Flash News

E-TJERA

Gjyqi kundër prokurorit që e hetoi, 'Administrativja' rrëzon padinë e Veliajt

veliaj-1-770x444.jpg

Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me emërimin e Ols Dados në detyrën e prokurorit.

Në vendimin e saj, gjykata ka vlerësuar se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje, por vetëm interes të tërthortë, ndaj kërkesa nuk mund të merret në shqyrtim.

Gjykata ka rrëzuar gjithashtu kërkesat për t’u bërë palë në proces të ish-prokurorit Tom Deda dhe të Asociacionit për Media dhe Drejtësi.

Pas shpalljes së vendimit, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, e cilësoi atë të pritshëm dhe deklaroi se çështja do të vijojë në Apel.

“Ishte një test për sistemin, për të parë nëse ka aftësi për t’u vetëkorrigjuar. Dado nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme. Sistemi nuk tregoi aftësi për t’u vetëkorrigjuar. Nuk ka problem më të rëndë sesa emërimi i një prokurori që ushtron funksionin në mënyrë të paligjshme”, u shpreh Ndreca.

Sipas tij, beteja ligjore do të vijojë në shkallët e tjera të gjyqësorit.

Do të shkojmë në Apel pasi të kemi vendimin e zbardhur nga gjykata. Do ta fitojmë këtë çështje”, deklaroi avokati.

Gjatë seancës, Erion Veliaj e kishte kundërshtuar emërimin e Ols Dados, duke pretenduar se ai ka ushtruar një funksion shtetëror pa të drejtë ligjore.

“Është evidente që po krijohet asimetri. Një pale po i shtohen aktorët që tregojnë interes publik, ndërsa palës tjetër po i largohen. Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga detyra”, deklaroi Veliaj në sallën e gjyqit.

 

Të fundit