Flash News

OP-ED

Lideri nxjerr në rrugë mullinjtë e erës, për të luftuar virusin

Lideri nxjerr në rrugë mullinjtë e erës, për të

Ditari i Rezistencës 

nga Koloreto Cukali

(11 mars 2020, dita e dytë e kiametit)

Me futjen e Teatrit në listën e objekteve të mbrojtura nga Europa Nostra, mendova që nuk ka më nevojë për rezistencë. Por përveçse Qeveria vendosi ta injorojë një prej institucioneve më të mëdha të kulturës Europiane si Europa Nostra, pashë, se ndërsa mbronim Teatrin, e liga po merr krejt Shqipërinë.

Pra, rezistenca duhet vazhduar.

Para 5 ditësh, e mundnim me raki Covid-in. Sot u mor vesh që Qeveria do të nxjerrë në rrugë ushtrinë.

Për ta parë më kthjellët ç’po ndodh, mjafton të kthehemi 5 ditë pas.

Në datë 7: “Mos përhapni panik”. Lideri bën ironira me ata që thonë që qeveria po e fsheh gjendjen. Shqiptarët, janë thuajse të bindur

Në datë 8: Qeveria shqiptare mburret që nuk kemi asnjë rast me Covid-19, lideri i madh flet për “infodemi të lajmeve të rreme”. “Nuk jam i lumtur me këtë bombardim lajmesh për koronavirusin. Është problem për të gjithë botën, por ajo që është e sigurtë, është se krahas me epideminë, ka një infodemi të lajmeve të rreme, të komenteve pa asnjë bazë shkencore, që rrit panikun, ankthin dhe pasigurinë te njerëzit”, tha lideri.

Në datë 9: Dy rastet e para zyrtare. Ngutje për të treguar që këta na shpëtuan, se na hynë nga Muriqani.

Në datë 10: Dymbëdhjetë raste. Mbyllen të tëra shkollat, por jo Qendrat Tregtare. Lideri maksimal flet për “gjendje lufte”.

Në datën 11: Viktima e parë ka infektuar një spital të tërë, falë papërgatitjes e ndoshta papërgjegjshmërisë së personelit. Del ushtria nëpër rrugë. Mbyllet çdo lokal e restorant. Motivi: shqiptarët kanë ndërgjegje të ulët.

Në 5 ditë, shqiptarët kaluan nga krenaria ‘vetëm ne kemi 0 raste’, te detyrimi me tanke që të mos dalin nga shtëpia.

Tani, ose ne nuk arrijmë ta kuptojmë gjenialitetin e Liderit të Madh, ose ka diçka që nuk shkon që për 5 ditë shkohet nga ekstremi ‘rakia jonë e mund virusin’ te mbyllja e çdo restoranti.

Ne mund të kishim mbyllur shkollat kur i mbylli Italia, mund të kishim anulluar fluturimet kur u karantinua Lombardia, mund të kishim mbyllur stadiumet që kur u pa që virusi ka ardhur kaq afër, mund të kishim testuar këdo që vinte nga gadhishulli përballë, e jo ti zgjidhnim me telefonata vullnetare kuazi erotike me 127-n.

Shanset që ne të mos kishim virus ishin zero.

Por, e vërteta është që ne kemi një qeveri që ka vetëm merakun e propagandës. Deri në dt 8 shtireshin sikur ne jemi pa virus, për të mos treguar sesa të papërgatitur jemi, ndoshta duke ecur me shpresën, hë, se nuk do ketë shumë raste.

Tani që u bë një foto skaner e asaj që kemi brenda në bark, kalohet direkt te masa ekstreme – ushtria. Hera e fundit që kemi parë ushtarë në rrugë ka qenë operacioni Pelikan, që mbronte ndihmat mos vidheshin. Ushtria jonë, që nuk do na mbronte dot as nga greku e as nga serbi, do na mbronka nga pandemia. Sigurisht që jo. Qeveria po kopjon me urgjencë masat e Italisë, kaq me vonesë, për të bërë show propagande. E rëndësishme është që fajin nuk e ka patur e as e ka qeveria për përhapjen e mundëshme kaq të shtrirë të virusit. Fajin, nuk e kanë mjekët e atij spitalit në Durrës që nuk i kanë bërë testin e virusit të ndjerës së parë, por e kanë, siç tha lideri, të rinjtë që duan të rrinë kafeneve.

Të fundit