Flash News

KRYESORE

Shkarkimi/ Kritikat e bujshme të Ditmir Bushatit që e bënë “kurban” të Ramës

Shkarkimi/ Kritikat e bujshme të Ditmir Bushatit që e bënë

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të mbajtur pasditen e djeshme, kryeministri Edi Rama ndryshoi tre drejtues në qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Lezhës.

Bie në sy spostimi i Ditmir Bushatit, ish-kryediplomati shqiptar, i cili do të zëvendësohet nga Valdrin Pjetri, kandidati i PS në zgjedhjet e 30 qershorit.

Lëvizja e Bushatit nga ana e Ramës nuk ishte surprizuese, nisur edhe nga përplasjet dhe pakënaqësitë e shprehura nga ana e ish-ministrit që pas shkarkimit të tij dhe zëvendësimin me Gent Cakajn.

Bushati ka mbajtur shpesh herë qëndrime kritike, ndërsa ka konfirmuar edhe në media se me kryeministrin kishte ide të ndryshme për çështje të caktuara. Duket se kjo i ka kushtuar Bushatit, duke marrë kështu një rol edhe më të zbehtë në PS.

Por, cilat janë përplasjet që nuk u anashkaluan në media mes Ramës dhe Bushatit?

Rasti Haradinaj

Rasti më i ‘freskët’ ishte dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Bushati u shprehet se akti i dorëheqjes tregon forcën e një shtetari. Sipas Bushatit, “Ramushi e ka fituar luftën përmes forcës së shembullit po dëshmon së është artizan i paqes”, ndërsa Rama nuk reagoi deri sa në Hagë u thirr edhe ish kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, por edhe në këtë rast duke e përgjithësuar situatën.

I “katapultuari” i Ramës braktiset nga Bushati

Më 26 qershor, kandidati i PS për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri duket se nuk e gëzonte mbështetjen e drejtuesve të partisë së tij në këtë qark.

Gjatë prezantimit të programit elektoral, një nga momentet më të rëndësishme për një kandidat, mungoi Ditmir Bushati, në atë kohë drejtuesi politik i qarkut.

Me sa duket, ata iu distancuan Pjetrit, të cilin e quajnë si të ‘katapultuarin’ Edi Ramës, që nuk njihet për ndonjë kontribut për PS në këtë qark.

Negociatat, lajm negativ

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ne ndryshim nga kryeministri Edi Rama, e quante një lajm negativ mos-hapjen e negociatave për herë të tretë për Shqipërinë, premtimit të qershorit të vitit të kaluar.

Megjithatë, Bushati u shpreh i bindur se rruga e Shqipërinë për në BE mbetet e hapur.

“Është për të ardhur keq që vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk iu përmbajtën konkluzioneve të tyre te qershorit 2018, për çeljen e negociatave për anëtarësim ne BE me Shqipërinë në qershor të 2019. Gjithsesi, rruga mbetet e hapur për në Tetor 2019 dhe Shqipëria e dedikuar me reformat që kanë lidhje me këtë proces”, shkroi Bushati në një postim në ‘Tëitter’.

28-vjetori i PS: Ka persona që e frenojnë

Partia Socialiste festoi në qershor 28-vjetorin e themelimit. Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati reagoi duke shfaqur rezerva. Ai tha se në PS ka persona që frenojnë përparimin. Pa përmendur emra, Bushati këshillonte që partia duhet të ruhet nga disa prej tyre.

“Partia Socialiste mbetet e vetmja alternativë serioze për drejtimin e vendit tonë. Por, procesi i evolucionit në mënyrë të pashmangshme ka edhe deformime apo frenime të mundshme, nga të cilat duhet të ruhemi, që përparimi të mos kthehet në vendnumërim, shpresa të mos kthehet në dëshpërim dhe e ardhmja e shqiptarëve të mos jetë jashtë, por brenda vendit”, shkruante deputeti socialist, për të cilin është raportuar se nuk ka raporte të mira me kryeministrin Edi Rama, që prej shkarkimit.

Bushati s’e mohon qëndrimin pro të Ramës për ndryshimin e kufijve

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka dhënë në maj një intervistë për gazetën austriake ‘Der Standard’, ku nuk ka mohuar se kryeministri Edi Rama i ka dhënë mbështetje ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Pyetja e gazetarit për ish-ministrin ishte e drejtpërdrejtë: “A mendoni se e ka dëmtuar Shqipërinë në çështjen e negociatave për anëtarësim, fakti që Kryeministri Edi Rama ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?”

Bushati nuk e ka mohuar faktin e prezantuar nga gazetari i ‘Der Standard’, për mbështetjen e Ramës pro kësaj ideje, por është shmangur duke dhënë një përgjigje të përgjithshme, ndërsa ai vetë e konsideron propozimin si një hap mbrapa për Ballkanin.

Bushati konfirmon përplasjet me Ramën?

Në 7 maj, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati shprehet se nuk ka asnjë qejf mbetje me kryeministrin Rama për faktin se ai e shkarkoi në dhjetor. Megjithatë, Bushati lë të kuptohet se me kryeministrin kanë ide të ndryshme për çështje të caktuara, kur thotë se “jo në çdo rast idetë apo pikëpamjet që kam mbrojtur mund të kenë qenë idetë që janë përkthyer në politika shtetërore”.

“Nuk kam asnjë qejf mbetje. Nuk kam lindur ministër. Ministri është qiraxhi në zyrën e shtetit. Kam qenë dhe jam politikan. Kam rreth 10 vite që jam në parlament dhe që nga 2011 jam anëtar i Kryesisë së PS. Drejtoj një qark të rëndësishëm me të cilën më lidh edhe e kaluara ime. Për mua nuk ka asnjë lloj qejf mbetje. Për mua është e rëndësishme që të luftoj për ca ide dhe ca pikëpamje. Jo në çdo rast idetë apo pikëpamjet që kam mbrojtur mund të kenë qenë idetë që janë përkthyer në politika shtetërore, por kjo është logjika e çdo qeverie. Kam qenë i respektuar nga kolegët dhe kryeministri në ushtrimin e detyrës që kam mbajtur. Nuk ka ftohje, por ridimensionim të marrëdhënieve.  Kjo vjen nga fakti që unë nuk jam më pjesë e kabinetit qeveritar”, deklaronte Bushati disa muaj më parë.

Kriza Rama-Bushati shfaqet në Shkodër           

Që kur u largua nga posti i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati i shtoi dozat e kritikave ndaj Qeverisë dhe veçanërisht kryeministrit Edi Rama.

Në kuadër të takimit ‘Bashkia që duam’, deputeti Bushati shprehu pakënaqësi me projektin ‘Rilindja Urbane’, që, sipas tij, nuk ka sjellë përfitime për Shkodrën. Një projekt shumë i mbrojtur dhe i reklamuar nga Rama, por që për Bushatin nuk ka dhënë efekt. Efekt në ekonominë e qytetit, tha Bushati, nuk ka dhënë as ndërtimi i stadiumit ‘Loro Boriçi’.

Fjalimi i bujshëm: Mazhoranca s’mund të jetë arrogante

Në prill të këtij viti, ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati u përfol gjatë pas fjalimit ‘therës’ në seancën plenare, duke i dërguar një mesazh edhe kryeministrit Edi Rama.

Duke e nisur me raportin e KQZ, Bushati tha se politika shqiptare është në një situatë të paprecedentë duke iu referuar dorëzimit të mandateve nga deputetët e dy partive parlamentare, e duke iu bashkuar opozitës në krahasimin me Venezuelën. Bushati nuk kurseu një kritikë për të vetët kur tha se maxhoranca nuk mund të jetë arrogante.

“Duke dalë nga parlamenti, unë jam i bindur që opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi. Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetpërmbushëse. Ne jemi PSSH, ne jemi socialist, demokratë, progresist. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë por edhe për fëmijët e opozitës që mungon këtu në sallë”, deklaroi Bushati.

Rama pranon tensionin: Është nervoz

Kryeministri Edi Rama ka pranuar edhe më herët  tensionin që ekziston në marrëdhënien e tij me ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Rama theksoi se Bushati është nervoz, por gjithsesi vijon të jetë pjesë e skuadrës edhe pse ka dalë nga fusha për t’u ulur në stol.

“S’ka problem, është nervoz. Jemi pjesë e skuadrës. Po flas për lojtarë të rëndësishëm, që lëvizin nga fusha në stol. Ka momente irritimi”, theksoi Rama në një nga puntatat e emisionit ‘Real Story’.

Rama ndryshon drejtuesit në qarqe. Spostohet Bushati e Gjylameti, shpërblehet Spiropali

Të fundit