Flash News

OP-ED

Reforma në drejtësi, pse ka munguar 'alternativa e tretë'

Reforma në drejtësi, pse ka munguar 'alternativa e

Alfred Lela

Komentariati politik, përfshirë autorin e këtyre radhëve, nuk kanë qenë seriozë, të vërtetë dhe as të thellë me reformën në drejtësi. Këto mangësi nuk i zbulon ndonjë 'mungesë e karakterit' sa një fakt i thjeshtë: analistët kanë formuar dy rreshtime klasike që e kanë orientuar, si mendimin ashtu edhe publikun, sipas mesazheve të përpunuara në selitë e tri partive kryesore PD, PS dhe LSI.

Nuk ka patur jetë mendimi përtej këtij rreshtimi fanatik, përtej kësaj dikotomie që e shpreh Shqipërinë dhe problemet e saj sipas asaj që i thotë L. Basha G. Bardhit dhe E. Rama T. Ballës. Opozita i është përmbajtur filozofisë se reforma 'ka lindur e vdekur', se mazhoranca e ka kapur, se ndërkombëtarët mbështesin një reformë që e ka hedhur drejtësinë në prehrin e një pale, apo duke shkuar edhe më tej, sipas stilemës komuniste të 'armikut të jashtëm në bashkëpunim me të brendshmin': ndërkombëtarët janë blerë.

Mazhoranca ka ligjëruar krejt të kundërtën: reforma është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Shqipërisë, opozita ka frikë nga reforma 'se është e inkriminuar'; qeveria ka vullnetin absolut për të mbështetur reformën, dhe 'kaseta' të tjera të stërdëgjuara nga kuç e maç në kampin qeveritar.

Publiku nuk ka pse ta kërkojë të vërtetën, as te këto dy linja mendimi dhe as te ndonjë i tretë, se sa te një eksperiment. I duhet t'i imagjinojë të gjithë aktorët me vende të këmbyera: demokratët në pushtet dhe socialistët në opozitë. Cila do të ishte gjuha e përdorur nga palët përkatëse? A do thonin të njëjtën gjë Basha me tijtë, duke e linçuar reformën apo G. Bardhi do ishte duke folur fjalët e T. Ballës? E njëjta gjë për socialistët: çfarë do të thonin ata, do të ishin bashkëpunues apo do të bërtisnin se qeveria e djathtë e ka kapur reformën dhe do ta përdorë për të goditur kundështarët politikë.

Në këtë kuptim ligjërimi publik në Shqipëri për reformën ka rënë pre e instinktit 'çfarë nuk e komandoj unë është e keqe dhe çfarë do kundërshtari është e mbrapshtë'. Palët u bashkuan vetëm përkohësisht, kur rreshtuan 140 marioneta paniku dhe hipokrizie, për të votuar një reformë që asnjëra palë nuk e donte.

Socialistët ishin më të prirur për të luajtur 'dashnorin' e reformës sepse, duke qenë në pushtet, zotëronin më shumë fije të cilat mund t'i përdornin si siguresa në rast se 'bashkëprodukti' u kthehej kundër, të paktën gjatë kohës që ushtronin qeverisjen.

Komentariati politik iu dorëzua këtyre dy rrafsheve të mendimit për disa arsye, më e forta prej të cilave ka të bëjë me atë se përtej dikotomisë qeveri-opozitë nuk ka jetë në Shqipëri. Nuk duhen përpjekje për të stivuar trupat e 'të rënëve' ndër gazetarë, intelektualë dhe aktivistë të shoqërisë civile që janë 'pushkatuar' nga krerët e PS apo të PD, sa herë ka patur dalje nga 'rreshti i fanatikëve'. Secilës palë i interesojnë fanatikët e anës tjetër sepse me anë të tyre ato konfirmohen në sytë e militancës. Kur një fanatik kthjellohet dhe tenton neutralitetin të dyja palët lëngojnë: njëra se ka humbur një ushtar dhe tjetra se i është dobësuar anti-mesazhi. Duke ditur se në komunikim përsëritja e mesazhit është kyçe, por tepria e tij anulon vetveten.

Në kontekstin e reformës të dyja palët e kanë patur të rëndësishme që të kalojë pa u kuptuar. Duke u shitur si produkt politik në të cilin palët kanë aksionet e tyre dhe sipas tyre e luhasin bursën e mesazheve, reforma nuk arriti në asnjë moment të projektohej si e mirë publike apo interes publik.

Ka munguar ajo që mund të quhet 'alternativa e tretë'.

Të fundit