Flash News

KRYESORE

Testet 300 euroshe të Spitalit Amerikan dhe ‘tamponi’ në gojën e opozitës. Disa pyetje dhe një dyshim   

Testet 300 euroshe të Spitalit Amerikan dhe ‘tamponi’ në

Koronavirusi e gjeti botë të papërgatitur. Sfidat kryesore me të cilat u përballën sistemet shëndetësore ishin: mungesë e kapaciteteve testuese në spitale; mungesa e mjeteve mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe padyshim mungesa e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për të përballuar fluksin e personave të infektuar. Disa vende kanë arritur ta izolojnë sëmundjen, duke ndjekur strategji që kanë rezultuar efikase. Koreja e Jugut në Azi, apo Gjermania në Europë, tashmë dhe SHBA, kanë kryer masivisht tampone për të diagnostikuar personat e infektuar me koronavirus. Pikërisht, testimi ka qenë dhe një debat i madh në Shqipëri gjatë tri javëve që lamë pas, pasi opozita ka kërkuar shtimin e testeve për popullatën. Por, mazhoranca dhe Ministria e Shëndetësisë kanë refuzuar duke thënë se “tampone do u bëhen vetëm personave simptomatikë”. Në kulmin e këtij debati, u vunë në lëvizje spitalet private në vend.

Spitali Amerikan (privat) është ofruar të kryejë testime për koronavirusin për qytetarët që kanë dëshirë ta bëjnë këtë gjë privatisht. Drejtuesit e këtij spitali kanë deklaruar se testimet mund të kryhen nga ky spital, ndërsa “kosto shkon nga 150 deri në 350 euro” për tampon. Në një artikull të rrjetit “Birn”, (që pyeti dhe drejtuesit e këtij spitali), mjekët që punojnë në sektorin publik të shëndetësisë, hedhin dyshime etike dhe ligjore rreth vetëofrimit të Spitalit Amerikan. Megjithatë, lidhur me rastin në fjalë ka reaguar Agjencia e Barnave që është shprehur se “nuk është certifikuar asnjë laborator privat për testimin e COVID-19”, duke rrëzuar ofertën e Spitalit Amerikan.

Por, në gjithë këtë debat ka disa hije dyshimi. Partia Demokratike ka reaguar deri më tani duke denoncuar gjithçka, (listën disa prej denoncimeve dhe reagimeve kryesore e gjeni në fund të këtij shkrimi), nga maskat e skaduara, te tenderat korruptivë, te mungesa e kapaciteteve shëndetësore, mungesa e mjeteve mbrojtëse për personelin shëndetësor, e gjithçka tjetër. Madje, Partia Demokratike ka bërë edhe propozime, me shumë vlerë në disa raste, siç janë adresimi i fondeve, që aktualisht shkojnë për ata që PD i quan “oligarkë”, të shkojnë për paketën ekonomike financiare në mbështetje të njerëzve dhe biznesit. Gjithashtu PD ka denoncuar po gjatë këtyre ditëve paratë që i janë alokuar Klodian Zotos (që e quan oligark të inceneratorëve). Mirëpo, PD nuk ka thënë asnjë fjalë për ofertën e Spitalit Amerikan për kryerjen testeve të COVID-19 me pagesë. Ky, i tamponeve, është rasti kur Partia Demokratike ndoshta duhet të fliste më shumë. Kjo bazuar në retorikën e përditshme të saj lidhur me denoncimet për masat e dobëta ekonomike e financiare për qytetarët.

Denoncimet dhe propozimet e PD për “oligarkët”:

Në datën 1 prill, ish-deputeti dhe ministri demokrat Tritan Shehu në një intervistë për A2 CNN kërkoi shtimin e testimeve, duke kërkuara që ato të kryhen në të gjithë vendin. Edhe ish-deputeti tjetër demokrat që mbulon sektorin e shëndetësisë, Bardh Spahia ka kërkuar shtimin e testimeve. Ai madje ka bërë një krahasim mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, në një koment në rrjetin social facebook duke e quajtur “filozofi makabre” të qeverisë atë që ndodh në Shqipëri.

Ditët e fundit, përsëri ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka denoncuar një tender prej 1.5 milion eurosh për blerje ushqimesh, i kryer nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas zyrtarit të PD, tenderi është fituar nga një kompani e cila nuk kishte për object shitjen e ushqimeve, por kompjuterave. Për këtë arsye edhe ka bërë denoncim në SPAK.

Më 29 mars Enkelejd Alibeaj denonconte një tender për rregullim zyrash, me vlerë 400 milion lekë, shprehej ish-deputeti demokrat. Tenderi ishte për të rikonstruktuar zyrat e administratës së spitalit të Traumës.

Në 22 mars, Jorida Tabaku duke komentuar aktin normative të qeverisë për paketën ekonomike shprehej se ai “nuk prek oligarkët” por fut në borxh shqiptarët. Këtë retorikë e kanë përmendur shpesh dhe ish-deputetë si Grida Duma, Dorian Teliti, etj.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, Partia Demokratike nuk ka denoncuar vetëm problemet në sistemin shëndetësor. Në 19 mars ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj denoncoi hapjen e tenderave të Bashkisë së Tiranës te “Garda e Republikës”.

Ndërkohë, në datën 10 mars kyredemokrati i shkruan një letër OBSH që “të ndihmojë Shqipërinë me teste për koronavirusin”. Në letër Basha ngrinte shqetësimin se në “Shqipëri ka mungesë të testeve”.

Në datën 10 mars Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, së bashku me Albana Vokshin dhe Bardh Spahinë, denoncuan për herë të parë skandalin e maskave të skaduara. Ky ishte denoncimi i parë i një serie denoncimesh që Partia Demokratike ka bërë që prej nisjes së koronavirusit në Shqipëri.

Një ditë më pas, në datën 11 mars, Lulzim Basha gjithashtu denoncoi “skandalin” e maskave të skaduara. Ai gjithashtu gjatë kësaj deklarate Basha denonconte dhe mungesën e “kapaciteteve të spitaleve për të përballuar numrin e pacientëve të pritshëm” që do të kenë nevojë për trajtim spitalor.

Kreu i Partisë Demokratike kërkoi që në 15 mars shtimin e tamponeve “me qëllim që çdo qytetar që ka dyshim se është i infektuar nga koronavirusit” të heq merakun.

Ndërkohë, në datën 9 mars, ditën kur në Shqipëri u konfirmua zyrtarisht rasti i parë me koronavirus, një nga ekspertet e shëndetësisë në Partinë Demokratike, krah Lulzim Bashës, kërkoi “fuqizimin e kapaciteve të laboratorëve jo vetëm atyre mikrobiologjik, viral, por kudo që ato janë”.

Edhe pse në pamje të parë duket se linja e qëndrimeve të PD përputhet me ofertën e Spitalit Amerikan (sa më shumë testime), arsyet se pse opozita duhet të reagonte janë disa. Së pari, transparenca: a i ka Spitali Amerikan burimet kërkimore për një test të tillë apo do ta blejë atë në tregun e huaj?

Nëse e blen, ku? Tregu kinez të cilit i drejtohen rëndom biznesmemët shqiptarë duhej parë me dyshim duke marrë parasysh pakënaqësitë e italianëve dhe spanjollëve të cilët janë ankuar se testet kienze kanë qenë ose të skadura ose të papërshtatshme?

Së dyti, a i ka Spitali Amerikan kapacitetet profesionale dhe etike për një tets të tillë, dhe a do ta përdorë atë vetëm si mjet fitimprurës apo përpjekje publike për të ndihmuar me lehtësimin e epidemisë.

Së treti, kush do ta kontrollojë Spitalin Amerikan, si për cilësinë e tamponëve, ashtu dhe për përdorimin e tyre.

Luftërat dhe epidemitë janë tradicionalisht burime të pashtershme fitimi për spekulantët. Opozita duhet ta paralajmërojë publikun dhe ta mbrojë atë nga raste të tilla, edhe duke ditur specifikën e Spitalit Amerikan. Pronari i tij Klodian Allajbeu zotëron një televizion informativ dhe është i pranishëm në media me reklamë për spitalet e rrjetit që zotëron. Gjë që i bën mediat të mbyllin sytë ose të humbin reklamën dhe përfitimet financiare.

BIRN nuk duhet të jetë e vetmja media që hulumton raste korrupsioni dhe opozita ka për detyrë që ta ndjekë ose të përfshihet në hijen e dyshimit se ajo vetëm sa bën sikur i lufton oligarkët, por është në fakt me ta.

Të fundit