Flash News

E-TJERA

Largohet vala e të nxehtit afrikan, temperaturat bien ndjeshëm nga e mërkura

Vala e të nxehtit afrikan që ka përfshirë Shqipërinë pritet të mbyllet sot, ndërsa ditët në vijim sjellin ulje të temperaturave dhe mot më të paqëndrueshëm.

Meteorologia Lajda Porja, në një lidhje live për Euronews Albania, bëri të ditur se kjo e hënë do të jetë dita e fundit me temperatura ekstreme, ku në shumë qytete priten vlera deri në 39-40 gradë Celsius.

Sipas saj, gjatë së martës do të nisë një ulje graduale e temperaturave, por moti do të mbetet ende i nxehtë. Ndërkohë, ndryshimi më i ndjeshëm pritet të vijë nga dita e mërkurë, kur vendi do të përfshihet nga masa ajrore më të freskëta.

Temperaturat maksimale pritet të zbresin në rreth 34-35 gradë të mërkurën, ndërsa gjatë fundjavës termometri nuk pritet të kalojë 30-31 gradë në pjesën më të madhe të territorit.

Për sa i përket reshjeve, dita e sotme do të mbetet kryesisht e qëndrueshme me kthjellime dhe pak vranësira. Reshje të izoluara mund të shfaqen të martën në mbrëmje, kryesisht në zonat veriore të vendit.

Pas ditëve me temperatura përvëluese, Shqipëria pritet të përjetojë një javë me mot më të freskët dhe më të paqëndrueshëm.

Të fundit