Flash News

Bota

Zjarret përfshijnë jugperëndimin e Francës, mbi 220 mijë persona evakuohen pranë Bordeaux

Franca po përballet me një situatë të rëndë nga zjarret masive pyjore, ndërsa flakët në rajonin e Gironde, pranë qytetit të Bordeaux, vijojnë të përhapen me shpejtësi duke detyruar autoritetet të ndërmarrin evakuime masive.

Më shumë se 220 mijë banorë janë larguar nga zonat e rrezikuara, ndërsa vetëm gjatë natës së fundit rreth 55 mijë persona u evakuuan nga disa fshatra në jug të Bordeaux. Zjarri ndodhet rreth 15 kilometra larg periferisë së qytetit, por autoritetet thonë se për momentin nuk ka një plan për evakuimin e Bordeaux.

Situata mbetet kritike në rajonin e Gironde, ku flakët kanë shkatërruar rreth 42 mijë hektarë pyje. Në rang kombëtar, që nga fillimi i vitit, zjarret kanë përfshirë afro 98 mijë hektarë territor, duke u cilësuar ndër më të rëndat në Francë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Për përballimin e emergjencës janë angazhuar mijëra forca. Rreth 2 500 zjarrfikës, përfshirë edhe ekipe nga Zvicra, po luftojnë me flakët, ndërsa në terren janë edhe rreth 1 500 ushtarakë dhe mbi 1 200 efektivë policie e xhandarmërie për evakuimet dhe sigurinë e zonave të prekura.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrolli i zjarrit mbetet i vështirë për shkak të kushteve atmosferike. Kapiteni Nicolas Braz, një nga drejtuesit e operacionit, tha se zjarri ka krijuar "erërat e veta", duke e bërë lëvizjen e flakëve të paparashikueshme.

Të fundit