Flash News

E-TJERA

Nga Martinaj te Dumani, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon dosjen "Metamorfoza" në GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një tjetër pjesë të dosjes “Metamorfoza”, duke dërguar për gjykim në GJKKO nëntë të pandehur, mes tyre Ervis Martinajn, Nuredin Dumanin, Prekë Kodrën dhe Aleks Ndrekën, i njohur si “Leksi i Druve”.

Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për përfshirje në veprimtari të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasjen e Gjin Boricit Ndoj në Vaun e Dejës në vitin 2020.

Prokuroria i akuzon gjithashtu për krijimin e kushteve dhe sigurimin e mjeteve për eliminimin e Ibrahim Licit, Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Kleant Musabelliut, të cilët konsideroheshin kundërshtarë të grupit kriminal “Bajri”.

Mes akuzave të ngritura ndaj tyre janë “vrasja me paramendim”, “grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve”, krahas veprave të tjera penale.

Për të njëjtën dosje janë duke u gjykuar më herët edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë procedim.

Dosja do t'i nënshtrohet tashmë shortit elektronik në Gjykatën e Posaçme për caktimin e gjyqtarit të seancës paraprake. “Metamorfoza”, e ndërtuar mbi komunikimet e platformës së koduar Sky ECC, është ndarë në disa fraksione, një pjesë e të cilave kanë përfunduar me vendime gjyqësore, ndërsa të tjerat vijojnë në proces.

Të fundit