Në dy muajt e fundit, çmimi i energjisë për bizneset e liberalizuara pothuajse dyfishohet

Janari dhe dhjetori i vitit të shkuar ishin dy muajt që shënuan çmimet më të larta të energjisë të siguruar në tregun e lirë nga ana e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) për grupin e bizneseve të lidhura në 35 kilovolt dhe që ende nuk kishin një kontratë me një furnizues privat.

Enti Rregullator i Energjisë miratoi për muajin dhjetor një çmim 16.57 lekë/kwh që është çmimi i dytë më i lartë në harkun e dy viteve qëkur nisi dalja në tregun e lirë e 90 bizneseve të lidhura në këtë lloj tensioni.

Rekordin e mban muaji janar 2019 me një çmim 18.73 lekë që është gati sa dyfishi i çmimit të furnizimit të konsumatorëve fundorë në tregun e rregulluar.

Liberalizmi, i nisur si një proces që sanksionohet në ligjin për sektorin e energjisë elektrike i vitit 2015, po has sfida për tu zbatuar në praktikë sidomos për grupin e parë të lidhur në 35 kilovolt. Një pjesë e mirë e bizneseve hezitojnë të dalin në tregun e lirë pasi nuk kanë njësi të posaçme që të merret me blerjen, një pjesë tjetër janë konsumatorë të vegjël dhe furnizuesit nuk shohin leverdi ndërkohë që është edhe një tjetër grup që ka arritur të sigurojë kontrata të mira afatgjata dhe që e vlerësojnë pozitivisht procesin.

Me mbylljen e vitit 2019 pritej që edhe bizneset e fundit të lidhura në 35 kilovolt, që nuk kishin gjetur furnizues, të mos furnizoheshin më nga OSHEE, por duke parë implikimet që mund të sillte kjo Enti Rregullator i Energjisë dhe Operatori i Shpërndarjes kanë riskeduluar afatet për daljen në treg të lirë.

Kështu afati i ri për biznesin deri në 35 kilovolt është mesi i muajit mars i këtij viti. Nga ana tjetër për grupin e bizneseve që furnizohen në 20 kilovolt afati për daljen në tregun e lirë është 17 shtatori 2020. Për grupin  e bizneseve që furnizohen në tension 10 dhe 6 kilovolt afati i ri i daljes në treg është 17 shtator 2021.

OSHEE parashikon që dalja e grupit të dytë të bizneseve në 20 kilovolt të jetë më e thjeshtë për shkak të disa karakteristikave që paraqet ky grup që lidhen me konsumin e lartë, afërsinë gjeografike të bizneseve me njëra tjetrën çka mundëson grupimin si dhe një lloj familjarizimi tashmë me procedurën duke qenë se ekziston eksperienca nga grupi 35 kilovolt. Monitor