Ditari i Opozitës

Berisha: Jam pro listave të hapura dhe zgjedhjes së Presidentit nga populli

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për ndryshime në sistemin zgjedhor dhe kushtetues gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale.

Ai u shpreh se është në favor të listave të hapura, duke i konsideruar ato si modelin më të përshtatshëm për zgjedhjen e deputetëve dhe për rritjen e rolit të qytetarëve në procesin elektoral.

"Tani, unë jam për listë të hapur. E them këtu dhe qëndroj plotësisht këtij parimi, e kam shprehur dhe përpara këtë. 

Unë organizova një tryezë pikërisht me synim bashkimin e opozitës për sistemin zgjedhor. Dhe në këtë kontekst, çdo ndryshim të Kushtetutës, ne do ta mbështesnim. 

Nuk jam kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, mbasi historia e presidentëve jo njëherë, por më shumë se njëherë është histori kukullash. Dhe kombi nuk ka nevojë për kukulla. Nuk ka nevojë. Kombi, vendi, ka nevojë për institucione. Institucione që i përmbahen Kushtetutës.

Ndaj dhe nuk kundërshtoj, nuk kam qenë dakord dikur me këtë proces, por sot kur shoh asgjësimin e atij institucioni që është institucion shumë i rëndësishëm, mendoj se ai i duhet vendit dhe kombit si institucion i vërtetë dhe jo fake siç është", tha Berisha.

Të fundit