Flash News

E-TJERA

Mes protestave dhe tensioneve në sallë, mbyllet seanca e fundit e sesionit parlamentar

-640-0-1784818045xkk-102.jpg

Seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, me përplasje të vazhdueshme mes opozitës dhe mazhorancës, ndërprerje të punimeve dhe incidente në sallën e Kuvendit.

Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren, duke kundërshtuar rendin e ditës dhe mënyrën e zhvillimit të seancës. Pavarësisht protestës së tyre, mazhoranca vijoi me procedurë të përshpejtuar, duke miratuar pa debat 31 pikat e rendit të ditës.

Ndër aktet e miratuara ishin rezolutat për raportimet vjetore të institucioneve të pavarura, si SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, si edhe disa projektligje, amendamente dhe emërime në komisione.

Seanca u ndërpre dy herë për shkak të tensioneve, ndërsa me 84 vota u miratua edhe raporti për Reformën Territoriale. Opozita kishte kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të këtij raporti me tre muaj, por kërkesa nuk u pranua.

Pas incidenteve, deputetët e Partisë Demokratike u larguan nga salla, duke bojkotuar pjesën e mbetur të votimeve. Gjatë gjithë kohës që qëndruan në Kuvend, ata protestuan duke bllokuar foltoren, goditur tavolinat dhe kundërshtuar zhvillimin e seancës.

Paralelisht me zhvillimin e seancës plenare, jashtë godinës së Kuvendit u mbajt edhe protesta qytetare kundër qeverisë, ku dhjetëra protestues u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Tubimi u shoqërua me tensione, pasi Policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës. Nga ndërhyrja u prekën edhe gazetarët që po raportonin nga terreni, ndërsa pati përplasje mes efektivëve të policisë dhe pjesëmarrësve në protestë.

Me këtë mbledhje u mbyll zyrtarisht edhe sesioni parlamentar, ndërsa Kuvendi pritet t'i rikthehet punimeve në muajin shtator.

Të fundit