Flash News
Shtyhet sërish procesi për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Alfred Lela
Një prej të metave që po i zbulohet kërkesave të opozitës në tryezën e Këshillit Politik është se kapërcejnë rekomandimet e OSBE-ODHIR për zgjedhjet në Shqipëri. Bëhet fjalë për identifikimin biometrik të votuesve dhe për një qeveri kujdestare të zgjedhjeve. Të dyja këto, nëse demobilizohesh nga animet militanteske politike, nuk duket se janë kërkesa kryeneçe apo mbrapshti të opozitës. Një prej problemeve, tashmë të regjistruara dhe të njohura në zgjedhjet shqiptare, është votimi i shumëfishtë, që mundësohet apo ‘rrëshqet’ nëpër QV pak të monitoruara, aspak të modernizuara dhe shumë të targetuara nga ‘të fortë’ lokalë që punojnë në favor të njërës apo tjetrës parti.
Nëse ky shembull i manipulimit të zgjedhjeve ditën e votimit, pikërisht në qendrat e votimit nuk mjafton, atëherë ndoshta duhet sjellë një më i freskët: votimet njëpartiake të fundqershorit të vitit të shkuar. Partia Socialiste, edhe pse pa kundërshtarë, krejt e lirë për të menaxhuar një proces ku ishte 'vetë zot e vetë shkop', u gjet e përhumbur në labirintin e manipulimeve të veta. Atë që vendi fqinj Greqia dhe shqiptarët e Kosovës e bënë të nesërmen e zgjedhjeve, duke shpallur fituesin, ‘specialistët’ e votimeve tona morën pothuaj dy muaj për 'të gjetur' të parin e një gare me një konkurent.
Edhe në mos qoftë fare i vërtetë, dyshimi qëndron kryeneç brenda logjikës së gjërave: njerëzit e partisë në pushtet duket se nuk po ‘balanconin’ dot votat që kishin hedhur nëpër kuti me ato që kishin raportuar.
Votimi elektronik që do të mundësonte dy ‘gjurmë’ në procesin elektoral, atë tekonologjike dhe atë materiale (fleta e letrës), do të garantonte paqen pas shpalljes së rezultatit. Humbësi do të mbetej pa të drejtën e protestës nëse dy evidencat përputheshin.
Sigurisht, procesi elektronik i votimit nuk është një gjë e lehtë dhe mund t’i nënshtrohet po aq lehtë, në mos edhe më, mekanizmave të manipulimit. Krimet kibernentike dhe ndërhyrjet në zgjedhje, elektronikisht, nga një cep i largët i botës në tjetrin, janë tashmë realitet me të cilin luftojnë vende të fuqishme ekonomikisht dhe në avangardë të hi-tech-ut botëror, si Amerika etj.
Sidoqoftë, në një botë ku thuajse çdo gjë bëhet online, dhe në një vend si Shqipëria ku zgjedhjet janë një plagë e hapur mosbesimi prej tri dekadash, një alternativë që mund të zhbënte apo të paktën përmirësonte klimën politike dhe sociale do të ishte e mirëpritur.
Pretendimi se një proces elektronik i zgjedhjeve është i shtrenjtë, dhe do të kushtone edhe më shumë nëse diçka shkon keq dhe, në kushtet e një vendi të varfër si Shqipëria, do të ishte luks, është i pathemeltë. Zgjedhjet përcaktojnë, jo vetëm thelbin e procesit demokratik, por edhe paqen politike e sociale. Po të kujtohemi se sa ngërçe, bllokime e kriza kanë prodhuar zgjedhjet në Shqipëri, të gjitha me kosto të mëdha shoqërore e ekonomike, shpenzimet e një sistemi për të qenë të votimit elektronik do të shkaktonin vetëm një buzëqeshje.
Nëse një qeveri si aktualja, që shpenzon pa teklif në spontanitete dhe teka, kundërshton futjen e dorës në xhepin e arkës së përbashkët për përmirësimin e një procesi, që jo vetëm e dëmton Shqipërinë ekonomikisht, duke e kaluar nga kria në krizë, por na bën edhe gazin e botës, thotë se është e shtrenjtë kjo dava, ka vetëm një merak. Do t’i lërë vetes shtigje të hapura për t’i manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet. E ka thyer tashmë çdo rekord duke manipuluar zgjedhje ku merrte pjesë vetëm vetë.
Ky paragraf i fundit mjafton edhe për të konsumuar kushtin e një qeverie kujdestare të zgjedhjeve.