Flash News

E-TJERA

Koçeku ironizon 'Besën" e Ramës: Nuk mund t’u zihet besë atyre që shohin vetëm kulla e resorte

-640-0-daf9191c6f5cfb061928a12d2c924e17.jpg

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar pas prezantimit nga kryeministri Edi Rama dje të dokumentit të ri politik të Partisë Socialiste, duke vënë në pikëpyetje vetë përdorimin e kësaj fjale nga kreu i qeverisë.

Koçeku, e cila u largua nga PS dhe tashmë është deputete e pavarur, e lidh konceptin e Besës me tokën, vendin dhe identitetin e malësorëve, duke argumentuar se ajo nuk mund të ndahet nga mënyra se si trajtohen pronat dhe territori.

Ajo shkruan në rrjetet sociale se “besa” nuk mund të përdoret si slogan politik nga njerëz që, sipas saj, nuk e kuptojnë kuptimin e saj të vërtetë, si dhe kritikon ata që e shohin tokën kryesisht si hapësirë për kulla dhe resorte.

Reagimi: 

Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa.
Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrueme, ajo asht kontratë thellësisht natyrore.
T’parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin. Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besë tjetrit, tue ia pre besën vendit ku jeton.
Së dyti, ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë. Prandaj nuk e shesim ne tokën dhe kullën.
Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze e resorte, por nuk asht ma besë. Se këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat me mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet sesi përfundojnë.
Së treti, unë e di mirë prej kodit të malësisë nga vij se, edhe kur gjaksit apo njerëzit e krimit, kur duen me i mbyllë problemet e tyne, përveç ligjit, kudo që ndodhen nëpër botë, edhe pse mund të kenë ndërtue kulla luksoze apo jetojnë në resorte, janë të detyruem me ardhë e me e lyp besën te kulla e vjetër e të parëve, te logu apo te kisha e vjetër e fshatit.
Pse? Sepse aty asht lidhja e vjetër shpirtnore të cilën ata e kanë humbë. Vetëm aty kanë mundësinë me u kthy edhe njiherë njerëz.
Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!

Të fundit