Flash News

OP-ED

Palimpsesti amerikan me Berishën 

Palimpsesti amerikan me Berishën 

Genti Çela

“Amerika ka vetëm nje aleat, mbron interesat vetëm të një aleati dhe i shërben vetëm një aleati, Amerikës” - shkruan Henry Kissinger në librin “Diplomacia”.

Fakti që Amerika mbron interesat e Amerikës, nuk do as mend as kalem, e gjithçka tjetër mund të ndryshojë në këtë shekull globalizmash, edhe Amerika, veç këtij palimpsesti të gjithhershëm nga Toka e Premtuar.

Shpallja ‘persona non grata’ e ish presidentit dhe ish kryeministrit Berisha, nga një tweet i kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara, si i korruptuar dhe rrezik për demokracinë, të sjell ndërmend Noam Chomsky-n, një gjuhëtar, filozof, kritik shoqëror dhe jo pak kritik i politikave të Amerikës, por jo non grata, atje ku jeton e shkruan qetësisht si një fenomen global dhe kundështonjës i thekur i shumë prej aksioneve amerikane me ndikim botëror.

Chomsky shkruan se “përkrahja ndaj demokracisë është kompetencë vetëm e ideologëve dhe propagandistëve. Në botën e vërtetë, ka prova të pamohueshme se shpesh demokracia amerikane përkrahet vetëm deri në atë pikë, ku ajo kontribuon në arritjen e objektivave ekonomike, një përfundim ky që pranohet pa dëshirë nga akademikët që janë më seriozë se zakonisht.“

Mukajet e përplasjeve të z. Berisha në projekte dhe investime që arrijnë miliarda $, investuar në vend e rajon nëpërmjet lobingjeve të njohura, edhe pse mbështjellë me konspiracionizëm, janë aty, të dukshëm e të qartë nën rrogozin e prapaskenës së teatrit me tituj leksionesh mbi liri e demokraci.

Kundërshtimi i këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, Minishengen-i, Reforma lëmake në Drejtësi, me pritjet godoniane për pak reformë e pak drejtësi, janë vetëm disa prej projekteve që të vijnë ndërmend të cilat kanë hasur qendresën e ish-kryeministrit.

Koha do i japë ose të drejtë Doktorit që rivendosi marrdhëniet diplomatike të popullit më proamerikan në planet me Shtetet e Bashkuara.

Deri atëherë, ai do të duhet të luftojë me të drejtën për vetëmbrojtje, me jo pak kuzhina “shoqërish të hapura” këtej e andej oqeanit.

Akuzat për korrupsion, që i referohen një dekade më parë, pa vënë dorën në zjarr për askënd, duken miturake kur mendon se çfarë i ndodh sot vendit nga hajnia dhe po aq nga heshtja e gjuhës së drunjtë ndërkombëtare mbi afera të rënda e të faktuara.

“Kur na çojnë në Shqipëri qajmë, e kur ikim qajmë sërish” - tha një ambasador italian kur përfundoi misionin diplomatik në vendin tonë.

Humori i ambasadorit italian, fton të mendosh se mot juste - fjala e duhur në raste të të tilla, është dashuria mbi vendin, veten, pa menduar se një tëhuajësi, do e dojë më shumë nga ne.

Askush nuk dëshiron të ketë dalzotës si një proteksionizëm ekonomik.

Mbi të gjitha, asnjë vendim i ndikuar nga cilatdo lobingje, nuk duhet të shukë dashurinë tonë mbi Amerikën, që për hir të së vërtetës, vitet e fundit, është trandur jo pak.

Mjaft t’u hedhësh një sy kalimtar komenteve në postimet e U.S Embassy - Tirana.

God bless America! Zoti bekoftë Shqipërinë!

Të fundit