Flash News

OPINEWS

Dhuna si portret i qeverisjes

auto_New_Project_111784831944.jpg

Grigels Muçollari 

Dhuna policore, gazi lotsjellës, uji me piper dhe mjete luftarake si këto janë kthyer në imazhin kryesor të qeverisë dhe Edi Ramës, në modus vivendi. Dhunë në Parlament me kartona dhe me Gardë, dhunë jashtë me forca speciale.

Prej vitesh tanimë kjo është sjellja e qeverisë ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve, ndaj protestave të opozitës dhe ndaj protestave të qytetarëve.

Asnjë qeveri nuk ka marrë masa represive dhe s'ka demonstruar forcë me reparte policore sa kjo e Edi Ramës.

Sikur vetëm ky aspekt të merret në analizë, dëshmon mirë për arbitraritetin, arrogancën dhe padrejtësinë 13-vjeçare.

Në asnjë rast, Shqipëria nuk ka vuajtur nga rebelimi i qytetarëve, nga mosbindja apo kundërshtimi i autoritetit të shtetit nga populli.

Përkundrazi, bindja, nënshtrimi, mosreagimi kanë qenë një prej plagëve të shoqërisë që ka lejuar sunduesin të thellojë zullumin.

Asnjëherë në këto 13 vite shqiptarët nuk i vunë zjarrin vendit e nuk bllokuan rrugët si në Paris, Bruksel apo Athinë. Edhe pse kanë pasur shumë më tepër arsye se francezët, belgët e grekët.

Ndaj edhe agresiviteti i skajshëm i qeverisë dhe Kryeministrit, ashtu sikurse sot para Parlamentit, është tejkalim i çdo mase, norme dhe të drejte.

Kjo dhunë nuk është, pra, për të shtypur një popull të shtypur, por për të ndalur filizin e një zgjimi kombëtar që po i sjell Edi Ramës humbjen e karriges. Dhe kjo është frika e tij e madhe, sepse e di çfarë e pret. Për drojën, pasigurinë e ankthin e tij po hidhet kaq shumë gaz lotsjellës e lëndë djegëse e helmuese. Mbajtja e pushtetit me çdo kusht po kthehet në kosto të madhe për vendin. Vetëm ndonjë delirant i sëmurë mund të mendojë se, duke thelluar konfliktin e armiqësinë me shoqërinë, do t'i zgjasë ditët e sundimit e do t'ia hedhë pa u lagur.

Të fundit