Flash News

KRYESORE

Qëndrimi i Vetëvendosjes në Shqipëri: Mos e përdorni krizën për të shtypur lirinë e shprehjes!

Qëndrimi i Vetëvendosjes në Shqipëri: Mos e përdorni

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri kërkon nga qeveria shqiptare që të mos ta përdorë krizën që ka goditur vendin për të dëmtuar lirinë e shprehjes.  Të tilla politika, kjo lëvizje i paralelizon me metodat e regjimeve me prirje autoritare, të cilat përpiqen që t’i përdorin krizat për konsolidimin e autoritarizmit.

“Kjo strategji ndjek një model të mirëstudiuar nëpër botë, atë të “terapisë së shock-ut”: prit për një krizë; deklaro një periudhë gjendjeje të jashtëzakonshme; pezullo pjesërisht disa norma demokratike; shfrytëzo çorientimin e publikut pas një shoku kolektiv; dhe më tej mirato ligje që do ishin krejtësisht të papranueshme në periudha para krizës. E tillë duket situata pas tërmetit, me projektligjin për mediat të qeverisë Rama, e cila prej një viti po rreket të kalojë një ligj që vë nën kontrollin e plotë qeveritar të gjitha mediat në Shqipëri.”, reagon VV-ja në Shqiëpri.

Sipas kësaj lëvizjeje, “projektligji aktual e kthen Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri në insitucionin shtetëror që vendos se çfarë është e lejueshme të thuhet publikisht, duke i dhënë kompetenca për vendosjen dhe ekzekutimin e gjobave të larta edhe përpara se të shprehet gjykata për rastin. Duke qenë se anëtarët e Bordit të AMA-së votohen nga Kuvendi, ky projektligj e vendos të drejtën e lirisë së shprehjes në duart e shumicës parlamentare, pra të subjektit që ka pushtetin. Për më tepër, projektligji ka zgjeruar kompetencat e AMA-së, duke synuar shtrirjen e kontrollit edhe mbi portalet që veprojnë e botojnë në Shqipëri.”

VV-ka vë në dukej faktin që pronarët më të mëdhenj në tregun komercial të transmetimeve televizive pa pagesë janë Familja Hoxha me "Top Media", Familja Frangaj me "Klan TV", Familja Dulaku me "Media Vizion" dhe Irfan Hysenbelliu me Neës24, të cilët së bashku zotërojnë rreth 90% të tregut të mediave audiovizive – ku dy të parët kontrollojnë 71.7% të tregut.

Ndërkohë që gazetarët janë të keqpaguar, shpesh pa kontrata pune dhe sigurime, si dhe të detyruar të punojnë me orare të stërzgjatura.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bashkohet zërave që e kundërshtojnë këtë projektligji. Ne synojmë koordinimin me organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar për të krijuar një front të përbashkët qe e ndal tentativën e qeverisë Rama për të rritur edhe më tej autoritarizmin. Bëjmë thirrje të rritet liria dhe siguria e gazetarëve, përmes zbatimit të ligjit të punës, lidhjes së kontratave të rregullta, dhe zhvillimit të sindikatave e shoqatave të tyre. Të ndalet sulmi qeveritar e oligarkik ndaj fjalës e shtypit të lirë, të demokratizohet media dhe shoqëria.”

Të fundit