E-TJERA

Nuk u paraqit në seancë, gjobitet avokati i Veliajt

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për dosjen e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës, Plarent Ndreca.

Sipas raportimeve, Ndreca nuk ishte i pranishëm në seancë pasi po merrte pjesë në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Civile të Tiranës. Ai kishte paraqitur më herët një kërkesë për shtyrjen e gjykimit, duke argumentuar se ndodhej në pamundësi objektive për të qenë i pranishëm.

Megjithatë, trupa gjykuese vendosi ta gjobisë avokatin me 50 mijë lekë. Sipas gjykatës, në seancën e mëparshme ai nuk kishte ngritur asnjë pretendim lidhur me datën e caktuar për shqyrtimin e çështjes, ndërsa mungesa e tij u bë shkak për shtyrjen e procesit.

Për të garantuar vijimin e gjykimit, GJKKO caktoi si mbrojtëse kryesisht për Erion Veliajn avokaten Valentina Teodoresku.

Sa i përket Ajola Xoxës, gjykata vendosi që procesi ndaj saj të zhvillohet në mungesë, duke vlerësuar se raporti mjekësor i paraqitur nuk provon një pamundësi objektive për të marrë pjesë në seancë.

Seanca e radhës është caktuar për datën 15 shtator, në orën 10:00. Gjykata vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn deri në zhvillimin e seancës së ardhshme.

Të fundit