E-TJERA

Meta kundërshton Prokurorinë, kërkon hetim për punonjësit e paraburgimit 313

Ish-presidenti Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës së Tiranës pas vendimit të Prokurorisë për të mos nisur hetim lidhur me kallëzimin e bërë prej tij.

Meta ka kundërshtuar mosfillimin e procedimit dhe kërkon që gjykata të urdhërojë Prokurorinë e Tiranës të hetojë pretendimet e tij ndaj punonjësve të paraburgimit 313.

Në kallëzimin e tij, ish-presidenti pretendon se i janë shkelur të drejtat gjatë qëndrimit në paraburgim, veçanërisht sa i përket komunikimit nga institucioni i vuajtjes së dënimit. Ai ka ngritur akuza për shpërdorim detyre ndaj punonjësve të policisë së burgjeve, duke kundërshtuar mënyrën e trajtimit të tij në 313.

Prokuroria ka vendosur mosfillimin e hetimeve, me argumentin se nga verifikimet paraprake nuk rezultojnë elementë të një vepre penale.

Meta, megjithatë, këmbëngul se kallëzimi i tij duhet të hetohet dhe për këtë arsye i është drejtuar dhomës penale të Gjykatës së Tiranës.

Kërkesa po shqyrtohet nga gjyqtarja Vjollca Spahiu në dhomë këshillimi, ndërsa pritet vendimi i gjykatës nëse çështja do të rikthehet për hetim apo do të lihet në fuqi vendimi i Prokurorisë.

Të fundit