal për policinë dhe anëtarët e KZAZ

Kryetarët e bashkive opozitare bëjnë kallëzim penal për

Kryetarët e bashkive opozitare kanë bërë një deklaratë të përbashkët për zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës, ku lajmërojnë se kanë bërë kallëzim penal ndaj Policisë së Shtetit dhe anëtarëve të KZAZ.

Ata kanë qartësuar se pas anulimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, i vetmi organ kushtetues për caktimin e saj, ambientet vënë në dispozicion të KZAZ-ve, duhet të administrohen vetëm nga pronari, pra nga njësia e qeverisjes vendore.

“Pushtimi i tyre me urdhër politik nga KZAZ-të apo punonjës të Policisë së Shtetit është i paligjshëm dhe në dhunim flagrant të Kushtetutës.

Policia e Shtetit nuk mund të administrojë pronat e bashkive. Sipas ligjit, këtë e bën Policia Bashkiake. Policia e Shtetit e ka të ndaluar të hyjë në pronat e bashkisë, pa një kërkesë nga Kryetari i Bashkisë.

Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor, që garanton autonominë vendore dhe administrimin nga bashkitë të pronave të tyre. Kushdo që thotë dhe vepron në të kundërt, nxit dhunë, shkel Kushtetutën e ligjin në Shqipëri.”, thuhet në deklaratën e kryebashkiakëve.

Sipas tyre, në përputhje të plotë me ligjin dhe me qëllim shmangien e tensioneve të panevojshme, njësitë e qeverisjes vendore kanë njoftuar disa ditë më parë KZAZ-të për lirimin e ambienteve, si dhe kanë njoftuar Policinë e Shtetit për mbështetje.

“Në kundërshtim flagrant me ligjin, anëtarët e KZAZ-ve dhe punonjës të Policisë së Shtetit kanë kundërshtuar zbatimin e ligjit, duke kryer veprime arbitrare dhe të paligjshme, si dhe duke ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake në krye të detyrës.

Për këtë qëllim, bashkitë tona po depozitojnë kallëzim Penal ndaj anëtarëve të KZAZ-ve dhe të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”

Të fundit