Flash News

E-TJERA

Zbulohet një "bazë" armësh në Manzë, arrestohet 20-vjeçari; sekuestrohen pistoleta e kallashnikovë

Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje, duke zbuluar një bazë ku dyshohet se ruheshin armë dhe municion luftarak që mund të shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale.

Operacioni policor i koduar "Baza" u zhvillua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. P., 20 vjeç, banues në Manzë, efektivët gjetën dhe sekuestruan katër pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), gjashtë krehëra, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, një targë automjeti italiane dhe një telefon celular.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 20-vjeçari u arrestua në flagrancë për armëmbajtje pa leje.

Sipas Policisë, armët e sekuestruara do t'i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive".

Të fundit