Flash News

KRYESORE

Ministria e Jashtme i përgjigjet Moskës pas akuzave ndaj Ramës: Të tronditur nga deklarata, por ashtu si ju edhe ne jemi jashtë diskutimeve të brendshme të Maqedonisë

Ministria e Jashtme i përgjigjet Moskës pas akuzave ndaj Ramës:

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur sot keqardhjen dhe tronditjen për deklaratën e bërë dje nga Ministria e Jashtme e Rusisë kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzonte për përpjekjet e krijimit të “Shqipërisë së Madhe”.

Tirana ka ironizuar edhe përpjekjet e dështuara të Moskës për të ndikuar në punët e brendshme të Maqedonisë, kryesisht gjatë vitit të kaluar, kur i dha mbështetje ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për pengimin e formimit të qeverisë së re nga Zoran Zaev dhe partitë shqiptare.

“Ne shprehim tronditjen dhe keqardhjen për keqinterpretimin nga Ministria e Jashtme e Rusisë të deklaratës vlerësuese të kryeministrit Rama lidhur me ligjin e ri të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Ne përgëzojmë kalimin e ligjit pasi përmbush një nga angazhimet kyçe që rrjedhin nga dhe në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Ashtu si Rusia, ne jemi jashtë diskutimeve të brendshme politike në Maqedoninë fqinje dhe synojmë të mbetemi të tillë. Por mbetemi shumë të interesuar dhe investojmë në harmoninë etnike, stabilitetin dhe prespektivën Euro-Atlantike të rajonin tonë, Ballkanit Perëndimor”, thuhet në dy replika që MPJ ka postuar në profilin e ‘Twitter’-it të Ministrisë Ruse.

Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe përpjekjet që po bëhen për anëtarësimin e Maqedonisë, dy vende të cilat Tirana i ka mbështetur hapur, janë shtuar edhe tensionet midis Rusisë dhe Shqipërisë, ku nuk kanë munguar deklarata dhe kundër-deklarata që lidhen me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Të fundit