Flash News

OP-ED

Plakja e pakthyeshme e Ramës

Plakja e pakthyeshme e Ramës

Fitim Zekthi

Kryeministri Rama tashmë është shumë i vjetër, i lodhur, i drobitur. Atij nuk i ka mbetar më asgjë e re për të bërë, në mënyrë që t'i bëjë njerëzit ta besojnë. Për shumë e shumë kohë, ai i ka bërë të gjitha. Propagandë e ethshme, përdorim i mediave, lidhje me grupe biznesi, intriga për të marrë kontrollin e Partisë Socialiste, kapërcime të thella në ide, përmbysje situatash dhe miqësish, nisje nga e para, intriga për ta mbajtur partinë, luftë e përditshme për të fituar detyrën e kryeministrit, tërheqje dhe sulme, marrëveshje dhe shkelje marrëveshjesh, premtime dhe shkelje premtimesh etj.

Edi Rama është politikani aktual që ka qenë më gjatë në pushtet, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në rajon, jo vetëm në të gjithë Europën, por edhe në botë. Atij ia kalon Raul Castro (presidenti i Kubës) që është bërë Sekretar i dytë i Partisë Komuniste të Kubës në 1965 (vëllai i Fidelit), Aleksandër Lukashenko, që është bërë president i Bjellorusisë në vitin 1994, Presidenti  Nursultan Basajev i Kazakistanit, që  hipi në pushtet në 1990 dhe u largua disa muaj më parë, Presidenti Karimov i Uzbekistanit, që erdhi në pushtet në 1990 dhe u largua në 2016, Presidenti i Algjerisë Buteflika, që kërkonte një mandate të pestë, por u largua pak muaj më parë etj.

Edi Rama ka ardhur në pushtet në vitin 1998. Ai ka qenë dy vjet ministër Kulture, njëmbëdhjetë vjet kryetar Bashkie dhe tani ka gjashtë vjet kryeministër. Në këto 21 vite ai ka qenë 19 vjet në pushtet.

Gjithë këto vite konsumim kanë shterrur tek ai çdo mundësi për akrobaci apo spërdredhje, kanë zhdukur çdo milimetër katror hapësirë për tua hedhur njerëzve, qofshin këta politikanë, gazetarë  apo njerëz të thjeshtë. Ai është në pikën ku ishte ish-Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, kur po rrëzohej nga protestat në Kajro. Peggy Noonan, ish-këshilltare e presidentit Reagan, shkroi për presidentin Mubarak se, pas gati 30 vitesh në pushtet atij nuk i kishte mbetur më asgjë për t'i thënë popullit. Mubarak kishte konsumuar gjithçka dhe askush nuk e besonte për asgjë. Ai kishte mbërritur në pikën kur, jo vetëm që dështimet në ekonomi, korrupsioni, krimo, zhdukja e shpresës etj., i faturoheshin me të drejtë atij, por ai fajësohej nga njerëzit edhe për thatësirën apo stuhitë e rërës. Pra, nuk mund të besohej më për asgjë.

Protestat e tri ditëve të fundit të opozitës, me të vërtetë e tronditën qeverinë e kryeministrit Rama. Të dielën ai u përpoq për dy orë rresht me gazetarët të “prekë telat” e njerëzve dhe të atyre që dalin në protesta. Rama u foli për dhunën që udhëheqin njerëz të PD-së, që kanë hallin e tyre, që jetojnë në luks, që nuk kanë hallin e popullit. Rama u përpoq të ndajë njerëzit nga opozita. Rama u foli për dhunën që dëmton Shqipërinë, Shqipërinë që ai e donte aq shumë dhe opozita donte ta digjte me molotov. Rama u foli për kërcënimet që u bëjnë dhunuesit ndërkombëtarëve. Rama u foli për dallimin mes tij dhe PD-së, ku Rama ishte i miri dhe ata të këqijtë. Rama, megjithatë, tha se ai pranonte dialog sepse kishte hallin e njerëzve, të integrimit, të Shqipërisë, të familjeve të varfra etj.

Të hënën protesta ishte e madhe sa edhe të shtunën, megjithë një shi të dendur dhe të vazhdueshëm. Njerëzit ishin po aty, po aq shumë dhe për orë të gjata. Ata që e kanë ndjekur Ramën nga televizori me siguri kanë qeshur me përbetimet e Ramës për dhembshuri ndaj njerëzve, me përbetimet për përkushtim, me përbetimet për luftë ndaj krimit, me përbetimet për luftë ndaj drogës, papunësisë etj. Nuk janë pak 21 vite, nuk janë pak 19 vite në pushtet. Të njëjtat gjëra 19 vite, të njëjtat gjëra 21 vite. Por, vitet e kanë plakur shumë, ato kanë lënë shenja të pakthyeshme.

Rama sot është njëlloj si banorët Strulbrugs të ishullit të Lugnag në librin “Udhëtimet e Guliverit" të Xhonatan Suift. Strulbrugsat ishin njerëz të pavdekshëm. Deri në moshën 30 vjeçare ata jetonin pa e ditur që ishin të pavdekshëm dhe silleshin si njerëz të zakonshëm. Pas kësaj moshe ata e kuptonin që ishin të pavdekshëm dhe i kapte një dëshpërim i vazhdueshëm. Në moshën 80 vjeçare ata ishin plakur dhe hynin në një fazë të re të jetës. Pas kësaj moshe ata nuk kishin më të drejtën të kishin asnjë pronë. Ligji nuk u lejonte asgjë. Ata konsideroheshin të vdekur nga ligji ndonëse ishin gjallë dhe të pavdekshëm. Ata nuk kishin më të drejtë as të bënin marrëveshje, as të bënin kontrata, as shisnin dhe blinin, as të kërkonin dhe as të punonon. Në moshën 90 vjeçare ata humbnin dhëmbët dhe flokët. Atyre iu shfaqeshin të gjitha sëmundjet dhe dhimbjet që shfaqen me ardhjen e pleqërisë. Atyre iu jepej shumë pak ushqim. Pas një moshe të caktuar ata humbnin edhe ndjeshmëritë, edhe aftësinë për të komunikuar, e me radhë e me radhë…

Kryeministri Rama ka thënë për Courrier de Balkans, në vitin 2013, një ditë pas fitores së zgjedhjeve, se ai ka një problem për të zgjidhur me vdekjen dhe këtë synon ta bëjë përmes politikës. Çfarëdo zgjidhje t'i ketë dhënë kryeministri Rama problemit të vdekjes, ai nuk mund të shmangë plakjen, konsumimin, drobitjen që shkaktojnë vitet. Ai, si Strulbrugsat, ka hyrë në periudhën kur ka konsumuar gjithçka, dhe askush nuk i beson më, në një kuptim politik, të drejtën e pronës, të kontratës, të marrëveshjes, të punës etj. Politikisht ai është sot një zombie.

Të fundit