Flash News

KRYESORE

Vera Bekteshi, Belina Budini dhe Sabri Hamiti marrin çmimin 'At Zef Pllumi'

Vera Bekteshi, Belina Budini dhe Sabri Hamiti marrin çmimin 'At Zef Pllumi' për vitin 2019. Në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën Kulturore të qytetit të Lezhës treshja e letrave janë nderuar me çmimin që mban emrin e fratit të shquar, autor i veprës 'Rno vetëm për me tregue'. Çmimi është rikthyer pas katër vitesh ndërprerje me mbështetjen e kryetarit të bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.

Vera Bekteshi është shpallur fituese për romanin-memuar 'Vila me tri porta', Belina Budini për studimin 'Ndikuesit/Influencers' ndërsa Sabri Hamiti për monografinë "At Zef Pllumi.

Juria e përbërë nga Jonila Godole, Rudolf Marku, At Viktor Demaj, Alfred Lela dhe Dedë Maluta kanë përzgjedhur këta tre autorë mes një morie që kanë dorëzuar krijimet në Bibliotekën e qytetit të Lezhës.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Lezhës që i ka dorëzuar çmimin Sabri Hamitit, ceremonia ishte menduar të zhvillohej në dhjetor, muaji i lindjes së Zef Pllumit, por ka qenë emergjenca e shkaktuar nga tërmeti që ka çuar në shtyrje të datës.

I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe ish-kryetari i bashkisë së Shëngjinit, Salvator Kaçaj i cili ka qenë mbështetës i çmimit për disa vite derisa reforma territoriale 'e shkriu' Shëngjinin duke e bashkuar me Lezhën.

Fitues të mëparshëm të çmimit 'At Zef Pllumi' janë Ismail Kadare, Bashkim Shehu, Bardhyl Londo, Dom Gjergj Meta e të tjerë.

Të fundit