Flash News

KRYESORE

Nga protestat në rajon te Jo-ja franceze: ngjarjet më të rëndësishme të 2019 në Ballkan

Nga protestat në rajon te Jo-ja franceze: ngjarjet më të

nga European Western Balkans

Nga protestat në rajon te Jo-ja franceze: ngjarjet më të rëndësishme të 2019

Viti 2019 në Ballkanin Perëndimor ka pasur disa momente të mira. Me paqëndrueshmërinë politike në secilin prej gjashtë vendeve të rajonit, dialogun inekzistent  mes Beogradit dhe Prishtinës dhe, më e rëndësishmja, progresin shumë të pakët drejt anëtarësimit në BE, shumë ndoshta do të donin që 2020 të vinte sa më shpejt.

Megjithatë, ka pasur disa zhvillime pozitive. Mosmarrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë duket se është zgjidhur njëherë e mirë, dhe kjo e fundit është afër realizimit të qëllimit të saj për anëtarësim në NATO. Janë propozuar iniciativa të reja për bashkëpunim rajona. Zgjedhjet në BE rezultuan të ishin disi të favorshme, dhe Bashkimi Europian ka nisur procesin e kristalizimit të qëndrimit të tyre në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfundimi i të cilit pritet vitin që vjen. 2020, në më shumë se një mënyrë, ka për të qenë një vit i jashtëzakonshëm.

Por më parë, një retrospektivë (kryesisht kronologjike) e ngjarjeve më të rëndësishme të 2019.

Maqedonia zyrtarisht ndryshon emrin, i afrohet më shumë anëtarësimit në NATO

Në 11 janar 2019, Parlamenti i Maqedonisë me një shumicë, dy-të-tretat e votave, miratoi ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimi u bë zyrtar më 25 janar, kur parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Prespës me një shumicë të ngushtë, kryesisht me votat e Syriza-së, partisë asokohe në pushtet. Vota i thanë fund një mosmarrëveshje 30-vjeçare për emrin e vendit, dhe kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras u nominuan për çmimin Nobel për Paqen nga anëtarët e Parlamentit Europian.

Në më pak se dy javë, Përfaqësuesit e Përhershëm të 29 vendeve anëtare të NATO-s firmosën me Shkupin Protokollin e Pranimit. Procesi i pranimit në NATO është drejt fundit dhe vetëm Spanja nuk e ka ratifikuar protokollin para fundit të këtij viti për shkak të ngërçit politik që ka mbërthyer vendin.

Shumica e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut e mbështetën politikën e qeverisë për të zgjedhur në maj Stevo Pendarovski, kandidati i përbashkët i SDSM dhe DUI, si president i vendit.

Protestat anti-qeveritare në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri zbulojnë pakënaqësitë e qytetarëve me përkeqësimin e demokracisë

Gjatë muajve të parë të 2019, protesta serioze anti-qeveritare kanë sfiduar elitat sunduese në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri. Megjithëse konteksti i secilës protestë ishte deri diku i ndryshëm, praktikat jodemokratike të Aleksandar Vučić, Edi Ramës dhe Milo Đukanović ishin të paktën pjesërisht shtysë për pjesëmarrjen e qytetarëve.

Që prej atëherë protestat janë zbehur, por në Serbi anëtarët e opozitës ende mblidhen çdo të shtunë. Protestat kanë çuar në një polarizim të mëtejshëm të skenës politike, ku në Serbi dhe Shqipëri opozita ka hyrë në bojkot parlamentar. Duket shumë e gjasshme që protestat të ishin vetëm një episod në një seri që ende vazhdon.

Samit i prillit përpiqet (dhe nuk arrin) që të rifillojë dialogun Beograd-Prishtinë

Samiti i drejtuesve nga Balkani Perëndimor, i organizuar me iniciativën e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, u mbajt më 29 prill në Berlin. Në atë çka u përshkrua vetëm si një ‘diskutim joformal’, Serbia dhe Kosova ranë dakord që të vazhdojnë bisedimet për të zgjidhur mosmarrëveshjet aktuale. Megjithatë, mes Beogradit dhe Prishtinës në 2019 nuk është zhvilluar asnjë takim në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Zgjidhet Parlamenti i ri Europian, caktohen deputetët e rinj përgjegjës për Balkanin Perëndimor

Ashtu siç edhe ishte parashikuar, Partia Popullore Europiane dhe Socialistët dhe Demokratët pësuan humbje natën e 26 majit, por mbetën dy prej grupeve më të mëdha në Parlamentit Europian. Në anën tjetër, liberalët e Rinovo Europën (ish ALDE), të Gjelbrit dhe të djathtët e Identitet dhe Demokraci fituan deputetë. Rezultatet, megjithatë, nuk sollën ndryshime të mëdha në qëndrimin e këtij institucioni në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

David Sassoli pasoi patriotin e tij AntonioTajani në rolin e Presidentit të Parlamentit Europian, dhe vizita e tij e parë jashtë BE-së ishte në Shkup, Maqedoninë e Veriut. Gjatë vjeshtës, u caktuan deputetët e rinj përgjegjës për rajonin, përfshi raportuesit e rinj: Vladimir Bilčik (EPP) për Serbinë, Paulo Rangel (PPE) për Bosnje-Herzegovinën, Tonino Picula (S&D) për Malin e Zi, Isabel Santos (S&D) për Shqipërinë, Ilhan Kyuchyuk (Rinovo) për Maqedoninë e Veriut dhe Viola von Cramon-Taubadel (të Gjelbrit) për Kosovën.

Komisioni Europian publikon Raporte vjetore më kritike

Raundi final i raporteve vjetore për Balkanin Perëndimor të nxjerra nga Komisioni i Juncker-it u publikuan më 29 maj. Ashtu siç pritej, dolën në pah probleme të ngjashme në të gjithë zonën—fjalia Korrupsioni është i shumëpërhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese shfaqet në çdo raport—por vlerësimi i situatës së përgjithshme ndryshonte sipas vendit. Teksa Maqedonia e Veriut mori kryesisht vlerësime pozitive, situata në Serbi u kritikua më qartë se vitet e shkuara, sidomos në lidhje me punën e parlamentit dhe mungesën e progresit në adresimin e çështjeve për lirinë e medias.

Lamtumirë fytyrave tënjohura...

Pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian, sigurisht, që duhej zgjedhur edhe Komisioni i ri Europian. Kështu që rajoni do t’i shohim më pak njerëzit me të cilët ishte mësuar gjatë pesë viteve të fundit: Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim Johannes Hahn, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Përveç kësaj, pas pesë vitesh në detyrë,  Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, gjithashtu u tërhoq nga detyra për t’u bërë presidenti i ri i Partisë Popullore Europiane.

--dhe mirë se erdhën të rejat

Më 16 korrik, Ish-ministrja gjermane e mbrojtjes Ursula von der Leyen u zgjodh si Presidentja e re e Komisionit Europian, e para grua në këtë post. Që nga zgjedhja e saj ajo vazhdimisht është shprehur në mbështetje të zgjerimit të BE-së. Diplomati veteran spanjoll Josep Borrel pasoi Mogherinin si Përfaqësues i Lartë, duke e përfshirë dialogun Beograd-Prishtinë në listën e prioriteteve të tij.

Komisioni i Von der Leyen duhej të fillonte mandatin më 1 nëntor, por u shty me një muaj për shkak, mes shumë arsyeve të tjera, të pozicionit të Komisionerit për Zgjerim. Në nëntor, kandidati hungarez Olivér Várhelyi më në fund mori dritën jeshile nga parlamenti, pas refuzimit të kandidatit të parë László Trócsányi. Fillimi i mandatit të Komisionit përkoi me ditën e parë të punës të Presidentit të ri të Këshillit Europian Charles Michel.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri e polarizojnë edhe më shumë vendin

Në  çka pritej të ishin zgjedhjet e fundit të rëndësishme të 2019, pjesa më e madhe e opozitës, përfshi Partinë Demokratike, vendosi që të bojkotonte zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo mund të jetë thjesht një parathënie për një krizë edhe më të thellë ose, me shpresë, momenti më i keq para përmirësimit. Përpjekjet e Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet e vendosën atë kundra ish-partnerit të koalicionit, Partisë Socialiste.

Procesi i Berlin lëviz në rajon

Në vijim të Samitit të gjashtë vjetor në kontekstin e Procesit të Berlinit, të filluar më 2014 nga Gjermania, të mbajtur në qytetin polak Poznan, një presidencë e përbashkët u lajmërua për 2020: Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Takimi i këtij viti, mbajtur 3-5 korrik, mbështeti Axhendën e Asocimit, Zonën Rajonale Ekonomike, si edhe angazhimin për fuqizimin e ligjit, të drejtave themelore dhe mirëqeverisjes në rajon.

Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës fitojnë zgjedhjet, ngecin bisedimet për koalicion

Që rajoni nuk mund të shpëtojë pa të paktën një palë zgjedhje rajonale në vit u vërtetua nga zgjedhjet e parakohëshme në Kosovë, pasi Kryeministri Ramush Haradinaj u ftua në seancë dëgjimi në Zyrën e Prokurorit Special për Kosovën në Hagë. Partitë opozitare LDK dhe VV fituan zgjedhjet, që u përshkruan nga Misioni i BE-së si konkurruese, të mirëadministruara dhe transparente. Nuk ishte kështu në Veri, kur Lista Srpska, e mbështetur nga Beogradi, fitoi 95% të votave në një atmosferë intimidimi.

Koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga drejtuesi i Vetëvendosjes Albin Kurti, pritet që prej atëherë, por negociatat kanë ngecur. Lajmërimi më i ri është se LDK është gati që të mbështesë një qeverisje minoritare të Vetëvendosjes.

Shtetet e Bashkuara caktojnë jo një, por dy të Dërguar Special për rajonin

I pari ishte Matthew Palmer, Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të ShBA-ve, i cili në fund të gushtit ishte caktuar nga Departamenti i Shtetit si Përfaqësuesi Special i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor. Pastaj u ngrit pyetja nëse edhe BE-ja do të kishte të deleguarin e vet special për rajonin, siç kishin argumentuar disa gjatë verës (sipas thashethemeve do të ishte Ministri i Punëve të Jashtme të Slovakisë Miroslav Lajčak).

Por doli se vetë Shtetet e Bashkuara kishin më shumë se një të dërguar special. Në tetor, presidenti Donald Trump emëroi Richard Grenell, ambasadorin aktual të ShBA-ve në Gjermani, si ‘i Dërguari Presidencial Special për Negociatat mes Serbisë dhe Kosovës’. Teksa emërimi i Palmer-it u lavdërua nga komentatorët për shkak të eksperiencës së tij, rajoni u kap në befasi nga Grenell, por diplomatët kanë lajmëruar se ata do të punojnë së bashku.

Ngjarja e vitit: Këshilli i BE-së nuk hap negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Më 18 tetor u bë e qartë që nuk do të kishte një vendim pozitiv për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të dytën herë brenda vitit (hera e parë ishte në qershor). Franca u pa si kundërshtarja kryesore e vendimit, por kishte dhe shtete-anëtare të tjera, si Hollanda dhe Danimarka, që kishin rezerva të forta.

Presidenti Emmanuel Macron, i cili vizitoi Beogradin më mes-korriku, e justifikoi vendimin me prioritetin e reformës së brendshme të BE-së, përfshi edhe procesin e zgjerimit. Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit Zoran Zaev ishte të propozonte zgjedhje të parakohshme, të cilat do të zhvillohen në prill të 2020.

Reagimi ndaj vendimit ishte më i fortë nga sa parashikohej: presidentët e Këshillit Europian, Komisionit Europian dhe Parlamenti Europian e dënuan si një ‘gabim historik’, teksa javën pasuese Parlamenti Europian adoptoi një rezolutë në mbështetje të hapjes së negociatave. Drejtues të shumtë të shteteve-anëtare të BE-së, zyrtarë dhe ekspertë të BE-së e kritikuan mungesën e një vendimi pozitiv, duke cituar në veçanti përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur mosmarrëveshjen e vjetër me Greqinë.

Hapja e debatit për reformën për zgjerimin e BE-së

Si reagim ndaj kritikave që pasuan pas vetos së presidentit Macron, në nëntor Franca publikoi një jo-dokument* mbi reformën për zgjerimin e BE-së, që u pasua nga një propozim i dytë nga nëntë shtete-anëtare, përshi Italinë, Austrinë, Poloninë dhe Republikën Çeke. Bashkimi Europian ka lajmëruar propozimin e vet për në janar.

Teksa pjesa më e madhe e ekspertëve mbi Ballkanin Perëndimor e kanë kritikuar mosvendimin e Këshillit të BE-së, debati se si duhet të përmirësohet procesi i zgjerimit ka kohë që po zhvillohet. Pritet që të jetë në fokus të paktën deri në Samitin BE-Balkani Perëndimor në Zagreb, në maj, dhe me shumë gjasa edhe më tej.

Udhëheqësit fillojnë procesin e tyre për integrimin rajonal

Teksa u bë e qartë që BE-ja ka nevojë që të sqarojë pozicionin e saj në rajon, udhëheqësit e Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, u munduan të prezantonin të paktën disa aspekte të integrimit të ekonomisë dhe fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor. I ashtuquajturi propozim për mini-Shengen u diskutua në Novi Sad në tetor, në Ohër në nëntor, dhe në Tiranë në dhjetor. Takimi i fundit pasoi një seri tërmetesh që ranë në Shqipëri dhe tregoi një solidaritet rajonal të shumë-nevojitur. Presidenti i Malit të Zi iu bashkua takimit në Tiranë, ndërsa Presidenti i Kosovës refuzoi të merrte pjesë për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga ana e Serbisë.

Bosnja dhe Herzegovina pa një qeveri për më shumë se një vit

Zgjedhjet e përgjithshme u mbajtën në 7 tetor, 2018, dhe u deshën trembëdhjetë muaj për të emëruar kryetarin e ri të Këshillit të Ministrave, që në fund doli të ishte Zoran Tegeltija nga partia SNSD. Anëtarët e plotë të Këshillit u konfirmua më 23 dhjetor. Arsyeja kryesore për këtë vonesë të gjatë ishte mosmarrëveshja për Programin Kombëtar Vjetor, pjesë e Planit të Veprimit për Anëtarësimin mes Bosnje-Herzegovinës dhe NATO-së.

U hapën vetëm dy kapituj negociatash, asnjë nuk u mbyll

Me procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që mbetet i pahapur, dikush mund të ketë shpresuar për të paktën një ritëm paksa më produktiv me Malin e Zi dhe Serbinë. Megjithatë, i pari ka mbetur në 32 kapituj të hapur nga 33 dhe tre të mbyllur, ndërsa Serbia në 2019 hapi vetëm dy kapituj të rinj, një rekord i ulët, dhe përsëri nuk ka arritur të mbylli asnjërin prej tyre. Jo-dokumenti i fundit i Komisionit Europian mbi gjendjen e ligjeve në Serbi zbuloi se ka vonesa serioze në një sërë reformash që lidhen me zbatimin e ligjit, si edhe me koordinimin e politikave anti-korrupsion.

Vendet e Balkanit Perëndimor janë shumë afër krizave elektorale në 2020

Viti filloi me protesta të forta anti-qeveritare që tronditën Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Përfundoi me kryesisht biseda të pasuksesshme mes qeverisë dhe opozitës për kushtet elektorale në të tre vendet. Edhe pse reforma për proceset elektorale është në implementim e sipër në të tri vendet e Ballkanit Perëndimor, ato janëtë pllakosura nga mungesa e besimit mes qeverisë dhe opozitës, duke rezultuar në një sërë dështimesh dhe vonesash. Teksa BE, OSBE dhe të tjerë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar po mundohen që të ndërmjetësojnë situatën, askush nuk duket i lumtur me rezultatet aktuale.

Serbia, ku euro-deputetët Tanja Fajon dhe Vladimir Bilčik dhe ish euro-deputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein ndërmjetësuan tre raunde dialogu, do të jetë testi i lakmusit për pjesën tjetër të rajonit—zgjedhjet e tyre parlamentare duhet të zhvillohen para fundjavës së parë të majit 2020. Zgjedhjet në Mal të Zi janë planifikuar të zhvillohen në pjesën e dytë të vitit, ndërsa ato në Shqipëri nuk do të zhvillohen deri në 2021. Opozita në secilin vend nuk e ka përjashtuar bojkotin si një nga opsionet.

*në gjuhën diplomatike, një ‘jo-dokument’ përdoret kur një qeveri do të përçojë një mesazh te një qeveri tjetër apo te aktorë të tjerë shtetërorë, por duke mos mbajtur asgjë në rekord zyrtar.

Përktheu për Politiko.al: Ina Xhani

Të fundit