Flash News

KRYESORE

Pa punë prej 11 muajsh, naftëtarët e Ballshit nesër tubim në Tiranë: Kemi 20 paga pa marrë, s'kemi bukë

Naftëtarët e Ballshit do të mbildhen nesër në një tubim para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, pasi ende nuk kanë marrë përgjigje për pagat dhe ndodhen prej 11 muajsh pa punë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ata deklarojnë se kanë 20 paga pa marrë ndërkohë që gjendja e tyre ekonomike është tepër e vështirë.

Në njoftim gjithashtu thuhet se të ndodhur në këtë situatë ata kanë vendosur ta përshkallëzojnë protestën te Ministria e Energjisë, Parlamenti, Kryeministria dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Teksa fajësojnë këto institucione, ata bëjnë thirrje që qeveria të japë zgjidhje njëherë e mirë për 800 naftëtarë, 800 familje dhe gjithë krahinën e Ballshit.

Më tej ata kanë ftuar në protestë edhe qytetarët të solidarizohen dhe ti mbështesin në kërkesat e tyre.

Njoftimi i plotë:

Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona!

Janë të shumtë rastet që naftëtarëve iu është ndërprerë edhe uji e energjia elektrike në shtëpitë e tyre. Jemi pa punë, pa pagë dhe pa perspektivë!

Grevat, protestat dhe manifestimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Pronarët që na janë prezantuar si seriozë, kanë rezultuar të jenë mashtruesit e radhës. Situata jonë sa ka ardhur dhe është rënduar: tashmë është bërë e padurueshme!

Të ndodhur në këtë situatë, kemi vendosur që protestën ta zhvendosim në Tiranë, te Ministria e Energjisë, Parlamenti, Kryeministria dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Këta institicione, që janë shkaktarë të situatës ku jemi, duhet të japin zgjidhje njëherë e mirë për 800 naftëtarë, 800 familje dhe gjithë krahinën e Ballshit!

Ju bëjmë thirrje gjithë naftëtarëve që të bashkohen ditën e nesërme, 17 SHTATOR, ORA 11:00, PARA MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË!

Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen dhe t’na mbështesin në kërkesat tona.

BASHKOHEMI PËR TË DREJTAT TONA, PËR DJERSËN E BALLIT DHE BUKËN E FËMIJËVE!

PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!

Të fundit