Flash News

KRYESORE

Rama për hetimin ndaj Tahirit: Qeveria ime për t’u marrë shembull, përgjegjësia personale

Rama për hetimin ndaj Tahirit: Qeveria ime për t’u marrë

Kryeministri Edi Rama nuk komenton vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai thotë se përgjegjësia është personale, porse qeveria e tij duhet të merret shembull për mënyrën se si reagon ndaj kujtdo që ka probleme me ligjin.

I pyetur nga Top Channel se si e priti vendimin e dënimit për shpërdorim detyre të Saimir Tahirit, i vlerësuar nga ana e tij si ministri kampion, ai u përgjigj: “Është një çështje e drejtësisë dhe unë s’kam komentuar e as komentoj dhe s’kam gjë për të thënë. Kjo është një çështje e drejtësisë dhe unë s’kam asgjë për të thënë sepse procesi vazhdon.”

I pyetur nëse ai ka përgjegjësi morale dhe politike për këtë dënim duke qenë se Tahiri ka qenë një nga bashkëpunëtorët dhe ministrat e tij më të rëndësishëm, Rama tha: “Nuk kam asnjë koment për të bërë sepse është një çështje e drejtësisë. Nga dita e parë deri në ditën e fundit kam qenë dhe mbetem i idesë se çdo përgjegjësi në raport me ligjin e kujtdo qoftë është personale, ndërkohë që përgjegjësia e forcës politike apo e Qeverisë është mënyra se si reagon ndaj cilitdo që ka një problem me ligjin. Në këtë aspekt besoj se jemi një shembull i pakonkurrueshëm në historinë e këtyre 30 viteve.”

Të fundit