Flash News

KRYESORE

Varrezat e dyshuara masive, lojë e Beogradit

Varrezat e dyshuara masive, lojë e Beogradit

Pavarësisht krimeve Serbia nuk po angazhohet të sjellë drejtësi për viktimat. Për më tepër i mban të fshehura varrezat masive.

Nisën në nëntor të vitit 2015, e vazhduan edhe më 2016 dhe gjysmën e vitit 2017.

Por tek tani u dha lajmi se pas gjithë këtyre gërmimeve në Kizhevak të Serbisë, nuk u gjet asnjë mbetje mortore.

Në Komisionin Qeveritar Kosovar për Persona të Zhdukur, thonë se ishte Prokuroria Speciale e Serbisë, ajo që e përcaktoi si varrezë masive atë lokacion miniere, bazuar mbi informacionet dhe dëshmitarët e saj.

Kryetari Prenk Gjetaj beson se autoritetet e Beogradit po nisin punimet në zonat ku dyshohet ku u groposën trupat e shqiptarëve të vrarë vetëm atëherë kur i përshtatet politikës shtetërore.

“Ata i dinë vendet dhe kanë evidenca, kanë të dhëna. Janë njerëzit. Janë ende njerëzit të cilët kanë qenë bartës të aktiviteteve edhe ushtarake edhe të pastrimit të terrenit, kështu që ata kanë informacione dhe dinë. Mund të jetë ka qenë edhe lojë e tyre”, tha Gjetaj për Klan Kosovën.

Kështu Prishtina zyrtare ka kërkesa që të nisin gërmimet në disa zona të tjera të rajonit të Rashkës të cilën gjë pala serbe po nguron ta bëjë.

Sipas mjeko-ligjorëve ka edhe një metodë tjetër që duhet përdorur për t’i shterur të gjitha mundësitë për të gjetur diçka në rajonin që nuk u gjet gjë e që më 2013 ishte zbuluar varreza masive e Rudnicës me të vrarë nga Kosova.

“Zyrtarisht është mbyllur ajo pjesë. Ekziston edhe një shancë nëse mund të sigurohen fotografitë satelitore të vitit 1999 që të rishikohen eventualisht vendi dhe lëvizja e dheut”, tha Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ndërkohë grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit bashkë me ndërkombëtarët do të takohen në konferencë trepalëshe më 19 dhe 30 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Aty do të diskutohet për të koordinuar më mirë punët por edhe metodat që do të qonin drejt zbardhjes së fatit të 1658 personave që figurojnë të zhdukur nga lufta e Kosovës

Të fundit