Flash News

KRYESORE

Njihuni me Rudinën, mësuesja e meditimit që hoqi dorë nga gazetaria

Të meditosh do të thotë “me- dit-o”, të dish, të njohësh, t’i njohësh gjërat dhe fenomenet për atë çka janë dhe jo për atë që ne mendojmë se ato janë për shkak të emocioneve momentale, për shkak të asaj që na kanë prezantuar shoqëritë tona dhe të gjendjes së ulët të vetëdijes që kemi si rrjedhojë e stresit. Të meditosh do të thotë të ulesh dy herë në ditë me sytë mbyllur dhe për 20 minuta të praktikosh qetësinë, të prekësh fushën e unifikuar (siç e quan ndryshe fizika kuantike), fushën e të gjitha mundësive. Disiplina e meditimit ka filluar të jetë e populluar edhe në Shqipëri, ku dita ditës interesi i shqiptarëve për meditimin është në rritje.

“Qëkurse kam filluar të meditoj jam bërë gjithnjë e më vetja ime”, kështu e nis bisedën Rudina Kopo, vajza nga Tirana, e diplomuar për  ‘Gazetari dhe Komunikim’ dhe prej 3 vitesh instruktore e teknikës së meditimit.

Në një intervistë për “Politiko.al” Rudina rrëfen se çfarë është meditimi dhe si funksionon kjo disiplinë në Shqipëri.

Çfarë është meditimi?

Të meditosh do të thotë që dy herë në ditë të merresh vetëm me veten tënde dhe me asgjë tjetër. Kjo është një lloj shfaqje dashurie ndaj vetes. Vetëm kur ne çdo ditë kujdesemi për veten, mund të kujdesemi më mirë edhe për të tjerët. Praktika të tilla kanë ardhur më së shumti “andej nga lind dielli”, nga lindja, por në Shqipëri Meditimi Transcendental erdhi nga Hetem Ramadani, biznesmeni dhe filantropi nga Kosova i cili pas një situate të ngarkuar dhe stresante vendosi të provonte praktikimin e kësaj teknike. Më vonë e futi atë në kompani për të gjithë stafin dhe pa rritje  të performancës në punë, përmirësim të marrëdhënieve, rritje të satisfaksionit nga puna dhe rritje të jashtëzakonshme të të ardhurave të kompanisë. Më vonë ai vendosi që ta ofronte teknikën e MT pa pagesë për qindra shqiptarë.

Sa kohë ka në Shqipëri dhe sa veta e praktikojnë?

MT ka në Shqipëri e Kosovë që prej vitit 2013 me financimin fillestar që zoti Ramadani bëri dhe ku unë mësova teknikën e MT. Që prej atëherë përhapja e teknikës së MT ka ardhur gjithmonë në rritje. Deri tani në Shqipëri, janë mbi 1000 persona që kanë marrë teknikën e MT që prej shkurtit të vitit 2013 e deri në momentin aktual.

Cila është arsyeja pse një njeri duhet të meditojë?

Arsyet janë të pafundme duke filluar që nga ulja e nivelit të stresit, rritja e përdorimit të kapacitetit mendor, funksionimi i trurit në mënyrë më koherente, mirëmbajtja e sistemit nervor dhe parandalimi i problemeve të ndryshme shëndetësore, përmirësimi i marrëdhënieve dhe krijimi i një sjellje sociale më ideale e deri te rritja në vetëdije, pasurimi me dije dhe kulturimi i mendjes dhe trupit, të njohurit dhe të krijuarit të marrëdhënieve me njerëz më pozitivë dhe që luajnë rol kyç në mbarëvajtjen e jetës sociale, kulturore, politike, etj. Meditimi përmirëson çdo fushë të jetës dhe pothuajse çdo individ që ka lënë gjurmë në shoqërinë njerëzore ka medituar në një formë apo në një tjetër.

Një gazetare e diplomuar që është mësuese meditimi? Sa lidhje kanë me njëra-tjetrën?

Në pamje të parë aspak. Unë mendoj se të dyja i shërbejnë njëra-tjetrës. Gazetaria dhe komunikimi më kanë shërbyer shumë për të njohur nga jashtë natyrën njerëzore, kurse meditimi për ta njohur nga brenda atë. Studimet në shkollë të japin elokuencë në të folur dhe mua më kanë ndihmuar të mundem të komunikoj te të tjerët subjekte që duken shumë të vështira për t’u shpjeguar apo kuptuar intelektualisht. Jam mirënjohëse për eksperiencën në të shkuarën sepse mua gazetaria dhe komunikimi më dhanë mundësinë të njoh shtresën më të stresuar të shoqërisë, ata që merren me përçimin e lajmit stresues te publiku i gjerë dhe të jem pjesë e asaj shtrese për të kuptuar se si nuk e dua sistemin tim nervor, si mund të bëhet një gazetari më e mirë dhe që t’i shërbejë vërtetë individit në praktikë.

Cili është mësimi ose mesazhi më i madh që keni marrë qëkur keni filluar të meditoni për herë të parë?

Do thoja që kam bërë diçka edhe më të mirë, KAM Ç’MËSUAR (dhe ky është një proces shumë herë më i vështirë se të mësuarit). Kam ç’mësuar të qenët e varur dhe jo e lirë. Kam ç’mësuar të jem e palumtur. Kam ç’mësuar të jem gati-gati e programuar nga sistemi, ç’thotë shoqëria, si më shohin, çfarë thonë për mua, çfarë duhet të bëj, si duhet të punoj. Kam ç’mësuar të jem e stresuar dhe në pritje të lëvizjes së ardhshme goditëse të shoqërisë. Kam ç’mësuar të sillem si dikush që s`jam, si dikush që pritet të sillet sipas disa kornizave që nuk janë vendosur nga unë.

A nevrikoset ndonjëherë dikush që mediton rregullisht dhe si i menaxhon situatat e stresit?

Te ata që meditojnë niveli i stresit është në rënie çdo ditë e më shumë. Sistemi nervor pastrohet nga streset, nga papastërtitë ndaj dhe individi spontanisht sillet më qetë, me më shumë dashuri, është më i logjikshëm. Korteksi prefrontal (drejtori jonë i logjikshëm që na diferencon nga të qenët kafshë) dhe amigdala (qendra e stresit) funksionojnë ndryshe. Me pak fjalë, çdo situatë për medituesit duket shumë herë më pak stresuese. Perceptimi ndryshon. “Rreziku është aktual por frika është iluzion”- thotë Will Smith në një nga filmat e tij.  Pra, një meditues nevrikoset shumë më pak dhe “shumë më butë” se njerëzit që nuk meditojnë, derisa vjen momenti kur medituesi jo vetëm që nuk nevrikoset por gjen arsye për t’u gëzuar edhe aty ku më parë shihte vështirësi.

Mesazhi për njerëzit që nuk meditojnë

Njiheni veten (përtej asaj që ju është thënë deri tani) për të kuptuar se çfarë jeni të aftë të bëni, të krijoni, të dhuroni. Njiheni gjithçka vet, me eksperiencë, me përjetim dhe pastaj krijoni një ide mbi gjithçka. Mbështetuni në ato aftësi dhe mundësi që natyra ju ka dhënë. Me-dit-oni kur të jeni gati.

 

Të fundit