Mesazhi i Kishës Katolike kundër përçarjes: E ardhmja do ju bëjë përgjegjës për dëmin që i keni shkaktuar atdheut

Kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë, imzot Xhorxh Frendo, dha një deklaratë për shtyp lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri.

Frendo e vuri theksin tek roli i politikanëve në mbarëvajtjen e vendit dhe tha se ata nuk duhet të jenë shkak për përçarjen e shqiptarëve.

Ai tha se politikanët duhet të punojnë për ta bërë bashkë popullin dhe të përpiqen të gjejnë një zgjidhje sa më paqësore, në të kundërt e ardhmja do t’i bëjë ata përgjegjës.

“Edhe njëherë ju drejtohemi juve që zëri ynë të gjejë jehonë në zemret tuaja. Jemi të vetëdijshëm për situatën kritike në vend. Sidomos gjatë ditëve të fundit kemi lexuar shkrime të shumë personave. Këta mendojnë se situata do të përkeqësohet në vendin tonë. Si na ka mësuar historia, në të ardhmen do iu bëjë përgjegjës për dëmtim që i keni shkaktuar atdheut.

Në emër të Zotit, ne katolikët iu lutemi të dhuroni dashuri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke na treguar se me vendosmëri të kërkoni zgjidhje paqësore për këtë situatë. Nuk duam që e keqja të na çojë në të keqe më të madhe. Nuk mund të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë nëse nuk ndërtohet mbi drejtësinë. Harroni sulmet ndaj njëri-tjetrit. Duajini Shqipërinë më shumë se partitë. Shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet, që të mos shkojmë në humnerë vdekjeprurëse. Hapni kapitull të ri në politikë. Besimet fetare kanë harmoni, e politika nuk duhet të përçajë popullin shqiptar. Zoti iu dhëntë guxim për të gjetur rrugën e drejtë dhe të paqes”, tha Imzot Xhorxh Frendo.