Flash News

OP-ED

Ndikimi i politikës së jashtme në zgjedhjet e brendshme

Ndikimi i politikës së jashtme në zgjedhjet e brendshme

Momčilo Panteliç / Novi Magazin

Emanuel Makroni i zemëruar. Donald Trampi mburret. Shefit aregjentinas të diplomacisë i rrjedhin lot. Në këto shpërthime emocionesh kishte shkaqe të ndryshme. Por një arsye të vetme- roli gjithnjë e më i madh i politikës së jashtme në proceset zgjedhore të brendshme.

Presidenti francez është i pakënaqur për mënyrën sesi u zgjat procesi i përzgjedhjes së liderëve të rinj të institucioneve të BE-së, duke patur parasysh se, për shkak të kritikave në vend se po i kushton më shumë vëmendje integrimit kontinental sesa atij brenda vendit, doli relativisht keq në zgjedhjet e paradokohëshme për Parlamentin europian.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ndjeu nevojën që në politikën e tij të jashtme të theksojë zbutjen me Kinën dhe Korenë e Veriut, në mënyrë që në fushatën zgjedhore që tashmë ka filluar, të bindë bashkëatdhetarët dyshues se politika e tij e jashtme nuk është kundërproduktive, sikurse e kritikon opozita, dhe se ai e meriton që t’i japin votat.

Ministri nga Buenos Airesi gjithsesi u përlot nga lumturia për shkak të arranxhimit ndërkombëtar me BE-në, e cila do t’i ndihmojë ekonomisë së drobitur të Argjentinës, dhe presidentit të tij Mauricio Makri të ndreqë disi rejtingun e tij aspak të mirë zgjedhor.

Mund të thuhet se është duke ndodhur refuzimi i atij rregullit sipas të cilit zgjedhjet kombëtare fitohen ose humben ekskluzivisht nga lëvizjet në politikën e brendshme. Në shumë raste, në ecurinë e zgjedhjeve të rregullta ose të jashtëzakonshme apo edhe të imponuara, efektet e politikës së jashtme janë më të rëndësishme se kurrë më parë. Pra, punojnë ndjellësit e jashtëm.

Në mbarë botën u pritën me lehtësim lajmet, sëpaku mbi qetësimin e përkohëshëm, të luftës tregtare ameriko-kineze, sepse vlerësohej se një konfliktim mes tyre mund të shpinte në theqajfe ekonomike globale. Njëlloj sikurse cicmicet kadrovike brenda BE-së shkaktuan shqetësimin për një krizë më të gjërë të këtij bashkimi demokratik më paqësor të kohës.

Janë mjaft delikate këto pikat e kontaktit të politikës së jashme me atë të brendshme. Mbështetja e bashkëatdhetarëve për Vladimir Putinin u rrit kur ai amputoi Ukrainën, por ra kur në shpatullat e tyre ndjenë peshën e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura për këtë shkak. Kina, me reformën e saj është pasuruar në globalizim, e tani pa të as nuk mund të mendohet zhvillimi i mëtejshëm i brendshëm, i lëkundur këto ditë nga demonstratat në Hong Kong, që relativizojnë arritjet e ndërtimit të brendshëm: „Një vend, dy sisteme“, dhe kjo edhe përkundër projektit „një shteg, një rrugë“ i cili përfshin hapësira të madha në Azi, Europë, madje edhe në Afrikë e në Amerikën e Jugut.

Në krahasim me Moskën, Pekinin madje edhe më aleatët e tij europianë, si dhe me daljen nga marrëveshjet ndërkombëtare, Trampi ka dobësuar edhe autoritetin e vendit të tij dhe kohezionin brenda tij, në atë masë sa janë zvogluar shenset për një rizgjedhje të mundshme megjithëse rezultatet ekonomike në SHBA për momentin janë shumë të mira.

Rrethanat në të cilat opozita fitoi pushtetin në Stamboll përputhen me ankimet e Rexhep Taip Erdoganit „të gjithëfuqishëm“ në fushën e politikës së jashtme, në të cilën madje ai pati përfytyruar se Turqia mund të rritej në rangun e fuqisë e cila mund të sillej „edhe kështu, edhe ashtu“.

Gjithandej flitet gjërësisht për ndikimet e jashtme (të fuqive të mëdha) në zgjedhjet e brendshme, ndërkohë që anashkalohet rrethana se politika vetjake e jashtme mund të ndikojë në mënyrë të qenësishme në ecurinë e përcaktimit të brendshëm strategjik. Shkatërrimi i Irakut, Sirisë, Libisë, Ukrainës dhe në mënyrë të veçantë të ish Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik në një masë të mirë janë pasojë e mëndjelehtësisë së fushën e politikës së jashtme dhe e rritjes tej mase të rëndësisë së politikës së brendshme.

Punët kanë shkuar deri aty sa analistë me ndikim u sugjerojnë demokratëve në opozitë në SHBA se po e anashkalojnë politikën e jashtme dhe se pikërisht ajo është një shans i mirë për të bërë të pamundur rizgjedhjen e Trampit. Politikën e tij të jashtme nuk e miraton 57 përqind e të anketuarve në anketën e Qendrës për proges amerikan, nënvizon ekspertja Dina Smelc në revistën Foreign Affairs, ndërsa komentatori i Uashington Post-it Robert Semjuelson e nxit opozitën që në rastin e përzgjedhjes së kandidatit të saj duhet që ta zbusë pak punën me politikën e brendshme dhe të shohë se kush është më i gatshmi për t’iu përgjigjur sfidave të jashtme gjithnjë e në rritje, të cilat do të jenë punët më të mëdha të mandatuesit të ardhshëm.

Ndër shkaqet kryesore të rritjes së ndikimit të politikës së jashtme në zgjedhje gjithsesi është rrethana se bota është përshtjelllim e sipër, se po zhduken ato mbështetëset e vjetra strategjikë të vlerave, ndërsa po rritet tensioni mes globalizimit të paevitueshëm dhe synimit për të ruajtur, e kësisoj edhe për t’iu kundërvënë atij, me politikën e veçorisë nacionale. Kush nuk arrin të gjejë një vend real për veten në këtë botë dhe në këto kushte, kjo botë, me papërkryeshmërinë e saj, do të vijë te ai si një poligon për përkryerjen e saj.

Ndërsa trioja e fillimit të këtij teksti ka shkaqe për shpërthime emocionesh, Serbia ka më shumë arsye për tu menduar mirë sesa për të fantazuar. A është e mundur që vërtetë të bëhet politika „Na ndihmo Zot në të katër anët. (EU, SHBA, Rusia dhe Kina)“?. Bazë për një përgjigje në këtë rast mund të shërbejë fakti se nga Uashingtoni, Londrës Moska dhe Pekini janë dërguar te ne ambasadorë që na njohin mirë ne dhe politikën tonë të jashtme. E cila në detin e dallgëve botërore, në konkurencën e ashpër, gjithsesi mbetet ndjellëse për peshqit e mëdhenj.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit